Pasojat katastrofike për Shqipërinë dhe Kosovën me fitoren e Rusisë në Ukrainë
Me fitoren e Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjen e Trampit për të ndjekur penalisht Bajdenin dhe sorositët (çka nënkupton faktin se përpjekja e tij do të shtrihet dhe në Evropë), por dhe me përpjekjen e Serbisë për ta “joshur” Trampin me një qendër tregtare në Beograd, Serbia do të gjendet në një çast të rrallë gjeopolitik në raport me Kosovën.
Ylli Përmeti
21/07/2024 - 21:59
Nuk është e vështirë të kuptohen pasojat e fitores së Rusisë në Ukrainë dhe rikthimit të Trampit në Shtëpinë e Bardhë për Shqipërinë, Kosovën dhe botën, po të kemi parasysh “armiqtë” e Trampit dhe Putinit: ata kanë armiq të përbashkët ―“globalistët”, ku përfshihen kryesisht sorosistët, dhe qëllimin e tij për të “zhbërë” aleancën euro-atlantike siç është shprehur ajo 70 vitet e fundit dhe kryesisht 30 e ca vitet e fundit, me “rendin” botëror të globalizmit neoliberal: ato do të jenë “katastrofike” për BE-në dhe kryesisht për Shqipërinë dhe Kosovën, pikërisht sepse Trampi do të bëjë (që ditët e para në presidencë, siç ka thënë) marrëveshje me Putinin për luftën në Ukrainë dhe do të vërë në lëvizje planin e tij për “zhbërjen” në fjalë.
Nga marrëveshja në fjalë Trampi do të detyrohet të pranojë (siç ka pohuar shpesh herë) një Rusi më të madhe dhe një Ukrainë më të vogël por dhe kërkesën tjetër të Moskës: një Ukrainë asnjanëse. Kjo marrëveshje në vetëvete do të shoqërohet me ndryshimin e rrëfenjës për shkatarët e luftës në Ukrainë. Trampi e ka bërë të qartë se shkaktari kryesor i saj është Bajdeni dhe e ka paralajmëruar atë (në debatin e fundit) me hetim. Ai ka shënjestruar shpesh herë dhe Zelenskin dhe këto ditë po shënjestrohen dhe evropianët (Greneli e filloi në Bild: 19.07.2024). Sipas tij, përgjegjësinë për luftën në Ukrainë e kanë evropianët.
Kjo është një rrëfenjë e pashmangshme dhe e domosdoshme, sepse kështu Trampi mund të kërkojë hetim për Bajdenin por dhe për rolin e Sorosit dhe sorosistëve në përgjithësi për luftën në Ukrainë. Kështu me fitoren e Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjen e Trampit për të ndjekur penalisht Bajdenin dhe sorositët (çka nënkupton faktin se përpjekja e tij do të shtrihet dhe në Evropë), por dhe me përpjekjen e Serbisë për ta “joshur” Trampin me një qendër tregtare në Beograd, Serbia do të gjendet në një çast të rrallë gjeopolitik në raport me Kosovën.
Beogradi mund të gjendet në çast edhe më të volitshëm nëse marrëveshja mes Putinit dhe Trampit merr karakter botëror―domethënë, Trampi heq dorë nga përfshirja tregtare e tij në Serbi dhe nga qëllimi` Uashingtonit për ta shkëputur atë nga “sfera” ruse, dhe heq dorë gjithashtu nga qëllimi tjetër për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe ia lë atë Rusisë. Ky variant, në fakt, bëhet i domosdoshëm në kuadër të përpjekjes së të tij për të “zhbërë” aleancën dhe kthimin e Amerikës në konceptin e “shtet-kombit”, të cilin e përjetoi bota shekullin e kaluar.
Nga ana tjetër, Shqipëria dhe Kosova do të gjenden në çastin më të pavolitshëm që kemi patur ndonjë herë 100 e ca vitet e fundit, sepse mbështeti luftën në Ukrainë (dhe rrjedhimisht kërcënohet me hetim) dhe është tërësisht sorosiste. Këtë fakt do ta shfrytëzojë Serbia dhe nuk do të ishte e çuditshme që të fillojë një përpjekje të re për të treguar “zelenskin” e Ballkanit, Kurtin, si “fashist”, duke nënkuptuar politikat e tij “fashiste” kundër pakicës serbe.
Kjo përpjekje do ta detyrojë Vuçiçin të përfshijë dhe Shqipërinë ose ta zgjerojë luftën e tij gjeopolitike, duke treguar Ramën si sorosist (pavarësisht se edhe ai vetë thotë se ka marrëdhënie të mira me Sorosin) dhe mbështetës të luftës në Ukranë. Këtë përpjekje mund ta mbështesë dhe Moska meqënse “nuk ka hequr pak” nga lufta dhe Putini ka treguar se ka deri diku karakter “hakmarrës”. Kjo përpjekje mund të çojë në izolimin e Shqipërisë në OKB dhe ndalimin e përpjekjeve të Kosovës për t`u anëtarësuar atje dhe institucione të tjerë me karakter ndërkombëtar.
Në këto kushte, do të vihet në dyshim lufta e shqiptarëve në Kosovë dhe statusi` saj mund të ngrijë për një kohë të gjatë.
Vuçiçi, në fjalë të tjera, mund të përdorë dy pushtete për rikthimin e Kosovës në “gjirin” e Serbisë pas marrëveshjes së Trampit me Putinin: ose pushtetin ushtarak (nëse përdor këtë, do të përpiqet të shkaktojë trazira të reja në veri të Kosovës, me qëllim që të përligj ndërhyrjen ushtarake) ose luftën gjeopolitike në OKB, ku do të përpiqet të izolojë Shqipërinë, duke e paraqitur atë “fashiste” dhe do të pamundësojë përpjekjen e Kosovës për t`u anëtarësuar.
Pjesë nga studimi vijues:
Dështimi` strategjisë së Uashingtonit dhe Brukselit me Beogradin dhe Prishtinën në prag të “fitores” së Rusisë dhe pasojat gjëmëzeza për Shqipërinë/Kosovën
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 123 reads