...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vazhdon frikshëm të rrisë pasurinë oligarkia politiko-ekonomike: 2020, karantinë, varfëri dhe luks marramendës

Në vitin 2020, kur vendi ynë u pushtua nga pandemia e C-19 dhe kriza ekonomike u thellua, dhjetë depozituesit më të mëdhenj zunë 5.2% të tërësisë së kursimeve të sistemit bankar—ose 67 miliardë lekë apo rreth 540 milionë euro

SHJ

11/07/2021 - 19:49

Pas më shumë se dy dekadash shkatërrim, vjedhje të shtetit dhe monopolizimin e burimeve ekonomike nga klasa politike, janë krijuar kushtet që oligarkia të pasurohet më shumë ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë të varfërohet më shumë. Kështu në vitin 2011-të 4% e oligarkisë vendore zotëronte 55% të të gjitha depozitave të vendit dhe 96% e popullsisë zotëronte pjesën tjetër.Pas një viti kjo shifër u ngushtua: 5% e shqiptarëve zotëronte 58% të depozitave në banka — domethënë, 4.2 miliardë dollarë nga 7.3 miliardë dollarë që ishin depozitat e gjithë shqiptarëve. 

Në fund të vitit 2017-të pabarazia u thellua edhe më shumë: 3.7% e depozituesve –kryesisht biznese- në bankat shqiptare kishin më shumë se gjysmën e paráve — domethënë, 5.3 miliardë dollarë. Ishin 92 mijë individë që kishin më shumë se gjysmën e pasurisë ndërsa pjesa tjetër, rreth 2 milionë e 300 mijë qytarë, ndanin 3.9 miliardë dollarë. Në vitin 2019 pasuria u përqendrua në më pak individë: 3.2% e shqiptarëve zotëronin së bashku 4.1 miliardë euro depozita bankare ndërsa pjesa tjetër —97%— zotëronte 3.2 miliardë euro.

Varfëria u rrit më shumë në qytet, 36 për qind, se sa në fshat. Në zonat rurale është ulur me 11.8 për qind. Në terma të përgjithshëm pjesa e popullsisë për të cilën konsumi mujor për frymë është nën 4.891 lekë (me çmimet e vitit 2002) u rrit nga 12.4 për qind në 2008 në 14.3 për qind në vitin 2012. 

Në vitin 2020, kur vendi ynë u pushtua nga pandemia e C-19 dhe kriza ekonomike u thellua, dhjetë depozituesit më të mëdhenj zunë 5.2% të tërësisë së kursimeve të sistemit bankar—ose 67 miliardë lekë apo rreth 540 milionë euro ndërsa 20 depozituesit më të mëdhenj zotëronin 7.9% të depozitave nga 7.3% në vitin 2019, ose rreth 93 miliardë lekë nga 88.3 miliardë lekë në vitin 2019. Por 50 depozituesit më të mëdhenj patën 10.42% apo rreth 135 miliardë lekë duke arritur në 1.29 trilionë lekë apo mbi 9 miliardë euro.

 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA