...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vritet politikani lokal serb Oliver Ivanoviç - Beogradi thërret Këshillin e Sigurisë

Është vrarë me armë zjarri, njëri nga udhëheqësit e serbëve të veriut të Kosovës Oliver Ivanoviç, lideri i iniciativës qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" (SDP). Beogradi reagon ashpër.

DW/Voa

16/01/2018 - 11:16

Policia e Kosovës njofton se Oliver Ivanoviç, është sulmuar me armë zjarri para zyrës së tij në veri të Mitrovicës nga një veturë në lëvizje. Kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Shyqyri Syla, ka konfirmuar që Ivanoviç nuk u ka mbijetuar plagëve. Tash për tash policia nuk i di autorët e sulmit sikundër nuk i di motivet. Pak minuta pas atentatit, policia tha se jo shumë larg vendit të ngjarjes ka gjetur një veturë të djegur nga e cila dyshohet të jetë qëlluar Oliver Ovanoviç.

Një ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit, paralajmëroi se në pjesën veriore të Kosovës mund të ketë sulme, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë që të shmangin vizitat në këtë pjesë të Kosovës. Zëvendësshefi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti ka deklaruar për mediat lokale se policia është duke kontrolluar të gjitha zonat në veri, në përpjekje për të gjetur sulmuesit.

Beogradi ndërpret dialogun në Bruksel

Mediat serbe njoftojnë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka vendosur që menjëherë të ndërpritet dialogu teknik i vazhduar sot në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Ai ka kërkuar që delegacioni serb të kthehet në Beograd. Vuçiç ka njoftuar se për shkak të gjendjes së sigurisë në Kosovë, do të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë në Beograd. Gjendja në veri të Kosovës është e tendosur. Media lokale njoftojnë për krijimin e tollovive në disa zona - në vendin e vrasjes së Ivanoviçit dhe në afërsi të spitalit ku është dërguar trupi i tij dhe ku kanë dështuar të gjitha përpjekjet për reanimim.   

Qeveria e Kosovës dënon vrasjen

Qeveria e Kosovës dënoi ashpër vrasjen duke theksuar se "akti i vrasjes së Oliver Ivanoviçit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës. Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet".

Në reagimin e saj, qeveria e Kosovës, u bën thirrje të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.

Beogradi mbledh këshillin e sigurisë - ndërpret bisedimet në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka caktuar për në mesditë mbledhjen e këshillit kombëtar të sigurisë pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit. Ndërkohë, delegacioni serb që ndodhej në Bruksel për vazhdimin e bisedimeve teknike me Kosovën, tha se po ndërpret bisedimet për shkak të situatës së krijuar pas kësaj vrasjeje.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA