...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pas studentëve të Shqipërisë bregdetare protestojnë dhe të lindores në Tetovë

Ndal korrupsionit, duam drejtësi, jashtë politika, poshtë nepotizmi. Studentët e Universitetit të Tetovës kanë shprehur përmes protestës pakënaqësinë e tyre për gjendjen në arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni.

DW

19/12/2018 - 12:52

Studentët e Universitetit të Tetovës, të cilëve iu janë bashkangjitur edhe disa grupe të studentëve nga Universiteti "Nënë Tereza” nga Shkupi dhe Universitetit të Europës juglindore në Tetovë, përmes protestës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për gjendjen në arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Studentët gjatë parakalimit në rrugët e Tetovës kanë mbajtur parulla, ku shkruhej: "Ndal korrupsionit”, "Kërkojmë drejtësi”, "Studentët e bashkuar kanë për të fituar”, "Jashtë partitë politike, poshtë nepotizmi”. Studentët marshin protestues e përfunduan para godinës së Universitetit të Tetovës, pasi atyre nuk iu është lejuar hyrja në oborrin e UT-së nga ana e forcave të policisë.

Kërkesat e studentëve

Studentët kanë parashtruar plotësimin e 13 kërkesave, mes të cilave heqjen e pagesës së praktikës dy mujore, zvogëlimin e tarifës për studentët e huaj, largimi i pagesës prej 100€ për çregjistrim nga universiteti, ndalimi i kushtëzimit me blerje të librave për nënshkrim nga ana e profesorëve të caktuar, furnizimi dhe renovimi i sallave, laboratorëve dhe mjeteve tjera të domosdoshme për studentët, parlamenti studentor të jetë i pavarur nga rektori dhe partitë politike, rishikim të titujve akademikaë dhe verifikim të plagjiaturave, të ndërpritet ndikimi i emërimit të mësimdhënësve nga partitë politike dhe urgjentisht të çlirohet Universitetet nga nepotizmi i skajshëm.

"Ne kërkojmë që partitë politike të heqin dorë nga parlamentet studentore”. "Kemi kërkesat që duhet të plotësohen pa dialog e pa asnjë kusht tjetër. Pa plotësimin e kërkesave tona ne nuk do ndalemi. UT-ja është e kapur për fyti nga nepotizmi dhe politika”, ankohen studentët në protestë. "Kemi dal t`i përkrahim studentët, fëmijët tanë”, thonë prindër që kanë marrë pjesë në protestë.

UT: Jemi të gatshëm të dëgjojmë zërin e studentëve

"Kërkesat janë shumë me vend, unë jam nga një universitet privat i UEJL-së, bazuar në kërkesat e tyre ata u drejtohen universiteteve shtetërore, megjithatë edhe ne kemi probleme”, thotë studente tjetër. "Unë sot jam në rolin e maturantit, nesër edhe unë do të jem në rolin e studentit, prandaj duhet që këto çështje të zgjidhen sa më parë dhe ne në të ardhmen të kemi kushte më të mira”,- u shpreh një pjesëmarrës tjetër në marshin protestues. Studentët kanë paralajmëruar se do ta vazhdojnë protestën e tyre edhe në ditët e ardhshme.

Nga Universiteti i Tetovës ka dalë një deklaratë për shtyp, ku theksohet, se kurrë nuk ka pasur hezitim të dëgjohet zëri i studentëve dhe se Universiteti i Tetovës është i rinisë studentore dhe popullit. "Për çdo shqetësim studentor, për aq sa kemi pasur ankesa të bazuara dhe të qëndruara, ne gjithmonë kemi marrë masat e duhura dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm t'i qëndrojmë fisnik këtij parimi human, etik dhe ligjor. UT është i popullit dhe rinisë studentore dhe nuk guxon të bëhet tabelë qitjeje e askujt, aq më pak e grupeve të caktuara të interesit. Çdo shqetësim, pakënaqësi apo revoltë duhet të zgjidhet institucionalisht”, thuhet mes tjerash në komunikatën e UT-së.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Shkup thotë se po i ndjek me vëmendje kërkesat e studentëve që i paraqitën në protestën e organizuar në Tetovë, edhe pse paraprakisht në rrugë zyrtare nuk janë njoftuar për to. Ajo shprehet se punon me përkushtim për të avancuar cilësinë e sistemit arsimor në të gjitha nivelet, përfshirë edhe vetë studentët dhe nxënësit, të cilët janë pjesë e proceseve për krijimin e politikave rinore dhe ekonomike, krijimin e zgjidhjeve ligjore dhe pjesë e menaxhimit dhe vendimmarrjes në institucionet e sistemit.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA