...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Tirana zyrtare njeh “pakicën greke” në Himarë!

MEPJ rithekson se shteti shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave. Ky angazhim dëshmohet nga anëtarësimi ynë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare

Dita

13/12/2018 - 06:46

Shënim: s`është hera e parë që Tirana zyrtare bie në kurthin e deklaratve zyrtare greke që në vend t'i shpërnjohë, u përgjigjet duke nënkuptuar se njeh Himarën për pakicë greke! Vepron nga padija apo ngaqë është e shitur, një popull i ndershëm me historinë, do të kërkonte të paktën largimin e saj. 

Mbrëmjen e djeshme Ministria e Jashtme greke me një deklaratë zyrtare shprehu shqetësimin e thellë në lidhje me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për të dhënë në mënyrë arbitrare te Ministria e Turizmit sipërfaqe toke – që përfshijnë prona private të minoritarëve grekë, – për projekte turistike.

Sipas deklaratës, ky vendim është në kundërshtim me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e gjykatave shqiptare.

“Ky vendim dhe projektligji që po përgatitet – vazhdon më tej deklarata, – çojnë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat pronësore të minoritetit autokton grek në Shqipëri. Veprime të tilla nuk janë në përputhje me aspiratat e deklaruara për integrimin europian të Shqipërisë dhe janë në kundërshtim me detyrimet e saj”.

Ministria e Jashtme greke i bënte dje thirrje qeverisë shqiptare për të revokuar këtë vendim dhe për të rishikuar ligjin, duke u kujdesur që t’u jepen titujt e pronësisë menjëherë të gjithë pronarëve të tyre të ligjshëm.

Por Tirana zyrtare i është përgjigjur deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Greqisë në një lidhje me vendimin me habi, madje duke theksuar se Shqipëria është e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

“Si një vend evropian, anëtar i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, Shqipëria njeh juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut dhe zbaton vendimet e saj. E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese që gëzohet pa dallim dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë shtetasit, në mënyrë individuale, pavarësisht përkatësisë kombëtare. Për më tepër, të gjithë shtetasit gëzojnë të drejtën e ankimimit efektiv në instancat gjyqësore në rast pretendimesh për shkelje të këtyre të drejtave.

MEPJ shpreh keqardhjen për deklaratën e MPJ-së greke e cila mbështetet në shtrembërim të fakteve. Dëshirojmë të sqarojmë se VKM-ja në fjalë ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit të cilat gëzojnë statusin me “Pronësisë Shtetërore”.

MEPJ rithekson se shteti shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave. Ky angazhim dëshmohet nga anëtarësimi ynë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, garancitë kushtetuese në këtë fushë, si dhe miratimi i legjislacionit specifik për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e MEPJ.

Ndërkohë, duke i bërë thirrje palës greke për lexim objektiv të fakteve dhe realitetit, MPJ kujton se kuadri i pasur ligjor, në pajtim me praktikën evropiane, sikundër tradita e shkëlqyer e bashkëjetesës shoqërore në Shqipëri përbëjnë një shembull pozitiv për t’u ndjekur në rajon.



   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA