...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pedagogu i “shkencave politike” dhe “Nisma#Thurje” thotë “kodra pas bregut” për Evropën

Një pedagog që ka punuar në fondacionet e Sorosit dhe e ushtron profesionin në Francë në “shkencat politike”, natyrën e të cilave e kam sqaruar por po e përsëris dhe një herë —se ato regjimet i paraqesin ashtu siç janë dhe jo se pse janë ashtu siç janë, fakt që i bën ato spekulative (përmendin fakte pa treguar se nga burojnë dhe pse) dhe si të tilla vetëm me shkencën nuk kanë lidhje

SHJ

01/11/2019 - 09:16

Në vendin tonë, ndërkohë, realitetin që tregova për Evropën e Makronit dhe shkaqet pse është krijuar, as e kanë e kuptuar dhe as do ta kuptojnë me mendjet që kanë. Siç paraqitet shtypi, ashtu paraqiten dhe pedagogët, të cilët supozohet se kanë kuptim më të plotë se gazetarët dhe opinionistët e establishmentit mediatik. Për shembull, një pedagog që ka punuar në fondacionet e Sorosit dhe ushtron “shkencat politike” në Francë, natyrën e të cilave e kam sqaruar por po e përsëris dhe një herë —se ato regjimet i paraqesin ashtu siç janë dhe jo se pse janë ashtu siç janë, fakt që i bënë ato spekulative (përmendin ‘fakte’ pa treguar se nga burojnë dhe pse­­—domethënë të vërteta të vogla shpesh herë dhe gjysëm të vërteta) dhe si të tilla vetëm me shkencën nuk kanë lidhje— pyetjes se nëse Europa ka ndonjë fobi ndaj Ballkanit Perëndimor pedagogu i përgjigjet se “nuk e besoj”, duke shtuar “Europën e dy shpejtësive”­—të cilën e sqaron se “Europa e dy shpejtësive do të thotë që ti të futesh në Europë edhe mos të futesh në Europë...që shqiptarët të jenë në Europë por mos të kenë të drejtë të jetojnë njësoj si qytetarët gjermanë…pra ky është problemi që po ndodh”! 

Oportunizmi dhe makiavelizmi i Makronit në pushtet dhe idiotët e establishmentit në Shqipëri (klasa politike, gazetarët dhe pedagogët)

Pjesë nga studimi i mësipërm:

Për ta zgjidhur problemin pedagogu mjaftohet me “bërjen e detyrave të shtëpisë” duke harruar avantazhet tregëtare mes vendeve dhe efektet e tyre në ekonominë e vendit! Dhe ngaqë ai beson se elita jonë nuk ka absolutisht asnjë interes për t`u integruar, “sepse po  të integrohen, parlamenti shqiptar do ketë mbi krye parlametin europian; gjykata shqiptare do ketë mbi krye gjykatën europiane; qeveria shqiptare do ketë mbi krye komisionin europian; oligarkët që bëjnë biznes këtu do të duhet të konkurrojnë me bizneset europiane” (shënim: pasanikët vendor i quan ‘oligarkë’ ndërsa pasanikët europianë i quan thjesht ‘bisnesmen’!). Por ndryshe nga elita jonë, populli, sipas tij, e do integrimin! Shqipëria, në fund, duhet të ishte integruar që në `86, kur erdhi Gjermania në Shqipëri![11]

Së pari, Evropa në tërësinë e saj, karakterizohet nga “shumë shpejtësi” dhe FT ka të drejtë kur tregon disa fakte për “shumë shpejtësitë” e Evropës.[12] Por as FT nuk tregon dy “shpejtësitë” kryesore, mes veriut dhe jugut evropian—domethënë, pasanikët e veriut dhe të varfërit e jugut europian dhe shkaqet sistemike se pse ekzistojnë këto dy “shpejtësi”, për të cilat (domethënë, për veriun e pasur dhe jugun e varfër) elitat europiane janë në dijeni. Kjo është arsyeja pse shumë autorë e quajnë Evropën e sotme, “Evropa e dy shpejtësive” për të cilën pedagogu duhet të ishte në dijeni. Së dyti, elita jonë e do integrimin përsa kohë që ka integruar sistemin perëndimor të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut dhe është integruar në përqindjen më të madhe të institucioneve me karakter mbikombëtar (ose ‘inframacional’ siç i quajnë disa autorë perëndimorë) dhe përsa kohë që sektorët kryesorë të ekonomisë (ku kanë aksionet e tyre) varen nga tregu evropian dhe elitat përkatëse.

Se çfarë nuk do elita jonë është të hetohet dhe dënohet për krimet që ka shkaktuar dekadat e fundit. Për këtë qëllim po bën ç`është e mundur të pengojë reformën në drejtësi dhe veçanërisht Spak-un. Së treti, argumenti se populli e do integrimin lidhet me dëshirën e tij (dhe bindjen e tij) se Evropa është më e mirë se ne dhe me disa sondazhe që janë zhvilluar herë pas herë dhe nuk lidhet me kuptimin e drejtë të ‘integrimit’ në fjalë—domethënë, lidhur efektet që ka integrimi në fjalë në vendin tonë, për të cilët duhet të fliste dhe pedagogu nëse kërkon të quhet pedagog. Dhe së fundmi, të besosh si pedagog i shkencave politike se Shqipëria duhet të ishte integruar në BE që në `86 me një vizitë gjermane, kur dihet se sistemi ynë ekonomik ishte organizuar mbi baza shkencore ndërsa sistemi ekonomik evropian mbi baza joshkencore…dhe kur sinteza politiko-ekonomike ishte kryekëput ndryshe, dhe ndryshimi në një sintezë tjetër kërkon kohë dhe mund, është vërtet argument fëmijëror dhe nuk meriton as të përmendet. Si ky pedagog, në fakt, që thotë kodra pas bregut, janë mbushur gjithë universitetet në Shqipëri dhe vende të tjerë. Padija e tyre mund të tregohësh nga gazetarët — veçanërisht nga ata që drejtojnë emisione ku ‘debatohen’ tema aktuale. Por as gazetarët nuk studiojnë! Përgjithësisht veprojnë si pedagogët: me shqisa dhe përshtypje (ç`dëgjojnë, ç`shikojnë dhe ç`lexojnë) se sa me mendje dhe bindje (duke studiuar).   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA