...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndryshimi` kursit të Vuçiçit, fundi` Ballkanit të Hapur dhe izolimi` Kurtit

Tre ishin ngjarjet kryesore që u shënuan gjatë javës së fundit të qershorit lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe më tej: ndryshimi i kursit të Vuçiçit në raport me çka ai kishte paralajmeruar një javë më herët, fundi i Ballkanit të Hapur dhe fakti se Kurti nuk përdori kundër perëndimit mosmbajtjen e premtimit se do të siguronin pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje në këmbim të pranimit të Aneksit të Ohrit por pranoi masat ndëshkuese të BE-së me “ankesa” si ato që...

Ylli Përmeti

02/07/2023 - 18:25

Të hënën e 26 qershorit u shënua një lëvizje taktike nga Serbia: lirimi` tre policëve që pengmori pas arrestimeve të Prishtinës. Ajo synonte shpërshkallëzimin e gjendjes duke pritur nga Kurti të vepronte njësoj me arrestimet e tij. Por nuk ndodhi kështu; madje Prishtina iu përmbajt paralajmërimit të saj për shpalljen e dy organizatave serbe si terroriste dhe marrëveshjes së vitit 2015 kur mes Prishtinës dhe Beogradit ishte nënshkruar shuarja e strukturave përkatëse dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës. 

Një ditë më pas serbët u mblodhën në Mitrovicën e Veriut dhe Graçanicë ku paraqitën një dokument të quajtur “Deklarata e Vidovdanit”. Ajo u lexua nga zyrtarët e partisë Lista Serbe. Sipas saj, komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar” ndaj dhunës”, duke përmendur arrestimin e disa qytetarëve serbë, të cilët autoritetet e Kosovës i akuzojnë për “shkelje të rendit kushtetues” si dhe për sulme ndaj misionit të NATO-s, KFOR-it, policisë dhe gazetarëve.

Ata thanë se nëse Prishtina vazhdonte veprimet dhe arrestimet e saja, serbët e Kosovës do të detyrohen të përgjigjen dhe u shprehën se s`kishin shqetësime me popullin shqiptar por me Kurtin. Madje përmendën dhe lirimin e tre policëve nga Serbia si shenjë për ta zgjidhur krizën paqësisht dhe kërkuan lirimin e të arrestuarve. “Ashtu siç u liruan ata për t`u mbrojtur nga liria, të njëjtën gjë duam dhe për vëllezërit tanë të arrestuar, që edhe ata të mbrohen nga liria”.

Një ditë më pas ―kur pritësh të organizohësh kuvendi serb në veri― Vuçiçi u shpreh se nuk dinte se si do të përfundonte kriza ndërsa Kurti inspektoi policët në veri të Kosovës si kundërpërgjigje ndaj festës së Vidovdanit me festën e Kurban Bajramit. Rama nuk ndryshoi qasje as këtë ditë: ai shkoi në Bruksel dhe ushtroi trysni “ndërkombëtare” ndaj Kurtit duke miratuar veprimet e BE-së ndërsa kjo e fundit u shpreh se po humbiste durimin me tensionet dhe paralajmëroi masa ndëshkuese për Kosovën gjatë javës në vijim.

Kurti iu përgjigj “masave” në fjalë, një ditë më pas, se Prishtina vazhdon të jetë partnerja “më e sinqertë dhe më e qendrueshme në rajon” e bllokut si i përket vlerave evropiane ndërsa përmendi faktin se Kosova ka qenë në disa raste kritike ndaj BE-së por s`ka qenë “asnjëherë cinike dhe e hidhëruar” nga masat ndëshkuese. Ai vlerësoi përkrahjen e BE-së gjatë viteve dhe mezi pret pyetësorin për anëtarësim, “sepse Evropa është kontinenti ynë...dhe fati ynë”.

Të njëjtën ditë BE-ja i kumtoi Kurtit masat ndëshkuese: pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuar në bazë të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit; mosftimin e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe; dhe ndaljen e programit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (politikë evropiane para-anëtarësuese) ndërsa u anuluan disa takime të komisioneve të përbashkëta mes Kosovës dhe Serbisë sipas MSA-së. BE-ja mund të kalojë nga pezullimi në anulimin e fondeve nëse Kurti nuk ndryshon qendrim.

Një ditë më pas Kosova shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste në 29 qershor. Sipas Kurtit, ato paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”. Kështu veprimtaria e tyre ndalohet menjëherë dhe çdo veprimtari i mëtejshëm do të kishte pasoja të rënda ligjore ndërsa vetë organizatat thanë se nuk do të ndalojnë të luftojnë “për Serbinë dhe unitetin”, por për arsye sigurie nuk do t`i njoftojnë veprimet e tyre.

Sipas tij, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste” si sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kurti tha se këto dy formacione, po ashtu, kanë bërë thirrje për rezistencë e mosbindje, kanë detyruar qytetarët të marrin pjesë në protesta dhe barrikada dhe kanë “rekrutuar dhe trajnuar pjesëtarë për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim të kryerjes së sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë”.

“Niveli i kërcënimit dhe rrezikut nga këto formacione ilegale është i lartë. Institucionet e Kosovës janë në përpjekje të vazhdueshme për kundërvënie ndaj aktiviteteve të këtyre formacioneve, me qëllim të parandalimit të pasojave si për qytetarët, ashtu edhe për pjesëtarët e institucioneve të vendit tonë dhe të prezencës ndërkombëtare në Kosovë”, tha Kurti.

Në fakt, është e paqartë se si do të zbatohet vendimi i qeverisë për dy organizatat sepse ato s`kanë anëtarë të regjistruar ndërsa Lista Serbe e quajti veprim “për përshkallëzim, represion dhe pushtim të veriut të Kosovës”. Kundrejt vendimit të tij lidhur me organizatat në fjalë DASH-i tha se qeveria e Kurtit nuk ishte bashkërenduar me SHBA-në dhe BE-në.

Mes këtyre ngjarjeve, Serbia hodhi një hap kundër Ballkanit të Hapur: bllokoi lëvizjen e lirë mes Bosnje Hercegovinës dhe Kosovës dhe la në fuqi regjimin e vizave ndërsa Rama përmendi nga Brukseli vetëm “procesin e Berlinit”. Madje, një ditë më pas, ai tha për Euronews se “Procesi i Berlinit është tanimë aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mission për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga kancelari Sholc por edhe nga gjithë të tjerët”.

Si kundërpërgjigje ndaj paralajmërimeve perëndimore Kurti parashtroi një plan tjetër për shtensionimin e gjendjes―këtë herë me tetë pika por pa ndonjë ndryshim thelbësor krahasuar me planin e tij të shprehur më herët: zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre gradualisht dhe në përpjestim me zvogëlimin e dhunës dhe zgjedhje të parakohshme përmes një peticioni të mbështetur nga të paktën 20 për qind e zgjedhësve, sipas Kushtetutës, por duke shtuar qasjen e plotë në proceset gjyqësore të kryersve të dhunës për EULEX-in dhe OJQ-të.

Ditën e fundit të javës së qershorit presidenti i Këshillit Evropian tha se mbështeste idenë e zhvillimit të një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë ndërsa si udhëheqësit e BE-së ashtu dhe Këshilli Evropian paralajmëruan pasoja nëse gjendja nuk shtensionohet. Për “idenë” përkatëse Kurti tregoi nevojën e zbatimit të marrëveshjeve duke nënkuptuar se konferencat nuk e zgjidhin krizën dhe një ditë më pas shtoi se masat ishin të padrejta; se ai shpresonte se ato do të ishin të shkurtra pasi “Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”; dhe se ai nuk do të bëjë kompromis me sundimin e ligjit dhe kushtetueshmërinë e vendit.

Vuçiçi përsëriti edhe një herë qasjen e tij lidhur me Kurtin mbrëmjen e 2 korrikut kur tha se ai kërkon të jetë Zelenski i ri dhe se ai do të nisë një tjetër sulm kundër pakicës serbe në Kosovë kur të fillojë sulmi në Ukrainë. “Kurti thjesht kërkon të jetë Zelenski i ri. Kur të nisë sulmi në Ukrainë, atëherë do të shihni një sulm tjetër të Kurtit në republikën e Kosovës. Kërkoj nga populli i republikës së Kosovës të jetë i kujdeshëm, të mbrohen për pak kohë. Kam frikë se ky terror do të bëhet edhe më i egër”, tha ai për reporterët.

Ndërsa ai e quan Kosovën “republikë” dhe nënkupton njohjen e saj si republikë, me qendrimin e tij ai paralajmëron trazira. Ai tha, gjithashtu, se Ka kërkuar nga Kurti të lirojë të arrestuarit dhe gati 100 të tjerë të burgosur dy vitet e fundit ndërsa shtoi se “kam frikë lëvizjet iracionale dhe anti-serbe të Kurtit. Do të bëj më të mirën time ta parandalojë atë. Por jo në çmimin e një pogromo të popullit serb”.    

Gjykuar nga këta fakte gjendja në veri të Kosovës mund të shtensionohet pak por ajo mund të tensionohet më shumë nëse Vuçiçi vendos në lëvizje planin për shkëputje ose përdor mbështetësit e tij për të sulmuar policinë apo ndërtesat publike sa herë që Kurti kryen ndonjë arrestim. Fakti që ai nuk e vendosi në 28 qershor, siç kishte paralajmëruar, tregon se ai beson se nuk është koha e duhur për ta përparuar atë ndërsa vazhdon ta përdor veriun edhe për ca kohë si marjonetë për të penguar qendrueshmërinë e Kosovës.

Në fund të fundit, Kurti me “shtensionim” kupton vendosjen përpara ligjit të gjithë atyre që kanë përdorur dhunë ndaj policisë dhe ushtrisë së KFOR-it. Ky synim nënkupton tensione të herëpashershme; madje dhe tensione të pafundme, meqënse sa herë që Kurti arreston një serb aq herë do të ketë sulme të tipit “guerrilas” ndaj policisë dhe ndërtesave publike. 

Tre ishin ngjarjet kryesore që u shënuan gjatë javës së fundit të qershorit lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe më tej: ndryshimi i kursit të Vuçiçit në raport me çka ai kishte paralajmeruar një javë më herët, fundi i Ballkanit të Hapur dhe fakti se Kurti nuk përdori kundër perëndimit mosmbajtjen e premtimit se do të siguronin pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje në këmbim të pranimit të Aneksit të Ohrit por pranoi masat ndëshkuese të BE-së me “ankesa” si ato që përmenda më herët (se janë të padrejta dhe shpreson se janë të përkohshme etj.).

Fundin e Ballkanit të Hapur filluan ta përdorin si qeveritarët e VV në Prishtinë ashtu dhe opozita e Berishës në Tiranë, duke treguar Ramën si një kryeministër me mungesë largpamësie ndërsa nuk përmendin dështimin e Kurtit për të “vënë me shpatulla pas murit” perëndimin për premtimin që nuk iu përmbajt, i cili në vend të kërkonte ndjesë ndaj Kurtit për mosmbajtje të tij dhe të lëshonte “pe” ndaj qendrimeve të tij, përdori masat ndëshkuese!        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA