...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qeveria ‘Rama3’ përgatitet të ngrejë Korporatën e Investimeve për shitjen e pronës shtetërore tek oligarkët

Si qeveria po i kamuflon ofertat e pakërkuara për klientët e vet me krijimin e një institucioni të ri. Korporata e Investimeve merr pronat shtetërore për t’i ndarë te oligarkët. Në administrim edhe përfaqësues nga biznesi

Shekulli

28/01/2019 - 11:53

Dy projektligje të përgatitura nga qeveria, të cilat në plan të parë duket sikur përmirësojnë imazhin e saj dhe të vendit, pritet të miratohen gjatë këtij viti. I pari, lidhet me ndryshimet që do të bëhen në ligjin e koncesioneve/PPP-ve, ku argumenti kryesor është ndalimi i ofertave të pakërkuara, të cilat i hapin rrugë transparencës dhe garës. I dyti është projektligji për “Korporatën e Investimeve Shqiptare”, një institucion i ri financiar ky, e cili do të marrë në pronësi për të menaxhuar dhe për të përdorur për investime, të gjitha pronat shtetërore të vendit. Por, ku qëndron lidhja mes dy projektligjeve që ka hartuar qeveria. Në mënyrë të thjeshtë, deri në korrik të 2019-ës investitorët apo oligarkët (emri që kanë marrë biznesmenët e paprekshëm në vend) kanë kohë për të bërë oferta të pakërkuara. Ndërsa, Korporata e Investimeve, e cila duket si një organ i pavarur jo vetëm që do të mirëpresë këto oferta, por me tagrin që merr  mund t’u ofrojë atyre gjithçka në pronat e bregdetit dhe kudo ku ka hapësira për të ngritur aktivitete fitimprurëse.

Pronat

Objekti i veprimtarisë së Korporatës, siç citohet në relacionin shpjegues të projektligjit, është përmirësimi i menaxhimit të pronës publike, krijimi i pronave të reja, vënia në përdorim me eficiencë të pronave, përgatitja dhe zbatimi i projekteve të investimit, dhe mobilizimi i kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Pra, projektligji parashikon kalimin e pronës publike tek privatët për investime të ndryshme, por ajo që bie në sy dhe është shqetësuese, kalimi i pronave nuk kalon përmes procedurës së Prokurimit Publik. Neni 12 i projektligjit citon se “Korporata përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik. Procedurat dhe rregullat e prokurimit të veçantë sipas kësaj pike, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me praktikat më të mira të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit.” Në të njëjtën kohë korporata parashikohet të jetë në “pronësi” të qeverisë, e cila vendos se kujt do t’ia kalojë aksh pronë. Neni 13 i projektligjit përcakton organet drejtuese të Korporatës;

1. Asambleja e Përgjithshme; 2. Këshilli Mbikëqyrës; 3. Drejtori Ekzekutiv; dhe 4. Bordi Këshillimor.

Neni 15 parashikon që Këshilli Mbikëqyrës të përbëhet nga pesë anëtarë; një anëtar është përfaqësues i institucioneve qendrore dhe katër janë përfaqësues nga biznesi dhe fusha akademike. Mandej projektligji parashikon lejimin e Korporatës të marrë kredi nga çdo lloj institucioni financiar, pa pasur nevojë për miratim nga askush. Si garanci për kreditë që do të merren, Korporata, mund të lërë pronat që ka në zotërim dhe menaxhim. Nëse ajo humbet aftësinë paguese për huat e marra, rrezikon të humbë garancinë që në këtë rast është prona publike. Pra, nga shfuqizimi i ofertës së pakërkuar për rrugët, qeveria vendos me ligj të kërkojë vetë biznese që t’u japë pronat publike.

Eksperimenti

Zef Preçi, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike e shikon krijimin e kësaj Korporate në kundërshtim me ligjin dhe që bie ndesh me Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit. “Nga pikëpamja kushtetuese është Parlamenti përgjegjës për administrimin e pronave publike dhe Qeveria e mandatuar prej tij. Qeveria nuk është pronare, por udhëzuese e përkohshme e menaxhimit të këtyre pronave. Por pronar është sovrani, Kuvendi. Çfarëdo delegimi “en-block” është i pambështetur në ligj sepse zhvesh ekzekutivin nga funksioni dhe kompetencat për të cilin është mandatuar”, shpjegon eksperti Preçi. “Është shumë e diskutueshme përmbajtja, sa u takon të drejtave që i ofrohen kësaj agjencie dhe statusit të paqartë mbi mbulimin e kompetencave me institucionet e tjera që menaxhojnë asetet publike dhe fondet publike në tërësi; krijimit të një avantazhi konkurrues të padrejtë sa i takon projekteve dhe nga ana tjetër tërheqjes apo ushtrimit të kompetencave që në thelb janë decentralizuar, që lidhen me pushtetin vendor, etj. Pra, në thelb e shoh si një eksperiment të paqartë dhe jam skeptik mbi dobinë që ekonomia shqiptare do të ketë nga krijimi i kësaj agjencie”, shprehet Preçi.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA