Strategjia e “Uashingtonit” për ndryshimin e kufijëve në Ballkan dhe mashtrimi i madh i Berishës me Sorosin*
Gjithë ideja e ndryshimit të kufijëve fillon me diplomatin britanik Timothy Less, i cili publikoi një ese në “Foreign Affairs” në vitin 2016 ku paraqet idenë e tij
SHJ
24/11/2021 - 08:42
Gjithë ideja fillon me diplomatin britanik Timothy Less, i cili publikoi një ese në “Foreign Affairs” në vitin 2016 ku paraqet idenë e “korrigjimit të kufijëve”. Ai argumenton, pasi tregon realitetin politik në rajon...disa nga qendrimet e partive politike lidhur me dëshirën për të jetuar me bashkëatdhetarët e tyre, dhe pasi tregon variantet që u paraqitën për Perëndimin pas shpërbërjes së Jugosllavisë, duke zgjedhur njohjen e republikave të vjetra brenda kufijëve aktualë, e cila u udhëhoq jo vetëm nga besimi se kjo zgjedhje do të nxiste drejtësi dhe siguri por dhe nga një bindje ideologjike se nacionalizmi ishte një burim paqendrueshmërie në Evropë, kështuqë shumëkombësia u pa si një parim organizativ frutdhënës dhe qoftë edhe i dëshirueshëm.
Por ngaqë u pa se shumëkombësia diskriminonte pakicat dhe shumë nga këto të fundit u ngritën kundër diskriminuesve me luftë duke kërkuar shkëputje, tensioni u rrit. Kështuqë perëndimi është bindur me dy dekadat e fundit që të dërgojë misione të drejtuara nga OKB-ja dhe trupa ushtarake të NATO-s. Si fillim Uashingtoni udhëhoqi por pasi ky i fundit uli praninë në rajon gjatë dekadës së fundit, përgjegjësia kaloi në Bruksel. Duke bërë kështu BE-ja zëvendësoi pushtetin e fortë amerikan me pushtetin e saj të butë. Hamendësimi i saj ishte se vetë veprimi për të përgatitur anëtarësinë në BE do të ndryshonte shtetet autoritare në një lloj shoqërie të begatë, demokratike dhe të sunduar nga ligji, ku pakicat e ndryshme do të kënaqeshin për të jetuar.
Për pak kohë gjatë fundit të dekadës së fundit kjo politikë u duk sikur veproi por pakicat e shqetësuara e bënë të qartë se kjo qasje e BE-së nuk mund të zgjidhte problemet e krijuara nga shumëkombësia/multietniciteti. Keqkuptimi i saj ishte se pakicat do t`i jepnin përparësi më të madhe reformës politike dhe ekonomike se sa grindjeve për territor dhe siguri, të cilët nuk do të kishin rëndësi pas integrimit në BE. Autori më tej shqyrton ndërlikime të tjerë duke e quajtur gjendjen në rajon mospërputhje politike dhe kufitare kombëtare dhe se qasja e shumëkombësisë prej dy dekadash ka dështuar.
Ndaj ai paraqet një qasje të re, me tre faza, për të cilën kërkon të angazhojë SHBA-në: gjatë fazës së parë Uashingtoni duhet të mbeshtesë fragmentimin e brendshëm të shteteve shumëkombëshe ku pakicat e dëshirojnë atë, për shembull, duke pranuar se shqiptarët ftohet për federalizimin e Maqedonisë dhe kërkesën e kroatëve për një entitet të tretë në Bosnje. Në fazën e dytë, afatmesmë, Uashingtoni duhet të lejojë këto territore të krijojnë lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me fqinjët [atdheun] e tyre më të mëdhenj në numër, si për shembull duke lejuar shtetësi të dyfishtë dhe duke themeluar institucione bashkëndarës ndërsa formalisht mbeten pjesë e shteteve aktuale. Në fazën e fundit, këto territore mund të shkëputen nga shtetet ekzistuese dhe të bashkohen me vendin mëmë, ndoshta si fillim si vende autonome.
Një entitet kroat në Bosnje do të bashkohësh me Kroacinë; Republika Srpska dhe veriu i Kosovës me Serbinë; dhe Lugina e Preshevës, Maqedonia perëndimore dhe shumica e Kosovës, me Shqipërinë ndërsa Malizi që mund të humbasë enklavën e tij shqiptare, mund të qendrojë i pavarur ose të bashkohet me një Serbi më të zgjeruar. Duke ndjekur këtë plan, SHBA-ja nuk do të krijonte terren të ri por thjesht do të ringjallte vizionin Uillsionian të një Evrope të përbërë nga kombe të vetë-qeverisur—por për një pjesë të kontintetit ku ky vizion kurrë nuk është zbatuar.
Më tej autori sqaron vështirësitë por SHBA-ja, citon ai në fund, duhet të mbarojë punën e filluar shumë kohë më parë. Ndërsa autori nuk citon nevojën e kërkimit të faljes nga Serbia për genocidet që ka shkaktuar mbi pakicat e ish-Jugosllavisë duke kulmuar me shqiptarët, si parakusht për paqe, meqë falja do të tregonte pendim, dhe pendimi, me radhë, frenim nga një veprim i ngjashëm, as citon karakterin e pakicës serbe në Kosovë, se ajo është ardhëse dhe bashkëpunëtore e genocidit, as edhe planet serbe, të cilat i ka përmbledhur Adil Fetahu, as edhe në fund, efeket e politikave neoliberale mbi popujt dhe veçanërisht mbi popullin tonë, të cilat i kam treguar në vend tjetër...pas idesë së tij rendën figura politike me influencë, krerët e qeverive dhe emisari amerikan, duke përfshirë Toni Blerin, Aleksandër Soros (djali i Xhorxh Sorosit), Robert Cooper (diplomat britanik në pesnion dhe i njohur për librin e tij “Shpërthimi i kombeve: rend dhe kaos në shekullin e njëzetë e një”, një lloj manifesti për dominim botëror të Perëndimit), Federika Mogerini (ambasadore e BE-së për politikat e jashtme dhe politikën e sigurisë), Mathew Palmer (përfaqësues i DASH-it për Ballkanin Perëndimor).
Ideja u përqafua dhe nga tre krerë qeverish: Vuçiçi, Thaçi dhe Rama ndërsa presidenti i Malit të zi dhe Zaevi i Maqedonisë...veriore (...) ishin deri diku të rezervuar. Opozita e Kosovës dhe Shqipërisë e kundërshtoi idenë por duke e lidhur vetëm me Sorosin!
Në fakt, Xorxh Sorosi ka shkruajtur një artikull që në vitin 2000 për ndryshimin e kufijëve dhe e kundërshton atë. “Do të ishte ngasëse”, argumenton ai, “zgjidhja e problemit [në Ballkanin Perëndimor] duke hartuar kufijë të rinj ose duke themeluar entitete të reja por kjo zgjidhje tradicionale do të përkeqësonte problemin. Një qasje e re nevojitet”. Dhe ai propozon qasjen: se “BE-ja duhet të përdorë mundësinë e integrimit evropian për të nxitur integrimin rajonal”. Në të njëjtin shkrim ai tregon se si të realizohet qasja e tij, e cila s`është gjë tjetër veç asaj qe kemi dëshmuar dekadën e fundit: procesi i Berlinit etj. Por është e qartë se “ndryshimin e kufijëve” që përdor Berisha si rrëfenjë, Sorosi e konsideron të rrezikshëm edhe nëse djali i tij ka sponsorizuar idenë e diplomatit britanik të cilën e mbështet dhe NATO-ja dhe Komisioni Evropian!
Për t`i dhënë karakter të besueshëm rrëfenjës së tij, Berisha argumenton se “unë isha tetë vjet deputet i thjeshtë” dhe përgjatë kësaj faze nuk pati asnjë akuzë për korrupsion, duke bërë lidhjen mes Sorosit —këtë herë për të shkatërruar partinë “demokratike”— dhe ngjarjeve që kanë ndodhur që kur u shpall ai “i padëshirueshëm” por duke mos përmendur faktin se gjatë kohës kur ishte “deputet i thjeshtë” Uashingtoni dhe Brukseli nuk kishin krijuar ndonjë institucion “të pavarur” drejtësie nga klasa jonë politike për të hetuar Berishën dhe të tjerë pas tij!
Kështu në vend të bëjë lidhjen mes institucionit të ri, SPAK-ut dhe shpalljes së tij si të pa...ai bën lidhjen mes qendrimeve të tij dhe zhvillimeve të fundit në PD në dijeni të plotë se mbështetësit e tij nuk mund të bëjnë “lidhje” tjetër veç “lidhjes-Berisha”, meqë “analistët” e oligarkisë nuk i ndjekin mjaftueshëm zhvillimet në nivel botëror dhe rajonal dhe më shumë pështjellohen dhe pështjellojnë popullin se sa sqarojnë dhe tregojnë ndonjë të vërtetë me karakter sistemik.
*Pjesë nga analiza e Ylli Përmetit e cila këshillohet të lexohet e gjitha:
Strategjia amerikane dhe mashtrimet e Berishës (në foltore) & Ramës për Sorosin
*Harta që shoqëron këtë shkrim është thjesht ilustruese dhe nuk përputhet me planin që paraqet autori.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 861 reads



