...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

OJQ-të kundërshtojnë kontratën për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re” vetëm për drejtësi sociale dhe jo ekologjike!

Kontrata do të krijonte vështirësi për buxhetin shtetëror dhe konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë, pasi ajo garanton që kompania shtetërore do të blejë gjithë energjinë e prodhuar nga ContourGlobal me një “çmim të synuar” prej 80 eurosh për një megavat orë energji, që është çmim shumë më i lartë për energjinë në krahasim me rajonin.

Voa

14/05/2019 - 15:57

Një grup organizatash joqeveritare në Kosovë por edhe jashtë saj, dërguan të hënën një ankesë në Komunitetin e Energjisë, me seli në Vjenë, duke sfiduar ligjshmërinë e marrëveshjes për blerjen e energjisë për projektin e planifikuar të termocentralit Kosova e Re me qymyr linjit, që pritet të ratifikohet nga parlamenti i Kosovës.

Qeveria e Kosovës nënshkroi në dhjetor të vitit 2017 marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re”. Marrëveshja parasheh një investim prej 1.3 miliardë eurosh për ndërtimin e termocentralit të ri që do të prodhojë 500 megavat orë energji elektrike.

Në fillim të këtij muaji, kompania Contour Global dhe qeveria e Kosovës, përzgjodhën konsorciumin e General Electric si “ofertuesin e Preferuar në tenderin për Inxhinieringun, Prokurimin, Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen Afatgjatë për projektin e ri. Qeveria është zotuar të blejë tërë energjinë që do të prodhohet gjatë 20 viteve nga ky termocentral.

Fondacioni, Balkan Green, Instituti GAP, Grupi për Studime Politike dhe Juridike, INDEP dhe CEE Bankwatch Network, thanë në ankesën e tyre se marrëveshja me ContourGlobal, bie ndesh me rregullat e traktatit të Komunitetit të Energjisë, sepse i ofron kompanisë ContourGlobal një varg përfitimesh që i sigurojnë përparësi kundrejt prodhuesve tjerë të energjisë elektrike.

Në një njoftim të këtyre organizatave thuhet se kontrata do të krijonte vështirësi për buxhetin shtetëror dhe konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë, pasi ajo garanton që kompania shtetërore do të blejë gjithë energjinë e prodhuar nga ContourGlobal me një “çmim të synuar” prej 80 eurosh për një megavat orë energji, që është çmim shumë më i lartë për energjinë në krahasim me rajonin. Madje energjia do të paguhet edhe kur ajo nuk shfrytëzohet dhe shteti merr përsipër edhe lehtësira të tjera për kompaninë

“Çmimi prej 80 eurosh nuk do të ishte i mirë, mirëpo duke shtuar edhe tarifat shtesë, askush nuk e di se cili do të jetë çmimi që duhet të paguajnë konsumatorët dhe taksapaguesit. Shumë njerëz në Kosovë nuk mund të përballojnë pagesën e faturave të energjisë elektrike as tani, prandaj nuk ka asnjë mundësi që të pranojnë këto rritje”, citohet të ketë thënë Visar Azemi nga Fondacioni, Balkan Green.

"Të thuash se qeveria e Kosovës ka bërë një gabim të tmerrshëm do të ishte një nënvlerësim", citohet të ketë thënë Pippa Gallop CEE Bankwatch Network. "Pavarësisht se kush i shtyu ta nënshkruajnë këtë kontratë absurde, u takon parlamentarëve të Kosovës, publikut dhe institucioneve ndërkombëtare si Komuniteti i Energjisë dhe Komisioni Evropian për t‘u siguruar që ajo të mos ratifikohet, për hir të konsumatorëve dhe taksapaguesve të Kosovës”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, tha se ky projekt është tërësisht në përputhje me Traktatin e Komunitetit te Energjisë dhe legjislacionin e Kosovës.

“Është me rëndësi të nënvizohet fakti se Qeveria e Kosovës ne pyetjet e pranuara nga Sekretariati i Energjisë ka sqaruar te gjitha çështjet pa përjashtim. Deri më sot qeveria e Kosovës nuk ka pranuar pyetje shtesë ose kërkesë për sqarime, rrjedhimisht ne pikëpamjen tonë kjo është një çështje e mire-argumentuar mbi baza krejtësisht ligjore dhe ne përputhje me dispozitat e aplikueshme ne Kosove si dhe ne dritën e dispozitave te Traktatit te Energjisë”.

Ministri Lluka thekson se deri me sot “nuk është kualifikuar asnjë ndihmë shtetërore ne këtë projekt, sakaq në pikëpamjen e qeverise se Kosovës ky projekt është tërësisht ne përputhje me Traktatin e Komunitetit te Energjisë dhe legjislacionin e Kosovës”.

Më tej ai thekson se “qeveria e Kosovës në vitin 2010 ka marrë aprovimin nga Sekretariati mbi strukturën e këtij projekti me theks te kontratës afatgjate për blerje te energjisë. Elementet, si garancia financiare për performancë e ndërmarrjeve publike, lirimet fiskale, transferimi i përkohshëm i tokës dhe pagesat e disponushmerisë, në asnjë formë nuk përbëjnë ndihmë shtetërore dhe nuk janë në kundërshtim me rregullat e tregut të lire të energjisë, për më tepër elemente te tilla janë te lejuara me legjislacionin ne fuqi si dhe praktikën gjyqësore evropiane”. Projekte me struktura të ngjashme, thuhet në përgjigjen e ministrit Lluka, janë ndërtuar edhe ne shtetet e Bashkimit Evropian.

Autoritetet kane theksuar se projekti paraqet investimin e huaj me të madh të bërë ndonjëherë në vend dhe do t’i jap fund mbështetjes në importet e shtrenjta të energjisë elektrike.

Gjatë përzgjedhjes së General Electric në fillim të majit, ministri Lluka tha se “gjatë dekadës së fundit Kosova ka importuar energji elektrike ne vlerë mbi 500 milionë eurosh. Duke përdorur teknologjinë më të fundit dhe burimet e bollshme vendore të lëndës djegëse, ‘Kosova e Re’ do të jetë një nga termocentralet më bashkëkohore me qymyr në botë”.

Sipas tij, duke ofruar siguri afatgjatë të furnizimit me energji elektrike, termocentrali ‘Kosova e Re’ “do t'u jap fund humbjeve vjetore prej 300 milion eurosh të shkaktuara nga furnizimi aktual i pasigurt i energjisë elektrike në Kosovë. Kjo do të krijojë një mjedis tërheqës për investimet e huaja dhe do të mbështesë rritjen në ekonomi. Vlerësohet se ky investim madhor i ContourGlobal do të rrisë prodhimin vendor bruto afatmesëm me së paktën 2 për qind, duke nxitur rritje ekonomike vendore dhe rajonale”.

Kosova llogaritet një nga vendet me rezervat më të mëdha të qymyrit linjit në botë të cilin e shfrytëzon për të prodhuar energji elektrike. Deri në përfundimin e termocentralit të ri, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA