Serbia shpall doktrinën e re ushtarake: shtete armike Kosova, Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina
Sipas strategjisë, forca ushtarake e Serbisë duhet të jetë më e madhe se të gjitha forcat e armatosura të vendeve potencialisht armike të rajonit së bashku
Adil Fetahu
30/11/2021 - 06:34
Tabloidi ekstrem, i afërt me regjimin e Serbisë, “Informer”, publikoi ditët e fundit lajmin se udhëheqja e shtetit të Serbisë, me në krye Aleksandër Vuçiçin, ka miratuar dokumentin “e fshehtë” strategjik mbi zhvillimin afatgjatë të forcës së Ushtrisë së Serbisë. Këtë dokument e vlerësojnë si dokumenti i parë në dy dekadat e fundit, me të cilin përcaktohen kahet e zhvillimit të sistemit të mbrojtjes së Serbisë.
Sipas strategjisë, forca ushtarake e Serbisë duhet të jetë më e madhe se të gjitha forcat e armatosura të vendeve potencialisht armike të rajonit së bashku. Tashpërtash jemi në nivelin 65-70 të fuqisë së forcave të armatosura të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Shqipërisë dhe “shtetit të rrejshëm të Kosovës”, thotë analiza e tyre.
Por kjo nuk është e mjaftueshme, prandaj synojmë të arrijmë së paku 110% të fuqisë së përbashkët ushtarake të katër vendeve të përmendura, theksojnë autorët e strategjisë diabolike serbe. Vetëm nëse ushtria serbe është në gjendje të ndalë sulmin dhe të neutralizojë në mënyrë efikase kërcënimet e të gjitha vendeve potencialisht armike të rajonit, mund të kemi garanci afatgjatë të paqes dhe stabilitetit. Vetëm nëse këto vende e dinë se përplasja ushtarake me Serbinë do t’iu shkaktojë humbje proporcionalisht më të mëdha, Serbia mund ta planifikojë zhvillimin e vet shtetëror dhe shoqëror afatgjatë.
Retorikë luftarake apo propagandë për konsum të brendshëm?
Shpallja dhe miratimi i strategjisë për rritjen e forcës ushtarake të Serbisë mbi 110% të forcës së katër vendeve të rajonit, të cilësuara e klasifikuara si shtete armike, erdhi vetëm një ditë pas takimit të Vuçiçit me Putinin në Soçi, afër Moskës, edhe pse flitej se Vuçiçi shkon në Moskë për të siguruar gazin, natyrisht që gazi rus është armë në dorën ruse për çdo bisedim me shtetet e tjera, edhe me Serbinë: sepse në marrëdhëniet midis shteteve vetëm interesi është i përhershëm. Prandaj, Putini do ta ketë gozhduar Vuçiçin dhe kushtëzuar me realizimin e interesave ruse për destabilizimin e vendeve të Ballkanit, e me këtë të destabilizojë edhe Europën dhe NATO-n.
Nuk është e vërtetë se kjo strategji është një dokument i ri, por mund të jetë një plan i ri për realizimin e strategjisë se vjetër serbo-ruse në rajon: sepse Strategjinë dhe Konceptin strategjik të sistemit të mbrojtjes, e ka miratuar Kuvendi i Serbisë më 27 dhjetor 2019. Në frymën e asaj strategjie, Serbia ka bërë investime të mëdha në blerjen e armatimit dhe në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake me Rusinë, sado që në atë Strategji e kishte proklamuar neutralitetin ushtarak. Kreu i shtetit as nuk ka autorizim ligjor për të miratuar strategji të re, sepse atë autorizim e ka Kuvendi i Serbisë. Kreu i shtetit mund t’i bëjë propozim Kuvendit për straregji të re, ose përditësim të strategjisë ekzistuese.
Është e çuditshme që një dokument sekret, siç është strategjia e forcimit ushtarak dhe e shpalljes së shteteve armike, të bëhet publik për opinionin e gjërë, të brendshëm dhe të jashtëm. Por ky publikim ka edhe qëllim të propagandës së Vuçiçit, para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Serbi, në prill të vitit të ardhshëm, kurse Vuçiçi luan me ndjenjat patriotike të popullit serb. Kjo ka efekt edhe për tërheqjen e vëmendjes së qytetarëve nga problemet e përditshme dhe aferat që shpërthejnë dita-ditës në Serbi.
Cilado qoftë e vërteta e shpalljes së kësaj strategjie, vet cilësimi dhe klasifikimi i shteteve të rajonit si shtete armike, është një ogur i zi, në kontelacionin e zhvillimeve aktuale. Nga ana tjetër, në Strategjinë e përmendur, të vitit 2019, theksohet mbrojtja e tërësisë territoriale, integritetit dhe sovranitetit të Serbisë, që sipas tyre nënkupton Kosovën brenda Serbisë, ashtu siç e kanë në Kushtetutën aktuale dhe në të gjitha dokumentet zyrtare.
Gjithësesi, ndaj strategjisë së tillë dhe shpalljes së Kosovës, Shqipërisë, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, shtete armike, duhet të reagojë në mënyrë të përshtatshme Bashkimi Evropian dhe NATO, por paraprakisht duhet të reagojnë vet diplomacitë e shteteve të përmendura.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 224 reads