...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vëzhgimi: pushteti politik dhe ekonomik ushtron presion mbi gazetarët ndërsa çensura lulëzon

Studimi, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përfshin 800 pyetësorë me punonjës të medias shqiptare në Tiranë dhe qytetet më të mëdha, dhe 20 intervista më të thelluara me redaktorë, analistë dhe pronarë mediash, ku dolën një mori problemesh me pagat, kontratat e punës, censurën dhe etikën profesionale.

Voa

04/05/2019 - 09:47

Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) publikoi sot, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, studimin “Panorama e Medias në Shqipëri”, sipas të cilit mbi gjysma e të anketuarve pohojnë vetë-censurën dhe lajmet e urdhëruara nga pronari i medias, ndërsa mbi treçereku i tyre pohojnë se ka gazetarë që korruptohen për të bërë kronika.

Sipas studimit, lajmet pezullohen për shkak të presionit të qeverisë, të partive politike dhe të biznesit. Rreth 35% e gazetarëve të anketuarve deklarojnë se pronari dhe redaktori ka fshirë fare lajme apo kronikapa i informuar ata. Gazetarët janë nën presion të mos shkruajnë raporte për disa lajme për fusha të caktuara nga pronari. Vetë-censura është shumë e zakonshme. Të anketuarit pohojnë se “pothuajse të gjithë mediat censurojnë vetveten” (41%) ose “disa media vetë-censurohen” (36%). Ata deklaruan se janë vënë nën presion nga redaktorët (36%) ose pronarët e medias së tyre (38%) që të mos shkruajnë për një ngjarje apo çështje të caktuar. Mbi gjysma e të anketuarve (52%) pohuan se kanë marrë ndonjëherë një urdhër nga pronari i mediave, kryeredaktori për të bërë lajme e intervista të porositura.

Nga ana tjetër, gazetarët abuzohen verbalisht ose psikologjikisht kur kryejnë detyrën e tyre. Një nga 3 gazetarë, se 66% e kolegëve të anketuar pohojnë se janë kërcënuar fizikisht dhe gojarisht gjatë punës.

“Numri i mediave tradicionale dhe të reja është i lartë, duke marrë në konsideratë madhësinë e tregut të vendit. Sfida për Shqipërinë duket se është: të pasurit më pak, jo të pasurit më shumë” - thuhet në studim. Bollëku i operatorëve të medias, në raport me popullsinë dhe tregun e reklamave, të çojnë në përfundimin se në mungesë të falimentimeve, operatorët e medias nuk po veprojnë sipas rregullave të tregut, theksohet në të.

Gazetarët e anketuar pohuan se për ndryshimin e vendit të punës arsyet kryesore janë mosmarrëveshjet me pronarin e medias, niveli i pagës dhe vonesa e saj, si dhe kushtet e punës. “Sa më e madhe është përvoja e përgjithshme e punës, aq më e ulët është shkalla e punës së vazhdueshme në një redaksi” - thuhet në studim. Më shumë se gjysma (57%) e profesionistëve të intervistuar nuk mendojnë se ata paguhen sa duhet për punën e tyre. Rreth 40% e profesionistëve të medias deklarojnë se nuk ndjehen të sigurtë për të ardhmen e gazetarisë si profesion. Rreth 1 në 3 profesionistë të medias nuk do të këshillonin një të ri për të ndjekur karrierën në gazetari, për shkak të nivelit të pagesës, të kushteve të punës dhe orëve të gjata në punë.

Afro 74 për qind e të anketuarve raportuan se e marrin pagën e tyre të plotë në bankë, ndërsa 1 në 10 të anketuar ende e marrin pagën e tyre në dorë dhe 1 në 7 ende merr një pjesë të pagës së tyre me para në dorë. Rreth 17% e të anketuarve brenda Tiranës dhe 31% gazetarë janë kryeqytetit deklaruan se nuk kanë kontratë pune ose marrëveshje punësimi me median ku punojnë. Por edhe mes atyre që kanë një kontratë rreth 30% e tyre thonë se nuk ndihen të mbrojtur nga kontrata e tyre.

Shumica e të anketuarve (78%) pranuan se ka gazetarë që ushtrojnë praktika korruptive (marrin para ose përfitime të tjera) për të bërë një kronikë të caktuar. Ata vlerësuan me 5.8 nivelin e profesionalizmit të gazetarëve në mediat shqiptare, gjë që “tregon një mungesë konsiderate pozitive për profesionalizmin në gazetari nga vetë gazetarët” - thuhet në studim.

Krahas studimit dhe vëzhgimeve të ndryshme, në ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e shtypit shqiptar edhe presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili theksoi se çdo goditje ndaj medias është sulm ndaj demokracisë. Presidenti Meta shënoi në një mesazh publik drejtuar gazetarëve vendas se i mbështeste ata që të fitojnë sfidën për fjalën e lirë, sepse, si u shpreh ai, “shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur “Zërin e Amerikës” apo “Deutsche Welle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre”.

Zoti Meta tha se gjendja e rëndë e shtypit shqiptar duhet të marrë fund, mohimi i të drejtës së gazetarëve për të ndjekur veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Shqipëria renditet ndër vendet me liri të pjesshme të medias në raportet e “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, shtypi shqiptar sot është më pak i lirë dhe më pak i pavarur, goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar po ashtu dhe përpjekjet për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA