“Shqipëriajonë.org” uron një vit plotë me objektiva, beteja dhe fitore shoqërore
Për objektivat, betejat dhe fitoret shoqërore!
SHJ
31/12/2017 - 10:30
Qendra jonë mediatike filloi punën e saj vitin e kaluar: në dhjetor 2016. Një vit pas krijimit të saj, vendi ynë nuk ka ndryshuar për më mirë. Shpresojmë, sidoqoftë, të kemi ‘ndryshuar’ mendësinë e lexuesve tanë, të cilët, me rradhë, mund të ‘ndryshojnë’ shoqërinë në të cilën jetojmë.
Në dijeni të plotë se ‘ndryshimi’ në mendje kërkon kohë – kemi kurajën dhe durimin që betejën tonë —për të ‘ndryshuar’ mendësinë e shoqërisë dhe praktikën vendim-marrëse dhe sjelljen e saj— ta vazhdojmë. Vitin tjetër shpresojmë se do të qarkullojmë krahas studimeve tona për krizën shumë-dimensionale që ka përfshirë botën dhe vendin tonë, një projekt të madh për disa nga sëmundjet kryesore që po shfarrosin popujt dhe jetën e planetit. Bashkë me këtë projekt dhe qëllimin tonë si qendër mediatike, shpresojmë që viti tjetër të na gjejë me një studio radiotelevizive dhe me bashkëpunëtorë të organizuar. Qëllimi ynë është të shkojmë në syrin dhe veshin e popullit – meqë shumica nuk lexon por kryesisht shikon dhe ndonjë herë dëgjon.
Falenderojmë kontrubuesit me shkrime dhe të gjithë ata që kanë kontribuar me leximin dhe shpërndarjen e punëve tona studimore. Nuk falenderojmë, sigurisht, të gjithë ata që na lexojnë dhe leximet i mbajnë për vete dhe as i ndajnë dhe as i shqyrtojnë me shokë e miq. As falenderojmë plagjiaturistët që mësojnë këtej, ndryshojnë mënyrën shkrimore dhe paraqiten si libertarianë dhe shkencorë.
Falenderojmë, në fund, të gjithë ata që kanë objektiva shoqërore, siç është lufta kundër padrejtësive, në të gjitha fushat social-ekologjike, zhvillojnë beteja dhe përpiqen për një botë më të drejtë dhe më njerëzore pavarësisht rezultateve. Një vit i vështirë na pret dhe objektivat tona duhet të bëhen pjesë e sa më shumë njerëzve me qëllim që të fillojmë dhe të kthejmë procesin e gjatë rrënues të jetës që na rrethon dhe pse jo, ta përmbysim në dobi të saj.
Për objektivat, betejat dhe fitoret shoqërore!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 25 reads



