...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: 1.15 miliardë eurot e Ramës do të paguhen trefish nga populli (përditësuar)

Eshtë e sigurtë se do të paguajmë më shumë (gati dyfish) nga “dhuratat” që gjeneroi kryeministri!

SHJ

19/02/2020 - 09:09

Fakti që 77% e tërësisë së shumës së gjeneruar në konferencën e Komisionit Evropian, është borxh, tregon karakterin e “dhuruesve” dhe synimin e konferencës - megjithëse konferenca mund të jetë përdorur nga “dhuruesit” për synimet e tyre. Një dallim mes tyre duhet bërë: mes atyre që vërtet dhuruan nga kursimet e tyre të pakta (bujarët); atyre që në raport me PPB-në e tyre mund të dhuronin më shumë (kurrnacët); dhe atyre që “dhuruan” duke i shoqëruar “dhuratat” me borxhe (oportunistët).

Për shembull, Franca dhuroi 1 milion euro ndërsa e shoqëroi me një “dhuratë” tjetër: me një borxh ose “kredi të butë” siç e quajti ministri i financave, Ahmetaj, prej 60 milionë euro. Nëse e shlyejmë këtë “kredi” ndaj francezëve, që me siguri do ta shlyejmë, shuma që fitojnë nga interesi i “kredisë” do të jetë rreth 1 milion e 200 mijë euro. Në këtë mënyrë, “dhurata” prej 1 milion euro kthehet pas në Francë me fitime!

Dhe nëse 77% e shikojmë njëlloj, siç edhe duhet ta shikojmë, nëse na intereson efekti i këtyre “dhuratave” dhe drejtësia ekonomike, kuptohet se Rama vërtet gjeneroi më shumë se 1 miliard euro por do të paguajmë më shumë se 3 milliardë euro në afatgjatë. Kjo shifër, sidoqoftë, është e përafërt. Por është e sigurtë se do të paguajmë më shumë (rreth trefish) nga “dhuratat” që gjeneroi kryeministri!

Këtë të vërtetë nuk do ta thonë ekonomistët, financierët dhe gazetarët e establishmentit, por edhe nëse e thonë, që me shumë gjasa do ta dëgjojmë nga reaksionarët e opozitës, diku e kanë lexuar. Në fakt, pas konferencës opozitarët (Basha, Kryemadhi) e përgëzuan rezultatin ndërsa qarkulluan disa kritika duke përmendur vetëm faktin se rritet borxhi!

Kishte rrugëzgjidhje tjetër Rama? Sigurisht që kishte! Por populli nuk ndihmon në përvetësimin e dijes financiare dhe ekonomike në këtë rast dhe përdorimin e saj në dobi të tij por pret nga reaksionarët zgjidhje në dobi të tij!

Të thuash se populli ynë është sadomazokist nuk do të ishte e drejtë përsa kohë që drejtësia (ekonomike) nënkupton dije dhe vlera (virtyte) dhe pa dije dhe virtyte asnjë popull nuk do të gëzohësh me dhimbjen e tij. Në këtë rast dhe si në çdo rast tjetër, populli i ka të dyja: edhe padijen edhe mungesën e virtyteve të nevojshme për mos t`u gëzuar me “zgjidhje” të dhimshme dhe shpotitëse nga “dhuruesit”: sepse ata që i shoqëruan “dhuratat” me borxhe kështu do të mendojnë: “ua futëm” dhe një herë shqiptarëve—sepse “dhuratat” e vogla i shoqëruan me borxhe të mëdhenj!   

*Qendrimi është përditësuar sepse dje (19 shkurt) qarkulluan të dhënat përfundimtare 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA