Pse taktikat e Ramës çojnë ujë në mullirin e opozitës?
SHJ
12/03/2017 - 15:29
Duhet thënë që në fillim se opozita shfrytëzoi për opozitë pikërisht disa gabime trashanike të Ramës. Së pari, ajo shfrytëzoi rekrutimin e disa individëve të kriminalizuar në administratën Rama. Së dyti, ajo shfrytëzoi gabimet e disa ministrave. Duhet thënë se Basha nuk do të kishte dalë në protestë nëse Rama nuk do të kishte rekrutuar individë të kriminalizuar në administratë dhe kuvend dhe do të kishte ndryshuar ministrat në kohën e duhur. Pavarësisht se e justifikoi se dorëheqjet nuk ishin për shkak të PD-së, lëvizja e Ramës çon ujë në mullin e kësaj të fundit: sepse ajo do ta përdorë këtë ‘taktikë’ si fitoren e saj. Dhe që të jemi të drejtë, lëvizjet e Ramës janë pasojë e protestës së opozitës dhe jo sepse “mbytet” nga takimet me popullin.
Një gabim tjetër taktik i Ramës është paraqitja e Tahirit si “kampion”. Të tjerë ‘analistë’ e paraqesin si më të suksesshmin e qeverisë “rama” dhe ndoshta, për të njëjtën arsye, ai është më i përfoluri (p.sh, Bedri Islami: Dita)! Këta shoqërojnë propagandën e Ramës. Por sa të drejtë kanë këta “analistë”?
Le të shqyrtojmë betejën e tij kryesore: ai shpalli luftë —në kuvend kur ishte në opozitë— kundër drogës. Dhe kur erdhi në pushtet – përveshi mëngët për ta shkatërruar atë. Rezultati, ishte dhe është, se ai shkatërroi monopolin e ashashit, kultivuesit e Lazaratit, por krijoi, në proces, oligopolet. Domethënë, e ktheu vendin nga një qendër kryesore të mbrojtur dhe të brujtur nga qeveria “berisha”, në disa qendra, të mbrojtura dhe të brujtura nga qeveria “rama”. Paralel me këto oligopole ai luftoi kultivuesit e drogës. Hamendësisht, për të treguar se ai e luftonte drogën. Por edhe për të mbrojtur oligopolet e krijuar paralel me këtë përpjekje.
Kujtojmë se drogën Tahiri e luftonte duke treguar gishtin kundër qeverisë “berisha” jo duke shpalosur ndonjë rrugëzgjidhje të mundshme. Kështu ai mashtroi veten dhe popullin. Në të vërtetë, populli do të vazhdojë të mashtrohet përsa kohë që opozitat e qeverive përdorin propagandë faktesh. Domethënë, duke treguar faktet kriminale të qeverisë në pushtet. Efekti që ka kjo propagandë, është se të gjithë tregojnë kriminelin dhe nuk shqetësohen as me shkaqet e as me rrugëzgjidhjet e mundshme.
Tahiri, në të vërtetë, nuk trashëgoi vetëm oligopolet e ashashit, por edhe policinë vullnetare, ose spiunët e popullit, të paguar nga qeveria, për të luftuar krimin...edhe bigbradherizimin e vendit. Ai trashëgoi, gjithashtu, kulturën administrative, se rendin social-ekonomik e ruan vetëm policia dhe jo edukimi dhe barazia...
Nëse e krahasojmë me pararendësin e tij, Mulin, ai e luftoi ndërsa e mbronte. Ndërsa Muli vetëm e mbronte. Nga këndvështrimi ekonomik, Tahiri ushqeu më shumë të varfër. Ndërsa Muli shumë më pak. Tahiri i shpërndau fitimet. Muli i përqendroi në më pak duar. Nga këndvështrimi kriminal, domethënë, se droga dëmton përdoruesit dhe kultivuesit, ata janë thuajse të njëjtë. Dhe në fund, Tahiri ishte në shënjestër të opozitës pikërisht sepse shkatërroi burimin kryesor financiar të PD-së: pjesën që merrte nga droga e Lazaratit.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 54 reads



