Ylli Përmeti dorëzoi 12 Kallëzime Penale në SPAK për hetimin e klasës politike, për krizën energjitike
Për krimet politike qeveritë mund të dënohen vetëm nga populli, duke mos i votuar ato, ndërsa për krimet me karakter juridik, qeveria dënohet vetëm nga gjykata dhe ngaqë në këtë studim tregohen si krimet politike ashtu dhe krimet penale, po citoj përmblethtas krimet me karater juridik me qëllim që të rihetohen nga organet e drejtësisë
Ylli Përmeti
31/03/2022 - 17:06
Krimet që janë shkaktuar në sektorin e energjitikës dhe përgjithësisht në ekonominë tonë janë të karakterit politik, në kuptimin e orientimit të vendit tonë për t`u zhvilluar, dhe penal, në kuptimin e mashtrimeve politike nga qeveria dhe klasa politike në përgjithësi dhe akademike: sepse mashtrimet dënohen nga kodi ynë penal. “Përvetësimi i pasurisë private ose publike nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme ose duke fshehur fakte të vërteta, gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit, për vete ose persona të tjerë, përbën vepër penale të mashtrimit dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet. Kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet dhe kur ka pasoja të rënda dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet” (Kodi Panal, i ndryshuar në vitin 2017, Neni 143).
Megjithëse mashtrimi përfshin një lloj dredhie të qëllimshme për ta paraqitur ndryshe një realitet dhe nuk çon gjithnjë në korrupsion ose përfitim vetjak në dëm të shoqërisë, në rastet që kam shqyrtuar në këtë studim ata tregojnë korrupsion dhe krim të organizuar ose shkelje ligjore nga vetë qeveritë.
Për krimet politike qeveritë mund të dënohen vetëm nga populli, duke mos i votuar ato, ndërsa për krimet me karakter juridik, qeveria dënohet vetëm nga gjykata dhe ngaqë në këtë studim tregohen si krimet politike ashtu dhe krimet penale, po citoj përmblethtas krimet me karater juridik me qëllim që të rihetohen nga organet e drejtësisë, duke kërkuar të hetohet:
1. Qeveria “Berisha” për dështimin e CEZ-it ndërsa qeveria “Rama” të hetohet për marrëveshjen që bëri me CEZ-in, sepse të dyja qeveritë qëndrojnë përtej dyshimeve të arsyeshme se kanë mashtruar;
2. Si qeveria “Berisha” ashtu dhe qeveria “Rama” lidhur me HEC-et dhe katastrofën ekologjike që kanë shkaktuar, sepse të dyja qeveritë qendrojnë përtej dyshimeve të arsyeshme se nuk kanë vepruar në dobi të mirësisë së përgjithshme por në dobi të mirësisë vetjake;
3. Qeveria “Berisha” për procesin e privatizimit të “Albperolit” dhe qeveria “Rama” për kohën kur nxori në shitje reparte të saj: sepse të dyja qeveritë qëndrojnë përtej dyshimeve të arsyeshme për lidhje pushtetore, sipas parimit “më jep të të japë”;
4. Qeveria “Berisha” dhe qeveria “Rama” për lidhjet e saj me Bankers, sepse ka dyshime të arsyeshme për lidhje pushtetore;
5. Qeveria “Berisha” dhe qeveria “Rama” për lidhjet me privatizimin e Armos dhe Transoil Group, sepse ka dyshime të arsyeshme për lidhje pushtetore;
6. Klasa politike lidhur me detyrimet e energjisë elektrike, sepse ka dyshime të arsyeshme se nuk ka paguar asnjë detyrim;
7. Qeveria “Rama” për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjitikës në fillim të tetorit, 2021, në raport me gjendjen ujore të hidrocentraleve, sepse faktet tregojnë se politika e qeverisë qendron përtej dyshimeve të arsyeshme për keqpërdorim të prurjeve ujore dhe hiperbolizim të qëllimshëm të gjendjes ose për të përligjur rritjen e kostos së energjisë elektrike ose për t`u paraqitur edhe një herë si “shpëtimtare” e popullit;
8. Kostua e prodhimit të naftës dhe fitimet e ndërmarrjeve naftënxjerrëse sepse politikat e qeverive tregojnë përtej dyshimeve të arsyeshme se mashtrojnë;
9. Pretendimi i Ramës lidhur me argumentin e përsëritur se nafta jonë është rëndë dhe përdoret për bitum – ndaj ne importojmë naftën e vendeve të tjerë të cilën e paguajmë shtrenjtë, sepse faktet tregojnë se pretendimi i tij qendron përtej dyshimeve të arsyeshme se mashtron për të përligjur politikat e tij;
10. Sasia e naftës së importuar në raport me naftën e konsumuar, sepse faktet tregojnë se politika e qeverisë qendron përtej dyshimeve të arsyeshme se mashtron kur thotë se nevojat e brendshme mbulohen vetëm me importet;
11. Kontrabanda me naftën sepse ka dyshime të arsyeshme se qeveria “Rama” lejon kontranbandën;
12. Qeveria “Rama” për prishjen e rafinerisë në Ballsh sepse ka dyshime të arsyeshme se prishja e saj nuk lidhet me “koston e lartë” për ta rikthyer në punë por me interesa të ngushta pushtetore.
Nga këto 12 krime me karakter politik dhe juridik kuptojmë edhe një herë rëndësinë e studimeve, nëse i krahasojmë me një nga kërkesat e OP-së dhe “shoqërisë civile”: hetimin e oligopolit të sektorit të hidrokarbureve dhe veçanërisht shkatërrimin e uzinës së Ballshit dhe hetim e mbikëqyrje të konçesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit.
Kallëzimi u dorëzua sot në SPAK dhe u njoftua vetëm përmes televizionit Fax News. Ai është frut i punës studimore të autorit.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 421 reads



