...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përgjysmimi i tarifave, kërkesa kryesore e “paktit për universitetin” nuk realizohet nga qeveria

Universitetet publikojnë tarifat e studimit. Në Universitetin e Tiranës fillojnë nga 25 deri në 40 mijë lekë të reja në varësi të degës së studimit. “Pakti për Universitetin” nuk i mundëson ciklit të parë përgjysmim tarife siç premtoi

Shekulli

24/07/2019 - 15:31

Universitetet në vend, kanë publikuar tarifat e studimeve për fakultetet përkatëse të ciklit të parë dhe të dytë për vitin e ri akademik. Referuar edhe ligjit për Arsimin e Lartë, i cili kërkon që studenti të njihet me tarifat tre muaj para nisjes së sezonit akademik, senatet e universiteteve kanë vendosur tashmë se sa do të paguajnë të rinjtë. Bazuar në këto vendime, vihet re se Universiteti i Tiranës nuk ka ndryshuar asnjë tarifë krahasuar më një vit më parë. Pavarësisht protestave të studentëve, dhe “Paktit për Universitetin” i cili garantoi përgjysmimi të tarifave për studentët në ciklin e parë të studimeve, të rinjtë duhet t’i paguajnë ato të plota. Gazeta “Shekulli” ishte ditën e djeshme në disa nga fakultete të Universitetit të Tiranës, për të pyetur se si do të zbatohet “Pakti” dhe se kush do jenë studentët të cilët do të përfitojnë përgjysmim të tarifës, siç ndodhi në sezonin e shkuar. Sekretaritë mësimore në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë si dhe Gjuhëve të Huaja na thanë se tarifat e përgjysmuara kanë qenë vetëm për vitin që lamë pas, ndërkohë për vitin e ri 2019-20120 nuk kanë ende një vendim se si do të procedohet. Ndërkohë, burime konfidenciale pranë rektoratit i thanë “Shekulli”-t se tarifën e përgjysmuar do ta kenë vetëm studentët e me mesatare 8-9 (tetë-nëntë). “Nëse mesatarja do të jetë poshtë notës 8 (tetë), studenti do t’a paguajë atë të plotë”, sqaruan burimet. Referuar premtimit të “Paktit” i cili nënvizon se tarifën e përgjysmuar do ta përfitojnë të gjithë studentët të cilët kanë mesatare mbi notën 6 (gjashtë), burimet sqaruan se do të ketë një vendim të posaçëm. “Asgjë nuk është e sigurt në lidhje me përgjysmimin e tarifave për këtë sezon akademik. Me shumë gjasa, më vonë do të dalë një VKM e posaçme e cila konkretizon dhe sqaron në detaje nëse do të ketë përgjysmim tarife, si do të procedohet dhe kush do ta përfitojë atë. Në këto momente, flasim për tarifa të plota”, bën me dije burimet për “Shekulli”-n.

Tarifat

Në vendimin e Senatit Akademik të Universitet të Tiranës bëhen me dije tarifat vjetore për nivelin “Bachelor” e “Master”, të caktuara nga qeveria. Në këtë universitet tarifat fillojnë nga 25 deri më 40 mijë lekë të reja. Fakultetet të cilat rëndojnë më pak në xhepat e studentëve si çdo vit tjetër janë ato të Shkencave të Edukimit, Shkencat e Natyrës dhe ai i Gjuhëve të Huaja. Kështu për një nga degët e studimit në këto fakultet tarifa do të jetë vetëm 25 mijë lekë të reja. Në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për të gjitha degët e studimit është përcaktuar tarifa prej 30 mijë lekë të reja. Në fakultetin e Ekonomisë të gjitha degët e studimit janë përcaktuar që të kenë një tarifë prej 35 mijë lekë të reja. Ndërsa fakulteti i Drejtësisë dhe ai i Shkencave Sociale ka tarifat më të larta, ku për të gjitha degët e studimit në ciklin parë (Bachelor), studentët do të paguajnë plotë 40 mijë lekë të reja.

Ndryshimet

Me kërkesë të fakulteteve, Senati Akademik ka miratuar ndryshime në tarifat e degëve që ndiqen si programe të dyta studimi, si dhe në nivelin “Master”. Më konkretisht, profilet e Histori-Filologjisë si programe të dyta studimi do të kushtojnë thuajse gjysmë për gjysmë, duke u ulur nga 111.778, në 60.000 lekë. Sa i takon ciklit të dytë, i vetmi që ka bërë ndryshime është Instituti i Studimeve Evropiane, që ka kërkuar të ulë me 30% tarifat për studimet në “Master Shkencor”, qoftë si program të parë studimi apo të dytë. Veç pagesave vjetore, Senati miratoi edhe tarifat e tjera, si atë për regjistrim në ciklin e parë, 1600 lekë, në ciklin e dytë të studimeve 2500 lekë, tarifën e regjistrimit për programe e dyta në shumën 3 mijë lekë dhe po aq edhe për regjistrim për transferim studimesh.

Universiteti i Mjekësisë

Ashtu si Universiteti i Tiranës, edhe në atë të Mjekësisë tarifat e studimit janë të pandryshuara krahasuar më një vit më parë. Tarifat në këtë universitet variojnë nga 35 mijë lekë të reja deri në 102 mijë lekë për masterin shkencor. Ndryshe nga universitet e tjera, studentët duhet të bëjnë pagesat që në fillim të sezonit akademik, duke mos mbajtur vendet bosh, pasi është universiteti i cili ka një interes të lartë nga të rinjtë. Për profilet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, ku përveç Infermierisë së Përgjithshme që kushton 40 mijë lekë në vit, të gjitha profilet e tjera kanë të njëjtën tarifë, 5 mijë lekë më pak. Ngjashëm janë tarifat edhe në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, ku përveç Stomatologjisë, që kap tarifën tavan brenda universitetit, dy profilet e tjera i ofron me 40 mijë lekë. Mjekësia e Përgjithshme, po ashtu kushton më shumë, 45 mijë për vit. Në ciklin e dytë, tarifat variojnë dy deri në trefish më tepër. Për masterin profesional do të paguhet 72 mijë lekë/vit, ndërsa për atë shkencor 102 mijë lekë.

Universiteti i Durrësit

Në universitetin e Durrësit me një vendim të Senatit Akademik të disa ditëve më parë, mësohet se tarifat e studimit do të jenë të njëjta dhe të pandryshuara krahasuar me një vit më parë. “Përcaktimi i tarifave të shkollimit për studentët të cilët regjistrohen për herë të parë në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë pranë universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës në vitin akademik 2019-2020, Senati Akademik vendosi: Përcaktimin e tarifave të shkollimit, për studentët të cilët regjistrohen për herë të parë, në ciklin e parë të studimit me kohë të plotë për vitin akademik 2019-2020, pranë Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, sipas VKM nr. 788 datë 26.10.2018 “Për një ndryshim dhe shtesë në vendimin e nr. 288, datë 21.05.2018 “Për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program, të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”. Ky vendim përcillet për shqyrtim në Bordet e Administrimit. Ngarkohet për zbatimin të këtij vendim, administratori. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

Studimet

4 llojet e tarifave në universitetin e Arteve

Universiteti i Arteve ka përcaktuar katër llojet e tarifave që maturantët dhe kandidatët e tjerë duhet të shlyejnë duke nisur nga faza e konkurrimit, e deri tek regjistrimi në degën e fituar. Konkretisht bëhet fjalë për katër lloje të ndryshme tarifash, që janë: tarifa e konkurrimit për degët e arteve, ajo e regjistrimit që do të shlyejnë vetëm kandidatët që shpallen fitues, tarifa e ndjekjes së studimeve si program i parë, si dhe tarifa për ndjekjen e një programi të dytë. Shlyerja e këtyre tarifave është e detyrueshme si për programet “Bachelor”, ashtu edhe për programet e nivelit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara propozimet konkrete të bëra nga Senati Akademik i Universitetit të Arteve për tarifat e konkurrimit, regjistrimit, si dhe ndjekjes së vitit akademik si degë e parë, apo e dytë në të dyja ciklet e studimit. Për ciklin e dytë të studimit jepet e detajuar edhe tarifa për kredit.

Tarifat për mbetësit

Në një tjetër vendim të kaluar nga Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë janë përcaktuar edhe tarifat e shkollimit që duhet të shlyejnë studentët mbetës dhe përsëritës. Lidhur me këtë kategori studentësh, konfirmohet se për vitin e ri akademik, studentët të cilët nuk kanë përfunduar programin përkatës të studimit, apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program studimi, në kohëzgjatjen normale të tij, e që konsiderohen studentë mbetës, ose përsëritës për lëndët përkatëse, ata do të paguajnë vetëm tarifën vjetore të shkollimit. Ndërsa në rastet kur studenti është mbetës mbi kohëzgjatjen normale të shkollimit ai duhet të shlyejë tarifën për kredit. Kujtojmë që pak ditë më parë autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë kanë zbardhur edhe afatet dhe procedurat e zhvillimit të konkurseve të pranimit për të gjithë maturantët që do të garojnë për degët e arteve. Të drejtën për të konkurruar për degët e arteve gjatë raundit të parë e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që plotësojnë në kohë formularin A2, si dhe kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6.5. Maturantët nuk mund të konkurrojnë për studimet në degët e arteve nëse nuk kanë përzgjedhur në formularin A2, degët që janë pjesë e fakulteteve të këtij Universiteti. Konkurset e pranimit për të gjitha programet do të zhvillohen në datat 20, deri në 23 gusht, sipas kushteve të përcaktuara nga secili fakultet që është pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë. Pikët maksimale për konkurrim në një nga programet e studimeve me kohë të plotë të këtij universiteti do të jenë 200 pikë, të cilat sigurohen nga vlerësimi i mesatares së shkollës së mesme, si dhe pikët e fituara nga kandidati gjatë zhvillimit të konkursit.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA