...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

PKSH: zgjedhjet e Enver Hoxhës (1945) dhe të “demokracisë” përfaqësuese (2019) - krahasime dhe propozime

Zgjedhjet e vitit 1945 të Enver Hoxhës ishin më demokratike se Kodi aktual Zgjedhor ndërsa zhvillohen me dy sandarte nën “bekimin” e ndërkombëtarëve!

Xhemal Shehu

07/06/2019 - 07:13

Ja si zhvilloheshin zgjedhjet më 2 dhjetor 1945: “Diktatori” Enver Hoxha në krye të Partisë dhe në cilësinë e Kryetarit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, në aprovimin e ligjeve mbi Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese:

- Më 2 dhjetor të vitit 1945, të spikasin në mënyrë të përkryer, liritë dhe të drejtat e njeriut si psh:

- Votuan të rinj e të reja që nuk kishin mbushur moshën 18 vjeç, por kishin qenë Pjesmarrës në Luftë.

- Nëse dikush dëshironte të vinte kandidaturën jashtë listës së Frontit (jashtë koalicionit), i mjaftonin vetëm 20 firma mbështetëse, dhe jo sikurse është sot Ligji Zgjedhor, që kërkon 1% të firmave mbështetëse të zgjedhësve, në atë Zonë Zgjedhore (në ato zgjedhje doli vetëm një kandidaturë). Krahasojeni Kodin e Zi Zgjedhor sot me atë të Enverit...

- Femra shqiptare votonte për herë të parë.

- Në vendet e votimit, kishte dy kuti votimi, ku zgjedhësi ishte i detyruar ta fuste dorën në të dy kutitë (në atë kohë kishte dhe 35 - 40 vjeçarë që nuk dinin shkrim e këndim, ndaj votohej me topa të vegjël prej gome ku ishte stampuar shqiponja, simboli i flamurit tonë).

- Ja pra Shqipëria e Enver Hoxhës ishte një hap përpara “botës së qytetëruar”, me liritë e të drejtat e njeriut e me të drejtat e femrave dhe vendit që i takonte në shoqëri.

- Në raste zgjedhjesh, qofshin ato Qendrore apo Vendore, bëheshin me vullnetarë që mbaronin brenda ditës e nuk prekej buxheti i shtetit për pagesat e tyre, (paratë e popullit për shuma marramendëse), pasi nuk kishte Komision Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), Komisione të Qendrave të Votimit (KQV), Komisionerë të Grupeve të Numërimit të Votave (GNV);nuk merreshin ambjente me qera për QV, VNV dhe vendet e trajnimit, personel të përkohshëm, trajnues të këtyre komisionerëve, audituesit e listës së zgjedhësve, bord të monitorimit të mediave, supervizorët e PAK, dhe kontributi i sigurimeve shoqërore për të gjithë këta që përmendëm, audituesit ligjor të pavarur, të atashuar pranë çdo partie politike pjesmarrëse në zgjedhje.

- Vetëm për Zgjedhjet Qendrore, 25 Qershor 2017, Fondet e përdorura në zgjedhet për Kuvendin e Shqipërisë kapën shumën 659.807.273 (lekë të reja), pa llogaritur pagat vjetore të Antarëve të KQZ dhe administratës së tij që janë më vete në buxhetin e shtetit dhe pa llogaritur shpenzimet marramendëse të partive politike të padeklaruara.

- Me këto fonde mendoni një çast sa rrugë mund të shtroheshin. - Ç’do të bëhej me spitalet e rimbursimin 100% të shërbimeve spitalore? - Ç’do të bëhej sot me shkollat, me studentët e problematikat e tyre? - Ç’do të bëhej me pensionistët e pensionet e tyre? - Sa vende të reja pune do të hapeshin? - Lind pyetja nëse do të ishte nevoja e emisioneve televizive si “Njerëz të humbur”, “Shqiptarët për Shqiptarët”, “Shqipëria Tjetër” etj etj...?

- Për të gjitha këto PKSH-ja ka mbajtur këtë qëndrim: "Nëse e kanë seriozisht dekriminalizimin e Parlamentit dhe gjithë jetës politike të vendit, duhet ta fillojnë me Reformën Zgjedhore dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor."

Partia Komuniste e Shqipërisë është shprehur se është për sistemin e pastër proporcional (Proporcional kombëtar dhe jo rajonal). – Përbërja e Parlamentit kemi propozuar të jetë prej 90 - 100 deputetësh. - Jemi kundër elementit “prag”, pasi “betonon” dy apo tre parti të mëdha (bie ndesh me nenin 18-të kushtetutës). Edhe për Zgjedhjet Vendore, jemi për sistemin proporcional. Kryetarin e Bashkisë e vendos pas daljes së rezultateve, (ashtu si Kryeministrin), partia apo koalicioni që ka fituar mazhorancën e nevojshme. PKSH-ja është kundër vendosjes së grupeve të numërimit (ato janë institucione vjedhje dhe të dështuara, rreth 2400 vetë që marrin kot paratë e taksapaguesit shqiptar). PKSH-ja është për numërimin e votave në KQV, (Komision i Qendrës së Votimit), të monitoruara me kamera. (Janë mbi 37.000 komisionerë që nuk mund t`i blesh të gjithë, ndryshe ndodh natën, nëpër vendet e numërimit).

PKSH-ja është kundër mbledhjes së firmave mbështetëse për regjistrimin e kandidatëve, pasi jo vetëm bie ndesh me nenin 18 të Kushtetutës, por 5.000 firma për Zgjedhjet Qendrore dhe rreth 35.000 firma për Zgjedhjet Vendore, të shoqëruara edhe me aq fotokopje karta identiteti të firmosura duan një fushatë më vete, pa llogaritur kohën e madhe. Një përllogaritje sikur të futen në zgjedhje rreth 120 parti joparlamentare dhe jashtë koalicioneve. Në këtë mënyrë i bie që të marrim mbështetës jashtë vendit, pasi duhen rreth 4.200.000 zgjedhës! Mendoni për një çast: 1- Për krijimin e një partie politike dje duheshin 500 firma dhe sot duhen 3000 firma. Besoj nuk ka nevojë për koment, pasi me 36.000 firma mbështetësish krijojmë më lehtë,12 parti politike sesa të rregjistrosh kandidatët për këshilltar, kur duhet tërë ai dekumentacion!

Kodi Zgjedhor aktual ka dhe bekimin e ndërkombëtarëve!

– PKSH-ja është kundër proçedurave burokratike të plotësimit të Dokumentave të Kandidimit për kandidatët për deputet apo për këshilltar. Një përllogaritje e thjeshtë paraprake i bie që 140 kandidatë x 6 faqe Formular Vetdeklarimi, të përpunuara si dhe më pas të skanuara në kompjuter për formatin elektronik = 840 faqe llogariti këto për 130 Parti që marrin pjesë në votime. Ndërsa për 1,595 këshilltarë x 6 faqe =9,570 fletë, llogarit për 130 Parti x 9570 faqe +1595 cv +1595 fotokopje karta identiteti +1595 deklarata kandidati...Ndërkohë që mund të plotësohen vetëm për dy - tre kandidatët e parë për partitë e vogla dhe për pesë apo gjashtë kandidatët e parë për partitë parlamentare. Nëse ndodh ”mrekullia” e marrjes së mandatit mund t’i plotësojnë më pas.

- PKSH-ja është për rishikimin e financimit të partive joparlamentare. Diskretitimi që u bëhet partive joparlamentare, kryesisht PKSH-së, duke përdorur dy standarte për financimin e tyre. Ky diferencim bie ndesh me nenin 18 të kushtetutës. Kujtojmë që vetëm në Fushata Zgjedhore, partive parlamentare u shpërndahen rreth 700 miljonë lekë të taksapaguesve shqiptar. Po kështu çdo vit ata gllabërojnë edhe rreth 200 miljonë lekë nga vetëm 6 partitë politike.

– PKSH-ja është kundër detyrimit të pagesës për ekspertët kontabël nga partitë që nuk marrin financim nga shteti dhe kur nuk kanë aktivitet ekonomik.

– PKSH-ja është kundër ndarjes së mandateve sipas neneve 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor, sepse favorizon Partitë udhëheqse të koalicionit si dhe ato që janë pjestare e koalicionit në kohën që duhet të ndodhë e kundërta...

– PKSH-ja kërkon që edhe partitë joparlamentare të jenë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve dhe propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ia ka dërguar institucioneve përkatëse qysh më 03.11.2015.                

Shënim i redaksisë: ndryshe i praqet shtypi i kohës sonë zgjedhjet e kohës!

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA