...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: Enveri meriton shtatore dhe nderime nëse i përmbahemi himnit dhe kuptimit të tij të luftës

Për nga natyra, lufta e Enverit dhe komunistëve shqiptarë, është më heroike se e sovjetëve.

Ylli Përmeti

04/10/2019 - 10:50

Në kuadër të debatit që po zhvillohet për shtatoret e drejtuesve të shtetit shqiptar, po publikojmë një kritikë-editorial të Ylli Përmetit:

Viktori i “Dita-s”, i cili vërtet ka qendrim të drejtë ndonjë herë, shkruajti dje për Zogun dhe Hoxhën, pasi citoi një varg të himnit tonë kombëtar në fillim të qendrimit të tij­—“Prej lufte veç ai largohet / Që është lindur tradhëtor”— se “Mendjet normale dhe ndërgjegjet e painfektuara do të konkludonin se, as shtatorja e Enver Hoxhës dhe as ajo e Ahmet Zogut nuk kanë vend në Tiranë. Nëse shkohet me mendësi të tjera do të kemi, pas pak kohësh, edhe shtatore të Berishës, Nanos e kështu me radhë. Jo!”

Dy janë padrejtësitë e autorit në këtë qendrim:

  • së pari, nuk zbaton parimin e himnit mbi individët që përmend, Zogun dhe Hoxhën—kur dihet se Hoxha nuk iu largua luftës si përgjatë luftës antifashiste ashtu dhe përgjatë socializmit marksist – kjo e fundit nga Hoxha dhe marksistët e shekullit të kaluar kuptohësh në terma marksistë, domethënë, “se pushteti komunist është dhunë e organizuar kundër klasës borgjeze”…ndërsa Zogu iu largua luftës me largimin e tij kur na pushtoi ushtarakisht Italia fashiste...pa përmendur mungesën e luftës së tij kur mbretëronte dhe kur na pushtoi ekonomikisht dhe kulturalisht Italia…dhe kur pushtetin e morën komunistët filloi të minonte pushtetin nga jashtë! Si i tillë, Zogu ishte disa herë i padrejtë;
  • së dyti, Viktori ngatërron Zogun dhe Hoxhën me Berishën, Nanon e të tjerë pas tyre: sepse këta të fundit nuk janë përballur me ndonjë luftë antifashiste as kanë udhëhequr ndonjë luftë me karakter antifashist.

Nëse i gjykojmë, rrjedhimisht, Zogun dhe Hoxhën me kutin e vargut të parë të himnit tonë kombëtar, vetëm Enveri meriton të ketë shtatore në mes të Tiranës dhe të nderohet ndërsa Zogu le të nderohet nga ballistët e kohëve tona por jo në shtatoren e tij: sepse do të ishte e padrejtë nëse e shikojmë Zogun nga këndvështrimi i Himnit tonë kombëtar.

Luftën antifashiste Enveri jo vetëm që nuk e tradhëtoi por dhe e fitoi si asnjë tjetër pavarësisht se gjermanët u dobësuan më shumë nga lufta e sovjetëve. Krahasuar me Stalinin, Enveri ka luftuar më gjatë, sepse luftoi dhe kundër fashistëve italianë ndërsa Stalini luftoi vetëm kundër nazistëve gjermanë. Dhe nëse krahasojmë kushtet e luftës që zhvillonte Enveri me të Stalinit, ato zhilloheshin në kushte të pabarabarta: Enveri e zhvilloi luftën në një vend të pushtuar dhe luftonte për ta çliruar vendin ndërsa Stalini për t`u mbrojtur. Në këto kushte, Stalini kishte mundësi të ishte më i fuqishëm ushtarakisht meqë administronte pushtetin e sovjetëve ndërsa Enveri luftonte në kushte guerrile duke patur nëpër këmbë dhe ballistët. Për nga natyra, lufta e Enverit dhe e komunistëve shqiptarë, është më heroike se e sovjetëve.          

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA