...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

OP-ja “kopjon” Bashën me kërkesa të ngjashme dhe dështake për epideminë: pse?

Organizata Politike publikoi pesë kërkesa për sektorin e shëndetësisë. Por ato janë të ngjashme me kërkesat e partisë “demokratike” dhe nuk mjaftojnë për të ‘ndaluar’ epideminë se për ta ‘parandaluar’ as që bëhet fjalë

SHJ

25/11/2020 - 18:26

Së pari, shërbimi spitalor është shkatërruar nga klasa politike me në krye partitë kryesore dhe jo vetëm nga qeveria “Rama”. Por ky është një fakt që kuptohet nga të gjithë ata që kanë kujtesë historike. Çfarë nevojitet është të tregohen shkaqet e faktit: shkatërrimit të sektorit. Qeveria “Rama”, në fakt, po e zgjeron shërbimin spitalor me ndihmën e të huajve (Banka Botërore etj.). Por edhe përmes buxhetit të saj. Për vitin 2021 sektorit iu shtua buxheti. Por jo sepse kishte dijen por sepse u detyrua nga epidemia. Në fakt, qeveria ka përmirësuar disa seksione të sektorit por paralelisht ka rrënuar kursimet e popullit (me konçesionet) dhe ka shtuar sëmundjet.

Së dyti, rritja e testimeve apo dyfishimi i tyre, siç kërkon OP-ja, nuk e parandalon epideminë edhe sikur të ketë gjurmim rigoroz të të infektuarve. Për t`u bindur na mjafton përvoja gjermane. Në fakt, OP-ja nuk e përmend fare rëndësinë e gjurmimit ndërsa kërkesa e saj për shtimin e testeve është e njëjtë me kërkesën e partisë “demokratike”! Ndryshe nga OP-ja Basha i përmend ndonjë herë gjurmimet por ngatërrohet kur na thotë se shërbimi spitalor 'është rrënuar' (Basha përdor fjalën 'kolaps' në fakt si gjithë papagallët e tjerë të establishmentit) por edhe se 'do të rrënohet' duke treguar se ai jo vetëm që nuk tregon realitetin e vërtetë të sektorit por nuk e ka të qartë as se çfarë nënkupton 'gjurmimi' i të infektuarve.    

Kërkesa e dytë —për shtimin e pajisjeve mjekësore sidomos të skanerëve— nuk lidhet as me realitetin e pajisjeve (ato po shtohen me ndihmën e të huajve duke ndjekur strategjinë e të qenit një hap para përmasës së infeksionit) as me rëndësinë e skanerit: ky i fundit nuk dikton virusin por thjesht mat temperaturën. Dihet se shumë të infektuar nuk shfaqin temperaturë. Kështuqë për këtë kategori nuk shërben. As shërben për ata që kanë temperaturë: sepse temperatura nuk shkaktohet vetëm nga C-19. Nëse një mjek bazohet vetëm në skaner, ai rrezikon të gabojë në diagnostikim. Efektivisht, skaneri nuk nevojitet nëse procesi i testimeve vepron shpejt.

Kërkesa e tretë, për shtimin e personelit në spitale dhe rritjen e rrogave, është e thjeshtë të thuhet por e vështirë për t`u realizuar për sa kohë që nevojitet kualifikim dhe buxhet. Me buxhetin e vitit tjetër me siguri do të rriten pagat por jo personeli meqënse nevojitet kohë për kualifikim dhe kur dihet se shumica e të kualifikuarve shkojnë jashtë vendit! Si do t`i ndalojë OP-ja të kualifikuarit të shkojnë jashtë vendit?

Kërkesa e katërt, për rimbursimin e ilaçeve të rekomanduar nga mjeku, si dhe shpenzimet për ekzaminime, është e drejtë. Por është më mirë të synohet parandalimi se sa rimbursimi, sepse rrënohet edhe më shumë populli. Kërkesa për shtimin e spitaleve të rinj, është e drejtë por që të ngrihen spitale të rinj nuk nevojitet vetëm rritja e buxhetit të sektorit por dhe shpërqendrimi i popullatës gjithashtu dhe një koncept i ri drejtimi, ndryshe nga drejtimi aktual i qendërzuar. Këto kërkesa, në fakt, të cilat OP-ja i quan të guximshme, me imagjinatë qeverisëse dhe shkathtësi administrative, janë bërë dhe nga “opozita” e Bashës.

Vetëm se OP-ja i paraqet paksa ndryshe në kohën kur ne kemi gati një vit që tregojmë se gjithçka që propozon PD-ja jo vetëm që nuk mjafton por vende të tjerë, si Gjermania, ku sektori nuk drejtohet nga një administratë qendrore si në Shqipëri dhe vende të tjerë por nga një qasje shqendërzuese pikërisht për të rritur efikasitetin ose shkathtësinë, siç argumenton OP-ja, kanë dështuar! Arsyet se pse ka dështuar i ka treguar Ylli Përmeti. Por OP-ja as lexon as studion! 

Për më shumë...  

Dështimi i “testim-gjurmimit” në Gjermani dhe e ardhmja e epidemisë në Shqipëri           

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA