...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shumica e mjekëve shqiptarë duan të largohen nga vendi

Në Tiranë, shoqata “Together for Life” bëri të ditur se një numër i madh mjekësh pohuan gjatë një studimi se janë gati të largohen nga Shqipëria për shkak të kushteve të vështira në punë. Studimi tregon se mjekët ndjehen të nënvlerësuar dhe të mbingarkuar në punën e tyre.

Voa

01/11/2018 - 07:46

Shoqata “Together for Life” publikoi sot një studim mbi largimin e mjekëve nga Shqipëria, sipas të cilës, afro 80 e mjekëve të anketuar janë gati të ikin nga atdheu.

Studimi i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert, zbuloi se 24% e mjekëve janë gati për t'u larguar menjëherë, ndërsa 54% do të largoheshin, po t'u jepej mundësia.

Mjekët e qendrave universitare, sipas anketimit, janë më shumë të prirur për t’u larguar nga vendi, e më pak ata në spitalet rajonale. Afro 40 për qind e mjekëve me grada shkencore e quajnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria.

Pjesa më e madhe e doktorëve në spitalet universitare pohojnë se kanë mangësi të ndjeshme në punë, se ndihen të nënvlerësuar, të mbingarkuar me punë dhe nën stres.

Shqipëria ka mesatarisht vetëm një mjek për 1 mijë banorë, ndërsa vështirësitë më të mëdha për të marrë mjekime i kanë zonat e largëta në terrene të thyera gjeografike.

Doktorët pohojnë në në një masë të madhe në anketa se janë të pasigurtë në vendin e punës, dhe se kritikohen më shumë se ç’duhet.

Mjekët pohojnë se ata vetë e kanë humbur besimin në sistemin shëndetësor ndaj duan të ikin nga Shqipëria për arsye profesionale dhe ekonomike.

Ata vlerësojnë se problemet më të mëdha në sistemin shëndetësor shqiptar janë burokracitë në menaxhim, pasiguria financiare dhe mosfinancimi për të rritur cilësinë e shërbimeve.

Ndaj mungesa e mjekëve specialistëve vitet e fundit ka prekur si spitalet rajonale ashtu dhe qendrat universitare.

Pjesa dërrmuese e doktorëve e renditin tek grupi më i keqpaguar në sistemin shëndetësor, ndërsa theksojnë se e ardhmja në Shqipëri nuk është e sigurtë.   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA