Pse plani i Bankës Kombëtare për forcimin e lekut është profan?
SHJ
30/03/2017 - 10:24
Shenim: Mund ta karakterizojmë politikën monetare të Sejkos edhe ‘axhamllëk’, nga turqishtja. Ose veprime fëmijërore: sepse nuk veprohet kështu në kohën kur eksportet tona nuk janë në nivele të larta (të larta do të ishin kur eksportet e oligopoleve do të preknin, jo thjesht jetët dhe kasafortat e ologarkëve ekonomikë, bulimikët e sistemit ekonomik, por edhe shtresat e ulëta të shqoqërisë). Se çfarë mund të shkaktojë kjo politikë monetare, rrjedhimisht, duhet të jetë qartë për cilindo që kupton pak nga ekonomia dhe veçanërisht për studentët e vitit të parë të eknomikut ortodoks: se kur vlerësohet leku, shtrenjtësohen eksportet. Kur shtrenjtësohen eksportet, ulet interesi i të huajve për të blerë eksportet tona. Kur bien eksportet, ulen fitimet e oligopoleve. Kur bien fitimet e oligopoleve, kriza ekonomike thellohet edhe më shumë. Kështuqë, goverantori ynë, kalama, ose s’e ka kuptuar këtë efekt, nga pedagogët e tij, bashkë me bordin e “ekspertëve” të Bankës Kombëtare, të cilët supozohet se miratojnë politikat monetare bashkarisht, ose luan me barutin. Sidoqoftë, një nga dy veprimet që vijojnë do të ndërmarrë Sejkua nëse vazhdon me këtë qasje: ose do ta braktisë vetë ose do ta detyrojnë oligopolet ekonomike për ta braktisur...
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, njoftoi dje se këtë vit, në fokus të aktivitetit të Autoritetit Monetar do të jetë deuroizimi i ekonomisë vendit.
Kjo nismë, sipas tij, synon të fuqizojë më tej monedhën vendase, Lekun, proces ky që do të bëjë më të lehtë përçimin e stimulit monetar në ekonomi dhe do të rrisë stabilitetin financiar në vend, raporton Monitor.
Guvernatori tha pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se plani synon të mbrojë atë pjesë të kredimarrësve në valutë dhe që i kanë të ardhurat në lekë.
Ai tha se për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë do të përdorë dy mjete që janë në funksion të saj: Ponderimi i aktiveve në euro në një normë më të lartë dhe rinumërimi i rezervës së detyrueshme, duke favorizuar monedhën vendase.
Ai tha se përveç këtyre masave, publiku do të ndërgjegjësohet për të përdorur më shumë Lekun nëpërmjet një fushate të posaçme.
Gjithashtu në këtë mision, Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë edhe me institucione të tjera si Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Guvernatori Sejko komentoi edhe zhvillimet në situatën politike në vend, duke lajmëruar një ndikim negativ në ekonomi nëse kriza zgjat.
“Modelet tona të politikës monetare marrin në konsideratë zhvillimet elektorale. Natyrisht janë marrë parasysh edhe zhvillimet elektorale. Praktikisht modeli ka një korrektim, por ne shpresojmë që proceset të zhvillohen në afate”, tha Guvernatori.
Banka e Shqipërisë vlerëson të rëndësishme që reformat duhet të vijojnë dhe të mos ndikohen nga zhvillimet politike, shtoi ai.
“Në rast se kriza politike do të jetë e tejzgjatur, pasoja negative do të ketë. Kjo ndikon në rritjen e pasigurive dhe kjo ishte e pritshme”, – tha Sejko.
Banka e Shqipërisë po monitoron situatën dhe në vijimësi do të kemi të dhëna të azhurnuara ku do të përfshihen edhe efektet e situatës politike në ekonomi.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 30 reads



