Shtyhet deri më 6 prill vendimi për Ramush Haradinajn
VOA
02/03/2017 - 10:16
Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që, siç thuhet, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012 në një rigjykim të pjesshëm që ishte rasti i vetëm në historinë e Gjykatës për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë.
Pas paraqitjes së sotme në gjykatë, zoti Haradinaj tha se gjykata ka kërkuar informacione shtesë nga Serbia. Ai tha se e konsideron veten "peng politik" dhe procesi është një "abuzim me ligjin dhe drejtësinë".
Avokatët thonë që nëse gjykata hedh poshtë kërkesën serbe, zoti Haradinaj do të jetë i lirë dhe Serbia nuk ka mundësi apelimi, ndërsa në një rast të kundërt, vendimin përfundimtar për ekstradim apo jo do ta merrte qeveria franceze, përkatësisht ministri francez i drejtësisë.
Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë.
Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.
Ndalimi i zotit Haradinaj nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij.
Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të të Beogradit.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 17 reads



