...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Serbia vazhdon me marrëzi: demonstron me paradë ushtarake dhe ‘kërcënon’…shqiptarët

Serbia refuzon platformën e Prishtinës për dialog ndërsa gatitet të tregojë fuqinë ushtarake

Adil Fetahu

22/03/2019 - 13:30

Pas një kampanje dhe turneve të kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç,  nëpër qendra të ndryshme të shtetit të tij, në të cilat volli vrer kundër Kosovës, duke kërkuar përkrahjen e popullit për masat që duhet të ndërmerrën për të dalë nga kriza e raportit Serbi – Kosovë, dhe pas takimit me Sinodin e Shenjtë dhe patriarkun e Kishës Serbe,- kreu i shtetit paralajmëroi se më 24 mars 2019, në 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, në qytetin e Nishit do të mbahet parakalimi i forcave ushtarake dhe policore të Serbisë, i cili do të jetë demonstrimi më i madh i forcave në historinë e Serbisë.

Atë ditë do të fluturojnë 10 aeroplanët bombardues “Mig 29”, të cilët i ka blerë nga Rusia, do të lëvizin numri më i madh i tankeve dhe automjeteve të blinduara dhe mjete tjera, dhe do të dalin nga kazermat numri më i madh i ushtarëve. Është zakon që parakalimet e forcave të një vendi mbahen me rastin e ndonjë feste për ndonjë fitore të madhe në historinë e shetit përkatës. As fillimi as fundi i bombardimit (78-ditor) të NATO-s mbi forcat serbe, nuk është fitore, por  është dështimi më i madh në historinë e Serbisë, pas atyre të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Prandaj ky parakalim nuk ka arsye të logjikshme të mbahet. Por se sa ky është një frikësim apo mësymje ndaj Kosovës, pas fushatës së Vuçiçit nëpër qytetet e Serbisë, në të cilën haptas ka kërcënuar Kosovën, mbetet të shihet. Nuk mund të besohet në ndonjë avanturë të rrezikshme, duke ditur mentalitetin “Tariguz” serb, po nuk duhet as edhe të përjashtohet rreziku. Aq më tepër që vendi për “parakalim” është zgjedhur qyteti i Nishit, që është 289 km rrugë tokësore ose 93 km rrugë ajorore larg Prishtinës, ku dhe është “Qendra Humanitare Ruse”.

Pas miratimit të Platformës së Kuvendit të Kosovës, për bisedimet me Serbinë, Vuçiçi është çartur i tëri, ka humbur toruan dhe po përdor retorikën më të ashpër deri më tash. Sa platforma shumë më të ashpra i ka miratuar deri më tash Kuvendi i Serbisë dhe  askush nga Kosova nuk ua ka vënë veshin. Ndërkaq, Platformën e Kosovës, Vuçiçi po e quan ultimatum, kur dihet se pas ultimatumit pasojnë masa të rrepta, por këtë herë ato paralajmërohen nga ana tjetër. Vuçiçi e alarmoi botën për Platformën e Kosovës, u zhgënjye pse faktori ndërkombëtar nuk i dha rëndësi Platformës dhe kërkon që Kosova ta pezullojë taksën në mallrat e Serbisë. Vuçiçi mbajti urgjent mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare për të marrë qëndrim se si të reagohet ndaj Platformës. Sot (10 mars 2019), në mëngjes, Vuçiçi bashkë me kryetaren e Qeverisë, Ana Bërnabiç, me shefin e diplomacisë, Ivica Daçiç, dhe me sekretarin e Kryesisë, Nikolla Selakoviç, mbajtën takim në selinë e Kishës Ortodokse Serbe, me anëtarët e Sinodit të Shejtë dhe me patriarkun Irinej. Në atë takim kryetari ia shtroi Kishës problemet që i kanë dalë me Kosovën dhe Platformën dhe kërkoi mendimin dhe përkrahjen e Kishës për masat që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e Kosovës. Pas takimit, patriarku Irinej, në deklaratën për media tha se “kishim pajtim mendimesh e qëndrimesh për problemin dhe si të reagohet”. Dolën me përfundimin se kur janë bashkë kisha dhe sheti, është bashkë populli dhe fitorja është e sigurtë!

Qëndrimi i kishës serbe dhe i kreut të saj ndaj Kosovës është i njohur dhe i pandryshuar, prandaj mund ta marrim me mend se Vuçiçi duhet të jetë pajtuar me atë qëndrim, pasi kisha nuk e ka përgjegjësinë për pasojat që mund të dalin nga masat që ajo propozon të ndërmarrë shteti për “ruajtjen e Kosovës e Metohisë brenda shtetit të Serbisë”. Vuçiçi e falënderoi patriarkun dhe Sinodin e Shejtë që patën vullnetin të dëgjojnë paraqitjen e krizës, problemeve të krijuara dhe aksioneve lidhur me nxitjet dhe provokimet që po bënë pala kosovare, duke filluar nga moszbatimi i Marrëveshjes së Brukseslit (për formimin e bashkësisë së komunave serbe, v.j.), taksës mbi mallrat serbe, dhe së fundi me Platformën që ka për qëllim ndërprerjen e dialogut me Beogradin! Jam i zhgënjyer, tha Vuçiçi, “ngaqë i kam njoftuar përfaqësuesit e bashksisë ndërkombëtare për platformën, por ata nuk ndërmorën asgjë për ta parandaluar, ndësa platforma shënon fundin e çdo mundësie për dialog e kompromis”.

E, kur vjen fundi i dialogut për probleme të caktuara, masat e tjera zakonisht janë më drastike dhe me rrezik. Parakalimi  i fuqisë ushtarake i paralajmëruar për 24 mars, është ogur i zi në raportet gjithnjë të tensionuara mes Kosovës e Serbisë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA