...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pushteti politik dhe fetar në Serbi s`heq dorë nga Kosova

Edhe pse realisht populli serb është populli më antifetar (serbët në çdo fjali e shajnë Zotin), megjithatë kisha është autoriteti suprem dhe faktor me rëndësi në shoqërinë serbe (ata kishën nuk e shajnë, nuk protestojnë kundër saj edhe pse breda saj ka keqpërdorime të shumta dhe pedofili, por i mbajnë të fshehta).

Adil Fetahu

14/05/2019 - 15:33

Pjesëmarrja e kryetarit të shtetit në “Saborin” e Kishës

Kisha Ortodokse Serbe është duke mbajtur mbledhjen vjetore e quajtur “Sabor” (koncil). Sabori do të zgjasë një javë ndërsa në mbledhjen plenare që u mbajt dje në Pallatin e Patrikanës në Beograd, ishte ftuar dhe mori pjesë kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Bashkë me Vuçiçin ishin edhe Milorad Dodik, lider i serbëve të Bosnjës, dhe Nikolla Sellakoviç, sekretari kabinetit të kryetarit Vuçiç. Në “Sabor” merrnin pjesë 46 peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe nga e gjithë bota. “Sabori” a në rend dite shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve të shumta nga fushëveprimi i kishës por edhe i politikës së shtetit të Serbisë. Përndryshe, përse do të thirrej të merrte pjesë kryetari i shtetit!

Në një shtet shekular, siç është caktuar me kushtetutë, nuk është e zakonshme që kryetari i shtetit të marrë pjesë në mbledhjet e forumeve të kishës, të dëgjojë dhe respektojë qëndrimet dhe vendimet e kishës lidhur me çështjet e politikës dhe të shtetit.  Por Serbia gjithnjë e më tepër po rrëshqet drejt klerikalizimit të shtetit përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit kisha-shteti dhe anasjelltas. Opozita e ka kritikuar pjesëmarrjen e kryetarit të shtetit në “Saborin” e kishës si një vardisje e kryetarit dhe klerikalizim të shtetit, si një “kalifat ortodoks”.

Për çka biseduan në “Sabor”?

Sipas raportimit nga konferenca e përbashkët për media që dhanë kryetari Vuçiç dhe patriarku Irinej, në bisedën që zhvilluan prej dy orë e gjysëm, trajtuan tema të ndryshme me rëndësi, të cilat kanë të bëjnë me problemet e popullit e të shtetit të Serbisë, e më së tepërmi me çështjen e Kosovës. Sipas Vuçiçit në takimin e tij  me arkierejtë  “u bisedua për Kosovën e Metohinë, për periudhën e rëndë që gjendet para nesh, për pozitën e serbëve në ‘Republika srpska’ (në BH), për pozitën e Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, për marrëdhëniet midis kishës dhe shtetit, për demografinë dhe popullsinë që po zvogëlohet (çdo ditë nga 104 njerëz më pak), për unifikimin e programeve dhe të teksteve shkollore në gjithë hapësirën serbe. Unë u fola   haptas e sinqerisht dhe dëgjova mendimin dhe qëndrimin e Kishës për të gjitha problemet me të cilat përballemi”, ka thënë Vuçiçi.

Ndërkaq, patriarku Irinej, në deklaratën për media theksoi: “Kemi biseduar dy orë e gjysëm për problemet me të cilat ballafaqohet populli dhe shteti, më së tepërmi biseduam për Kosovën e Metohinë. Kemi konstatuar se gjendja në KeM është shumë e rëndë dhe jashtëazakonisht e paparashikueshme se si do të zgjidhet por do të luftojmë, nuk do të ndalemi për ta mbajtur Kosovën, e sa do të kemi sukses, shpresojmë në Zotin, në historinë dhe në miqtë tanë. Se sa do t’ia arrijmë, kjo varet nga gjendja dhe rrethanat në botë, nga ata që na përkrahin dhe nga ata që përkrahin anën tjetër. Kryetari ynë po lufton trimërisht dhe nuk dyshojmë në qëllimet e tij të mira. I lutem Zotit t’i japë forcë e mençuri në kryerjen e rolit të kryetarit të shtetit në mënyrën më të mirë dhe më të dobishme. Është me rëndësi që kemi mirëkuptim dhe se kryetari ynë po lufton trimërisht për Serbinë dhe për KeM dhe për gjithë atë që lidhet me emrin serb.  Mahnitem me energjië e tij, ndërsa bisedimet që ai po zhvillon janë shumë të rënda. Ky nuk është qëndrim vetëm imi, por i tërë “Saborit”, qëndrim i Kishës Ortodokse Serbe”,- deklaroi patriarku Irinej në konferencën për media, bashkë me kreyetarin Aleksandar Vuçiç dhe me atë “gllavonjën” e serbëve të Bosnjës, Dodikun.

Sekularizmi dhe simbioza kisha-shteti dhe anasjelltas

Sipas Kushtetutës së Republikës së Serbisë (neni 11), “Serbia është shtet sekular. Kisha dhe bashkësitë fetare janë të ndara nga shteti. Asnjë fe nuk mund të vihet si shtetërore apo e detyrueshme”. Mirëpo në praktikë Kisha Ortodokse Serbe dhe Shteti i Serbisë praktikisht janë një në udhëheqjen e politikës së brendshme dhe të jashtme, me të gjitha mospajtimet që mund t’iu dalin dhe sekularizmi i proklamuar me kushtetutë e ka humbur kuptimin. Feja ortodokse dhe KOS kanë marrë rolin e shpëtimtarit të çështjes dhe të popullit serb kudo që ata jetojnë. Ajo është e privilegjuar dhe e ndihmuar nga shteti, me kthimin e pronave,  me donacione të shumta për detyrimet e krijuara dhe për ndërtimin e objekteve të shumta kishtare. Edhe pse realisht populli serb është populli më antifetar (serbët në çdo fjali e shajnë Zotin), megjithatë kisha është autoriteti suprem dhe faktor me rëndësi në shoqërinë serbe (ata kishën nuk e shajnë, nuk protestojnë kundër saj edhe pse breda saj ka keqpërdorime të shumta dhe pedofili, por i mbajnë të fshehta).

Pas luftërave që ka zhvilluar (dhe i ka humbur) Serbia, në qytetin e Novi Sadit është dyfishuar numri i serbëve të ardhur nga Kroacia dhe Bosnja, duke ndërruar rrënjësisht strukturën etnike të demografisë së kryeqytetit dhe të Krahinës së Vojvodinës. Ndërkohë në rrethinat e qytetit të Novi Sadit janë ndërtuar 18 kisha, të stilit dhe dimensioneve të ndryshme, ku dominon stili bizantin. Ndërtimin e tyre e ka ndihmuar edhe shteti nga mjetet e buxhetit. Në këtë kontekst, vërehet një triumf i primitivizmit kishtar e shoqëror. Kisha Ortodokse Serbe u kthye triumfalisht në skenën politike pas ardhjes së Millosheviçit në krye të shtetit, sepse kisha i duhej atij për t’i dhënë zjarr etnonacionalizmit serb, për të përgatitur popullin për luftërat pushtuese, ndërsa Kishës i duhej përkrahja e shtetit për të fituar privilegjet dhe statusin e faktorit të rëndësishëm në shoqëri. Edhe pushtetet e pasluftës, vazhduan me vardisjet ndaj Kishës, në të gjitha fushat, madje edhe në ushtri (kryqëzimi i ushtarëve; caktimi i një peshkopi për bashkëpunim me ushtrinë, pjesëmarrja e kryetarit të shtetit dhe e ministrit të mbrojtjes në solemnitetet kishtar, etj.). Janë formuar organizata ultranacinaliste kishtare: “Obraz”, “Sveti Justin flozof”, “Otaçestveni pokret”, etj., të cilat (më 2004)  kanë hartuar program të posaçëm nacional për rininë serbe të shekullit 21 (“Naçertanije nacionalnog programa omladine srpske za 21.vek”). Në vitin 2002 është futur mësimi i lëndëve fetare në shkollat e shtetit, si lëndë zgjedhore, ndërsa në vitin 2004, Fakulteti i Bogosllovisë është kthyer në kuadër të Universitetit të Beogradit që financohet nga sheti, pas 52 vjetëve që komunizmi jugosllav e kishte distancuar fenë nga shteti.

Krahas problemeve tjera që kanë edhe Kisha edhe Shteti janë  të preokupuara më së tepërmi me çështjen e Kosovës, prandaj kryetarit të shtetit i duhet përkrahja e kishës për vendimet e shtetit. Se sa do ta ketë bindur Vuçiçi patriarkun dhe mjekërroshat e tjerë të KOS për vendimet e tij të dhembshme e të rënda që duhet të marrë, apo u është bindur qëndrimeve të kishës – mbetet të shihet. Të dyja palët deklaruan se kanë arritur në qëndrime të përbashkëta, ndërsa Vuçiçi deklaroi se ua ka thënë të vërtetën dhe realitetin. Nëse është ashtu, atëherë kisha do ta ketë zbutur qëndrimin e vet ndërsa retorikën luftënxitëse do ta praktikojë edhe më tutje.

Nga pozita e Vuçiçit, që shihet në foton nga takimi në “Sabor”, krijohet përshtypja se ky po e kryeson “Saborin”, ndërsa patriarku Irinej po i raporton dhe përgjërohet! Gjithsesi Vuçiçi duhet të ketë fituar përkrahjen e Kishës, dhe ajo i nevojitet si buka e përditshme, sado që opozita e kritikon, se përse kryetari i shtetit i vardiset patriarkut.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA