Një përgjigje “Vatrës” për shpalljen e Berishës të “padëshirueshëm”
Vatra jo vetëm që nuk shikon shkatërrimin e Shqipërisë nga Sali Berisha dhe shtrembëron të vërtetat, se Berisha thjesht shfrytëzoi koniukturën historike dhe depërtoi në lëvizjen studentore duke e akaparuar atë, si oportunist, sepse nuk pamë e as lexuam ndonjë manifest të punuar nga Berisha dhe të ngjashmit e tij për një regjim tjetër, më të mirë, por e paraqet atë si prijës të ndryshimeve historike!
SHJ
18/06/2021 - 09:14
Deklarata e “Vatrës” në SHBA lidhur me shpalljen “non grata” të Sali Berishës, nuk befason askënd nëse kemi mësuar kontributin e saj në të vërteta historike dhe gjykojmë drejt argumentin e saj. Ajo ndihet e shqetësuar për shpalljen përkatëse sepse Sali Berisha luftoi komunizmin etj (lexo deklaratën në fund). Argumenti i saj më qesharak është se “regjimi komunist ekzekutoi, burgosi dhe internoi me mijëra shqiptarë thjesht dhe vetëm pse ne, të afërmit e tyre, kishim ikur nga diktatura dhe ishim vendosur këtu në Amerikë”. Këtë argument e përdorin shumë edhe në anët tona. Madje e riprodhojnë dhe e theksojnë dhe gazetarët por pa ndonjë kundër-tezë!
Por ky argument nuk përmend ligjin e kohës në fuqi: se kushdo që tentonte të arratisej, dënohësh. Çfarë kërkonin “vatristët” që prokuroria, gjykatat, sigurimi dhe ushtria mos të zbatonin ligjin?! Nuk përmend as anën tjetër: se “prej lufte veç ai largohet që ka lindur tradhëtor”. Këtë thënie të fuqishme e citon Azdreni në himnin tonë dhe nënkupton se kur nuk pajtohesh me një regjim, e lufton atë me të vërteta dhe jo duke shkelur ligjet. Për shembull, duke i treguar me studime regjimit se rendi që unë pretendoj —të cilin e pretendonin shumë njerëz që arratiseshin— është më i mirë. Apo duke treguar karakterin e padrejtë të ligjit në fuqi.
Në vend të këtij veprimi, shumica e shqiptarëve që u arratisën na thonë, prej 30 vitesh, se diktatura na vrau, por pa treguar as se shkelnin ligjin, as se çfarë synonte ligji, as se ata ishin tradhëtarë nëse i përmbahemi himnit, as edhe në fund, efektin pedagogjik: sepse është pedagogjike të luftohet një regjim me të vërteta se sa me dëshira që burojnë nga iluzionet.
Përveç këtyre, *Vatra qënka e përçarë. Lexo disa nga akuzat dhe kundërakuzat e Vatristëve:
https://www.facebook.com/130222160391703/posts/4049967645083782/
Duket si e dalë nga “Twilight zone”, një gjëndje e ndërmjetme, as në gjum e as zgjuar...sesi gjendjet mendore përsëriten nëse njerëzit dhe shoqëritë nuk reflektojnë për të shkuarën dhe të tashmen e tyre, që kanë zënë vend sërish mes nesh në formatin më qesharak ndërsa publicistika e Nolit e publikuar te Vepra 3, në Tiranë, 1988, fq, 21-47, tregon karakterin e Vatrës rreth 100 vjet më parë. Ai i përgjigjet Vatrës dhe Diellit duke i demaskuar me disa artikuj të botuar në “Immigranti”, (Uster Worcester), 1926, 27 shkurt, nr. 72. Nënshkruar: F. S. Noli.
Noli në faqen 27 radhit argumentet nën titujt “hiç e hiç, hiç e gjakderdhës, vatra dhe unë, pasuritë e vërteta, një vërë më e madhe, ca vëra të tjera, lufta fetare e Faikut, gogoli bollshevik, kusarë kudo, Shqipëria në buzë të varrit, çkatërrimi i Vatrës, Sulltan Hamiti, s`ka më keq e të tjera”.
Më poshtë përgjigja e Nolit ndaj Vatrës dhe Diellit për përçarjen dhe punën e tyre të dyshimtë.
1- ÇKATËRRIMI I "VATRËS" fq, 43
“Vatra” një herë ka qenë me tre mijë gjer katër mijë anëtarë; po nën administratën e Faik Konicës ka zbritur në ca qindra të paka dhe puna s`ka për të qëndruar as këtu. Nga këto të paka qindra anëtarësh Faik Konica tani paska nër mënt të nxjerrë jashtë, të pakën, gjysmët dhe ta qëronjë Federatën nga të gjithë gjëmbat. Kështu le të mbeten vetëm të saktët dhe besnikët! Sa për buxhetin dhe të ardhurat, për këto se ha malli fare dhe ka të drejtë. Posa “Vatra” u bë një agjenci e hyqymetit dhe “Diellit” një organ dallkauk i mydyrit të Pashiçit, e do e drejta që harxhet t`i heqë të gjitha hyqymeti, i cili s`kursen para për zyrat e propagandës, për spiunët e për larot. Po ahere “Vatra” është e vdekur si një shoqëri independente, dhe çudia është që paska në Amerikë ca “vatranë” të lumtur që s`e kanë kuptuar akoma. Jazëk, jazëk!
2 - SULLTAN HAMITI fq. 45, Vepra 3
Faik Konica na thotë që Ahmet Zogu është më i mirë se Sulltan Hamiti se qenka shqiptar, sikur Esat pasha nuk ishte shqiptar, sikur Mufit Libohova nuk është shqiptar nga raca. Po ç`ka të bënjë gjaku shqiptar, kur mungon ndjenja kombëtare dhe patriotike? Pashiçi, kur bërtisnin disa deputetë serbë kundër krijimit të një shteti shqiptar independent, u përgjeq fare bukur: “Mos u mërzitni, se Shqipërinë indipendente do ta prishin vetë shqiptarët!” (Profetike shkatërrimi 1991-2021, shënimi im)
3 – S`KA MË KEQ fq.46
Gjithë ay korrespondent i “Diellit” na transmeton mendimin e një ish-ahmetisti të flaktë mbi situatën e sotme, me këto fjalë: “Ishim më mirë në kohën e grekut!” Dhe këto fjalë dalin nga goja e një muhamedani të Toskërisë. Kur shqiptarët të mërzitur nga indipendenca e tyre bashibozuke, nisin psherëtijnë edhe për dominatën e huaj më të keqe, ahere domethënë fundi i Shqipërisë.
Thënë, në fjalë të tjera, Vatra jo vetëm që nuk shikon shkatërrimin e Shqipërisë nga Sali Berisha dhe shtrembëron të vërtetat, se Berisha thjesht shfrytëzoi koniukturën historike dhe depërtoi në lëvizjen studentore duke e akaparuar atë, si oportunist, sepse nuk pamë e as lexuam ndonjë manifest të punuar nga Berisha dhe të ngjashmit e tij për një regjim tjetër, më të mirë, por e paraqet atë si prijës të ndryshimeve historike! Edhe nëse i marrin si të vërteta ato që na thotë Vatra, nuk do të duhet të hetohet për krime të mundshme një “prijës” kaq i madh? Sepse në Amerikën ku ajo jeton, presidentët hetohen pavarësisht ndonjë kontributi në jetën amerikane!
DEKLARATË PUBLIKE E FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA, RRETH SHPALLJES “NON GRATA” TË ISH-PRESIDENTIT SHQIPTAR DR. SALI BERISHA
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës, Vatra, e ka ndjekur me shqetësim të madh shpalljen e dr. Sali Berishës, person “non grata” nga kreu i Departamentit të Shtetit Amerikan. Kjo për arsye se në fundin e viteve ’90 ishte Dr. Sali Berisha ai që u ngrit kundër regjimit komunist i cili kishte ekzekutuar, burgosur dhe internuar me mijëra shqiptarë, thjesht dhe vetëm pse ne, të afërmit e tyre, kishim ikur nga diktatura dhe ishim vendosur këtu në Amerikë. Ishte dr. Sali Berisha, që iu priu protestave të studentëve shqiptarë në Dhjetorin e vitit 1990 e më pas luftoi me guxim e trimëri për përmbysjen e regjimit gjakatar komunist dhe vendosjen e demokracisë.
Ishte lidershipi i Dr. Sali Berishës që e ktheu Shqipërinë nga vendi më armiqësor ndaj Amerikës në popullin më mik të saj. Sot, shumica absolute e shqiptarëve e shohin Amerikën si vendin e tyre të dytë, më të dashur në botë. Ishte Dr. Sali Berisha, si lider i opozitës demokratike të asaj kohe ai, që priti Sekretarin e Shtetit James Baker në krye të një mase qindramijëshe, në Marsin e vitit 1991, kur u ri-vendosën mardhëniet diplomatike, të ndëprera prej vitit 1939.
Ishte po ai që, në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në vitin 1992, shkeli për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë. Aty, ai mori mbështetje nga Presidenti George H. Bush për mos-prekjen e kufijve të Kosovës nga Milosheviçi si dhe statusin e Kombit më të Favorizuar në Tregëti me Amerikën. Ishte po ai, që u prit në Shtëpinë e Bardhë edhe nga Presidenti Clinton në vitin 1995. Në vitin 1997 ai doli në opozitë dhe pas 8 viteve, në vitin 2005, ai u kthye përsëri në krye të qeverisë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe ai arriti të ndërpriste rrugët e trafiqeve të paligjshme, të instalonte shtetin e së drejtës, t’i jepte hapsirë të plotë shtypit dhe sipërmarrjes së lirë dhe të ndërtonte një infrastrukturë moderne në bashkëpunim me kompanitë amerikane, në Shqipërinë e rrënuar nga komunizmi.
Mbi të gjitha ai arriti të plotësonte të gjitha kushtet që Shqipëria të bëhej anëtare e organizatës më të madhe politike ushtarake, NATO-s. Antarësimin e saj në këtë organizatë e deklaroi vetë Presidenti Amerikan George Ë. Bush, në Tiranë, me datën 10 qershor 2008. Ai e ruajti miqësinë edhe me Presidentin Barack Obama dhe Sekretaren e Shtetit zonjën Hillari Clinton, e cila e vizitoi Shqipërinë në kohën kur ai ishte Kryeministër, në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Gjatë termit të dytë si Kryeministër të dr. Berishës, shqiptarët për herë të parë morën statusin e lëvizjes së lirë në zonën evropiane Shengen, ndërkohë që Shqipëria hapi negociatat për antarësim në Bashkimin Evropian.
Bazuar në një proces zgjedhor demokratik, të lirë dhe të ndershëm, të cilit ai vetë i kishte prirë për vite të tëra, ai i humbi zgjedhjet e vitit 2013 dhe bëri kalimin e butë të pushtetit nga qeveria e Partisë së tij Demokratike tek ajo Socialiste.
Që prej asaj dite, ai nuk ka mbajtur asnjë post ekzekutiv. Asnjë nga anëtarët e familjes së tij nuk kanë mbajtur ndonjëherë poste në zyra qeveritare, në asnjë qeveri të Shqipërisë.
Si opozitar, ai u kthye në zërin e njerëzve të thjeshtë të atij populli duke denoncuar vazhdimisht keqbërjet dhe korrupsionin galopant tëqeverisë së sotme socialiste.
Që në vitin 2013 qeveria socialiste vazhdon të qëndroje në pushtet, bazuar në elementët anti-demokratike siç janë manipulimi dhe vjedhja masive e votave, (2017, 2019, 2021) bashkëpunimi me krimin e organizuar, trafikun e qenjeve njerëzore dhe drogave, zgjedhjet pa opozitë, ndarjen e parasë publike me oligarkët, kontrollin e mediave dhe drejtësisë, etj. Të gjitha këto janë vënë re nga organizmat ndërkombëtare përfshirë edhe vetë Departamentin e Shtetit Amerikan, i cili raporton çdo vit rënie drastike të Shqipërisë në listën e vendeve më të korruptuara në botë. Kundërshtari më i vendosur i tërë këtyre keqbërjeve ka qenë vetë Dr. Sali Berisha, tanimë në opozitë dhe në pension.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës, rreth së cilës mblidhen qindra mijëra shqiptaro-amerikanë, e ka konsideruar Dr. Sali Berishën si mikun e saj të vërtetë, si njeriun që e hapi Shqipërinë ndaj Perëndimit dhe në veçanti ndaj Amerikës; Tek Dr. Berisha neve kemi parë mikun e Amerikës dhe për sa kohë ai ka qenë në pushtet mikun e të gjithe presidentëve me radhë, George H. Bush, Bill Clinton, George Ë. Bush dhe Barack Obama.
Ne shqiptaro-amerikanët të mbledhur rreth Vatrës, kemi ngelur të habitur nga shpallja “non grata” e Dr. Sali Berishës, pasi deri në atë ditë tek ai ne kemi parë njeriun më të dashur të Amerikës në Ballkan. Kemi parë njeriun që bëri aq shumë për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar, e në veçanti për Kosovën. Kohët e fundit ai ishte angazhuar në një luftë të pakompromis kundër tërë atyre që po përgatisnin ndarjen territoriale të Kosovës të cilën ai e konsideroi si një hapje të “Kutisë së Pandorës” në Ballkan. Rreziku që mbarte kjo iniciative lobesh anti-shqiptare u vertetua me urdhërin ekzekutiv që lëshoi Presidenti Biden, pak ditë më pare, dhe që shkon plotësisht në një vije me kundërshtimin që Dr. Sali Berisha iu bënte planeve të tilla.
Shpallja “non grata” e Dr. Sali Berishës për ne vatranët shqiptaro-amerikanë, ka me vete shumë pikëpyetje. Natyrishit, si shtetas amerikanë, neve kemi arsye të besojmë tek shteti ynë këtu. Megjithatë, në situatën kur nuk jepen argumenta dhe evidenca mbi të cilat është bazuar ky vendim, kjo na bën të mendojmë se më shumë sesa një masë e marrë bazuar në principe amerikane, ajo është marrë nën trystni grupesh lobiste për interesa të caktuara. Ne dyshojmë se ato interesa nuk janë as në të mirë të Amerikës tonëdhe as në dobi të Shqipërisë tonë.
Akuzat ndaj një miku të shqiptaro-amerikanëve e veçanërisht të vatranëve, siç është Dr. Berisha, pas tetë vitesh në pension, dhe pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë evidencë apo prove konkrete, pa asnjë akt padi të ngritur në jetën e tij, na kanë shqetësuar pa masë.
Antarët e Federatës Pan-Shqiptare Vatra, kudo që jetojnë në të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’u kërkojnë përfaqësuesve të popullit amerikan, për të cilët ata kanë votuar, që të ngrenë këtë problem me të drejtën e tyre që kanë për t’i kërkuar shpjegime administratës së z. Biden të argumentojnë me fakte vërtetësinë e akuzave që kanë sjellë një masë të tillë kaq ekstreme. Në të kundërt ata duhet të lirojnë Dr. Berishën nga barra e një përgjegjësie morale e cila nuk i përket vetëm atij dhe nuk i nderon as ata që e kanë aplikuar atë, nëse nuk kanë fakte.
Në pritje të një përgjigje nga ana e autoriteteve mbetemi besim plotë se kjo çështje do të sqarohet në një të ardhme të afërt.
Lëshuar nga Bordi Drejtues i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra.
*Në këtë koment ka kontribuar Genta Kaloçi me citimin e Nolit.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 39 reads



