...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vazhdon përçartja e serbëve me “Shqipërinë e Madhe”: nga Drecuni tek Irineji

Kështu deklaroi njëri nga propaganduesit më të njohur, malazezi i konvertuar në serb, Millovan Drecun, kryetar i Këshillit për Kosovë e Metohi, në Kuvendin e Serbisë, njofton B=92.

Adil Fetahu

09/01/2019 - 14:32

Drecun vlerëson se krijimi i Shqipërisë së Madhe është proces i pandalshëm. Kjo do të “arrihet në këtë apo atë formë”, dhe do të bëhet për t’i krijuar Serbisë baraspeshë, që sipas madhësisë së territorit, resurseve dhe demografisë, mund t’i kundërvihet.

“Ky është vlerësim real gjeopolitik dhe kjo është në interes të vendeve të Perëndimit. Është e qartë se ata nuk e kundërshtojnë formimin e Shqipërisë së Madhe”, ka thënë Drecun, në një intervistë për Televizionin “Pink”, duke shtuar se “nuk duhet të jemi aq të verbët sa të mos e shohim se në shekullin 21 do ta kemi Shqipërinë e Madhe. Këtë fakt duhet ta pranojmë, në mënyrë që të mos rrëshqasim në terren të sjelljes politike joracionale”, ka thenë Drecun.

Sipas fjalëve të tij, “Gjithçka që bëhet, po bëhet për të grabitur territorin tonë, ndërsa formimi i Shqipërisë së Madhe “është proces jocivilizues, çrregullues dhe destabilizues. Si ngjarje qenësore të vitit të kaluar, Drecun e ka vlerësuar Letrën e kryetarit amerikan Donald Tramp, që, sipas tij, “krijon hapësirë për bisedimet për Kosovën e Metohinë”, që pritet të zhvillohen sivjet.

Sipas Drecunit, Prishtina do të detyrohet ta heqë taksën në mallërat serbe, ngaqë kjo do të ishte sfidë e madhe për Shqiptarët që ta bllokojnë nismën e Trampit dhe qëndrimin e Rusisë se problemi i Kosovës duhet të zgjidhet.

“Është e qartë se Serbia nuk do të lejojë që për Kosovën të merret vendim i njëanshëm”, ka thënë Drecun, kur ka folur për vizitën e kryetarit të Rusisë, Vladimir Putinit (më 17 janar, v.j.), dhe ka shtuar se këtë vit fjalën kryesore rreth çështjes së Kosovës do ta kenë fuqitë e mëdha: Uashingtoni, Moska dhe Pekini.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë kapacitetesh disponon Rusia kur është fjala për zgjidhjen e problemit të Kosovës. “Rusia na duhet për të na fuqizuar kundrejt Amerikës, sepse Rusia na mbështetë ne, ndërsa amerikanët e dijnë se asnjë zgjidhje nuk mund të bëhet pa pajtimin e saj, ka thënë Drecun.

Sipas trasmetimeve të mediave serbe,  “B=92”, “Vesti”, “Analitika”, “Naslovi.net”, “Politika”, “Kurir”, etj., ky vlerësim dhe kjo deklaratë e Drecunit e paska tronditur opinionin në Serbi.

Po çka thotë patriarku serb për Kosmetin?

Si gjithnjë, patriarku i Kishës Orthodokse Serbe, Irinej, natën e Krishtlindjes orthodokse, në një intervistë dhënë gazetës “Kurir”, ka thënë: “Në Kosovë e Metohi po ndodh ajo që mendja e shëndoshë nuk mund ta pranojë; zgjërimi i Shqipërisë në dëm të Serbisë, të Serbëve dhe të Shtetit serb, e që kurrë nuk mund të pranohet. Mjerisht, për shkak të dofarë intersash, Shqipëria është bërë e perkëdhelura e shumë shteteve, edhe të Amerikës edhe të një pjese të madhe të Evropës. Është me rëndësi të dihet, përse po ndodhë kjo kështu, cilat janë shkaqet dhe cilat janë interesat e tyre? Gjithësesi kanë ndonjë interes, ose në një mënyrë Shqiptarët i kanë blerë, dhe e dijmë se si bëhet kjo sot, prandaj në këtë mënyrë e kanë fituar besimin e tyre, mbrojtjen e tyre dhe ndihmën e tyre.

Mjerisht, tërë këtë e sheh Evropa, shumë çuditen dhe iu dhimbset rasti, por askush nuk ndërmerr asgjë për të penguar zgjërimin e një shteti të vogël, i cili po don të zgjërohet duke marrë territoret tona më të shenjta, e cila kurrë nuk ka qenë koloni veçse ka qenë toka amë serbe, në të cilën janë zhvilluar ngjarje të mëdha të historisë së popullit serb. Gjithçka që është pozitive dhe e vlefshme për popullit serb, e ka zanafillën në Kosovë e Metohi, atje është zhvilluar: shteti, ligjshmëria, arsimi, kultura, atje janë objektet tona të shenjta më të mëdha. Dhe po duan të na i rrëmbejnë…Ne këtë nuk mund ta pranojmë kurrë dhe jemi të detyruar që me të gjitha forcat tona, në rend të parë në mënyrë njerëzore dhe me metoda njerëzore, ta mbrojmë vendin tonë të shenjtë, ato objekte të shenjta, të cilat po duan të na i marrin dhe t’i shpallin disa “objekte të shenjta të Kosovës”, e ato nuk janë të Kosovës,  por ato janë të shenjta serbe, të shenjta të kishës sonë dhe të popullit tonë. Ata po kërkojnë që t’ua falim, që këtë ta bëjë Serbia dhe populli serb.

Këtë ne kurrë dhe nën kurrëfarë kushtesh nuk guxojmë ta bëjmë. Kemi detyrë t’i mbrojmë në mënyrë humane e njerëzore, duke respektuar secilin, por para së gjithash duke respektuar vetveten, historinë tonë dhe kulturën tonë. Kjo dëshirë, për zgjërimin e Shqipërisë në dëm të Serbisë, të Serbëve dhe të Shtetit serb, kurrë nuk mund të pranohet”,- përfundon argumentin e tij luftënxitës, i pari i Kishës Ortodokse Serbe, në festën e Krishtlindjes, kur sipas “Shkrimit të shejtë”, do të duhej të argumentonte paqe mes njerëzve e popujve, e jo luftë, sikur t’ishte ministër i mbrojtjes!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA