Ylli Përmeti: Manifest për ndalimin e rrënimit të sektorit të energjitikës
Po sjellim për popullin një pjesë nga përfundimi i studimit të Ylli Përmetit, për ndalimin e rrënimit të sektorit të energjitikës ndërsa gjithë studimi mund të lexohet në variantin PDF
SHJ
29/03/2022 - 15:37
Le t`i kthehemi tani përmbledhjes së studimit duke treguar se si mund të shkojmë nga një dinamikë shkatërruese në të gjithë nivelet, në një dinamikë të domosdoshme dhe të dëshirueshme.
Kontratat afatgjatë për burimet energjitike janë të domosdoshme sepse mundësojnë vendin prodhues të prodhojë aq sa t`i përmbahet kontratës dhe siguron vendin blerës të energjisë. Në rastin e vendit tonë, ne mund të krijojmë kontrata afatgjatë për naftën por jo për hidrocentralet meqë energjia e tyre nuk mund të magazinohet. Sidoqoftë, ne mund të krijojmë kontrata afatshkurtër për energjinë e hidrocentraleve. Por sektori i naftës duhet të vendoset në “binarë” të drejtë dhe jo të lihet në dinamikën e tregut botëror dhe matrapazëve vendorë si “Kastrati” sot dhe të tjerë nesër. Që të vendoset në “binarë” të drejtë sektori energjitik, na duhet një qeveri që të gëzojë në nivel të lartë virtytin intelektual (të ketë kuptuar se ku mund të çojë dinamika e tregut botëror në raport me burimet tona energjitike dhe ekonomike) dhe etikë: sepse pa këta dy virtyte asnjë qeveri nuk mund ta vendosë në “binarë” sektorin—sidomos në kushte kur qeveria aktuale është e varur kryekëput nga neoliberalët e huaj dhe veçanërisht nga ambasada amerikane e cila kërkon të investojë në sektorin e hidrocentraleve bashkë me një korporatë amerikane.
Kujtoj se janë të njëjtat korporata që kanë shkatërruar ekosistemin amerikan dhe kanë shkapërderdhur kursimet e popullit atje me digat: sepse siç kam treguar në vend tjetër, hidrocentralet me diga mbi 15 m janë joekonomikë dhe kostot reale për ndërtimin e tyre janë dyfish krahasuar me koston që paraqitet nga “ekspertët” pranë qeverive përpara se të ndërtohen! Qëllimi i “ekspertëve” është të përfshijnë qeverinë në ndërtimin e tyre dhe ta fusin në një rrugë pa kthim me qëllim që të vjelin nga kursimet e popullit në afatgjatë! Kujtoj, gjithashtu, se në SHBA po prishen digat e mëdha, si për arsyen e të qenit joekonomikë ashtu edhe për arsyen sepse shkatërrojnë ekosistemin dhe meqënse u ngushtuan fitimet andej vijnë këtej që të majmen duke ndenjur! Lidhur me krijimin e Bursës për të zhvilluar sektorin e energjisë elektrike, të cilën e mbështesin dhe amerikanët...është një përpjekje që çon në katastrofë më të madhe ekologjike dhe shoqërore, sepse bazohet mbi të njëjtët hidrocentrale dhe mbi të njëjtën dinamikë shoqërore (lëvizje e pakontrolluar e njerëzve etj.). Ajo bazohet, për më shumë, mbi të njëjtat qeveri, të cilat jo vetëm që nuk kanë dije për sektorin por mezi presin të qeverisin që të vjedhin dhe gëzojnë privilegjet që burojnë nga pushteti!
Kështu qeveritë mashtrohen dhe zhysin popujt në borxhe! Në rastin tonë shtohet dhe kriza klimatike, përmes së cilës hidrocentralet e mëdhenj nuk mund të prodhojnë sasinë e energjisë që prodhonin shekullin e kaluar dhe mbulonin deri diku koston e mirëmbajtjes së digave, rrjetit të shpërndarjes dhe administratës. Ndaj dhe ndërtimi i Skavicës apo ndonjë hidorcentrali tjetër, do të rezultojë në një dëm tejet të madh ekonomik për popullin nëse barrën e rreziqeve nuk e merr përsipër privati. Nëse gjykojmë nga çka tregova në këtë studim, gjysmë të vërtetat dhe mashtrimet e klasës politike dhe akademike, duke përfshirë dhe “ekspertët” e fushës, dhe çensura në median e oligarkisë (kuptoje përgjithësisht si një pushtet politiko-ekonomik që drejtohet nga pak njerëz dhe jo siç e shtrembërojnë idiotët e nomenklaturës), dhe nga fakti që rinia dhe populli në përgjithësi nuk e kërkon të vërtetën, por dhe nga gjendja e sektorit, nuk është e vështirë të parashikohet e ardhmja:
• së pari, kostua e energjisë do të rritet, jo si pasojë e “keqmenaxhimit” siç propagandojnë idiotët e opozitës, por si pasojë e një qeverie që nuk ka fituar dije për sketorin kur ishte në opozitë, as ka fituar gjatë kohës së qeverisjes; dhe si pasojë e mungesës së virtytit etikë: asaj nuk ia ndjen fare se shkatërrohet ekosistemi dhe jeta e popullit—nëse do t`ia ndjente do ta kishte treguar kaq vite. Në rastin e krizës aktuale, ajo veproi vërtet pa gjykim të drejtë të gjendjes energjitike kur shiti me çmim të ulët dhe bleu me çmim të lartë në kohën kur kishin filluar rreshjet por do të ishte e padrejtë ta shikojmë krizën energjitike të lidhur vetëm me këto veprime: sepse ajo lidhet me orientimin tonë tërësor si ekonomi dhe shoqëri.
• së dyti, gjendja ekologjike do të përkeqësohet meqë si hidrocentralet e vjetër ashtu dhe të rinjtë shkatërrojnë florën dhe faunën e lumenjëve dhe ekosistemin në përgjithësi.
• së treti, kriza klimatike do të përkeqësohet edhe nëse merren masa “radikale” në mbledhjen e radhës për ndryshimet klimatike: sepse mbetjet e CO₂ qendrojnë në atmosferë për qindra vjet — nga 300 vjet deri në 1,000 vjet (NASA). Kriza klimatike me të cilën po përballemi dekadat e fundit —kryesisht si pasojë e globalizmit neoliberal i cili dysafishoi çlirimet— është shkaktuar kryseisht nga vendet që zhvilluan teknologjinë me bazë energjitë fosile: SHBA, Britani etj. Domethënë, çlirimet e shekullit të XVIII kur në Ballkan dhe rajone të planetit ndriçoheshin me qirinj, ngroheshin me dru dhe udhëtonin me kuaj e mushka, gjenden ende në atmosferë dhe bashkë me çlirimet e tjerë të shekullit XIX, XX dhe XXI, krijojnë kushtet për një katastrofë ekologjike disa shekullore. Ja pse them se pararendësit tanë menduan vetëm për vete dhe jo për ne siç mendojnë “njerëzit” aktualë kur nuk përpiqen të ndryshojnë dinamikën shkatërrimitare të krijuar nga pararendësit por janë bërë pjesë e saj dhe të gjithë shkatërrojnë jetën e planetit tonë!
Me këto kushte, Shqipërinë e presin çmime energjie mjaft të lartë, të cilët mund t`i përballojë elita ose klasa politike, akdamike dhe mediatike. Por jo populli në përgjithësi. Sektori energjitik, dhe bashkë me të punëtorët dhe ekosistemi, do të vazhdojë të rrënohet nëse vendi ynë nuk qeveriset nga një qeveri virtuoze. Ndaj e ardhmja jonë do të jetë në terr. Madje elitat, siç përmend dhe FT me vend, s`kanë rrugë tjetër për të zgjidhur krizën energjitike veç të ulin kërkesën—çka nënkupton se ose do të rritet kostua e saj përmes marrëveshjeve politike, që ta bëjnë të papërballueshme për shresat e ulëta të shoqërisë— ose do të ulin rrogat!
Por ndërsa vendet perëndimore s`kanë burime energjitike dhe shkalla e krizës atje mund të jetë më e madhe, në Shqipëri ne kemi burime energjitike —jemi vendi kryesor i Evropës me burimin më të madh të naftës (Patos-Marinza) dhe me rezerva rreth 3.2 miliardë fuçi— dhe duhet të ishim më të pasurit në Evropë siç është populli i Katarit dhe vende të tjerë në raport me fqinjët e tyre! Por jemi populli më i varfër! Arsyet i tregova në këtë studim: sepse kemi një klasë politike dh akademike jo të “paaftë” siç na përrallisin shumë idiotë që nuk kanë treguar kurrë “aftësinë” e tyre por pa dije dhe pa virtytin e etikës—sepse aftësia buron nga dija dhe ajo do të ishte gjysmake pa virtytin e etikës.
Për t’u bindur se politikanët profesionistë dominohen nga oligarkët ekonomikë dhe anasjelltas mjafton të përmendim zbulimin e gazetës Dita, —përgjimet— ku Zamir Mane, një ndër oligarkët ekonomik kryesor të vendit që bashkëpunon ngushtë me oligarkinë politike, ka folur (dhe hamendësisht vazhdon të flasë) më shumë se kushdo tjetër, me Ramën dhe Metën! Ndërsa në nivel kombëtar oligarkia ekonomike parapërcakton deri diku veprimet e oligarkisë politike, oligarkia botërore ekonomike parapërcakton veprimet e elitës mbikombëtare ose oligarkisë politike që vepron në nivel mbikombëtar.
Ndërhyrja e Sorosit në veprimet e sekretares së shtetit amerikan, Hilari Klinton, se cilin duhet të emëronte për të ndërmjetësuar në tensionin e krijuar mes dy partive kryesore në pushtet —PD-së dhe PS-së— pas 21 janarit, vërteton pikërisht mungesën e pavarësisë politike të elitave kombëtare politike. Jo vetëm sepse ato financohen nga oligarkia ekonomike përgjatë fazë parazgjedhore, dhe rrjedhimisht, krijojnë që në fillim ndërvarësi politike por edhe sepse elitat politike nuk dinë të drejtojnë shtetin modern: sepse s’kanë as teorinë as përvojën.
Gjykuar nga burimet alternative energjitike, dhe nga rezervat tona energjitike dhe teknologjia ekzistuese, të cilat nuk janë më shumë se dyfishi i sasisë së nxjerrë 10 vitet e fundit, dhe nga katastrofa ekologjike, qeveritë tona duhet të zhvillojnë politika për kursime serioze të energjisë teknologjike, me synim që të ruhet efiçenca në prodhim. Ky objektiv imponon një organizim tjetër të shoqërisë: jo të përqendruar në treg, përmes të cilit ne jemi të detyruar të rrisim gjithnjë sasinë e energjisë elektrike, sepse natyra e tregut është ekspansioniste, por, kryesisht te burimet tona, te shfrytëzimi racional i tyre, te zhvillimi i sektorëve të bujqësisë dhe blektorisë dhe nënsektorëve përkatës, me bazë shkencën dhe solidaritetin dhe jo konkurrencën dhe përfitimin.
Ky objektiv realizohet dhe është shumë më i mundshëm për ne se sa për vende të tjerë: sepse ne kemi edhe rezerva nafte edhe pedagogë me dijen e nevojshme të sektorit (empirike dhe teorike) por jemi edhe vend i paindustrializuar. Një rrugë mjaft ekologjike dhe ekonomike është zëvendësimi i makinave private (ose kufizimi i tyre) me trena dhe tramvajë elektrikë në çdo kënd të Shqipërisë — si brenda qyteteve, ashtu edhe midis. Nxitja e përdorimit të biçikletave; ndërtimi i rrugëve për këmbësorë; qyteteve ekologjikë; zëvendësimi i llambave inkadeshente me llamba kompakte fluroshente...janë disa masa që duhet të ndërmerren menjëherë.
Mbulimi i nevojave për institutet shkencore të sektorit, me qëllim që të krijojmë paralel një sektor për teknikë dhe zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, bëhet e domosdoshme. Zhvillimi ekologjiko-shkencor i këtyre burimeve, në bashkërendim me ato që janë propozuar në vend tjetër, për rikonceptimin e hidrocentraleve —nga anti-ekologjikë në kryekëput ekologjikë— ngritjen e impianteve për biogaz duke shfrytëzuar njëherësh mbetjet e prodhimeve bujqësore, blektorale dhe ujërat e zeza, dhe më kryesorja, institucionalizimin e parimit të vetëmjaftueshmërisë si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel familjar dhe ndërmarrjeve —një orientim që do të çonte në kursim energjie dhe organizim të shoqërisë me bazë vetëmjaftueshmërinë, duke zhvilluar energjinë e diellit për çdo familje dhe ndërmarrje prodhuese dhe tregëtare, kompletojnë nevojat e vendit dhe sigurojnë jetëgjatësi, si për njeriun dhe Natyrën, ashtu edhe për paqen sociale.
Ky objektiv mund të realizohet pavarësisht se qendrat neoliberale në Bruksel dhe Uashington do të ushtrojnë presion: së pari, sepse edhe ata përballen me krizë energjitike dhe së dyti, sepse qëllimi ynë është fisnik―të shpëtojmë jetën e planetit nga rrënimi i mëtejshëm dhe ky lloj shpëtimi fillon nga atdheu. Holanda, për shembull, ka vendosur stekë të lartë në përpjekjen e saj për të shpëtuar nga rrënimi i mëtejshëm.
Kështu gjykuar nga fakti se nafta do të vazhdojë të përdoret dhe për disa dekada si burim energjitik motorrik, por dhe nga fakti se sektori është “strategjik” për ekonominë tonë, në kuptimin e prodhimit me kosto të ulët me qëllim që të konkurrojmë në tregun botëror si me koston ashtu dhe me cilësinë (për realizmin e cilësisë në prodhim nevojitet bashkërendim mes prodhuesve dhe shkencës), sektori duhet të zhvillohet nga specialistët tanë dhe mos t`i lihet të huajve―çka nënkupton se duhet të jetë pasuri shtetërore. Por këtë herë duke e organizuar ndryshe: duke synuar vendime demokratike, bashkë me specialistët dhe punëtorët, dhe duke paralelizuar zhvillimet e tjerë të burimeve energjitike.
Varianti për ta konçesionuar sektorin, të cilin e këshillojnë shumë, përmes aksioneve, nuk premton mbarëvajtje përsa kohë që sektori i naftës është strategjik për ekonominë tonë dhe dinamika e tregut botëror nuk garanton rritjen e sigurisë energjitike: në kuptimin se nafta jonë aktualisht nuk synon mbulimin e nevojave të brendshme dhe tepëricat të eksportohen dhe rezervohen por synon të mbulojë nevojat e tregut botëror―dinamikë, e cila, çon në shterimin e shpejtë të rezervave të naftës.
Për të ulur çmimet e energjisë elektrike ne duhet të përdorim me racionalitet prurjet ujore dhe paralelisht të zhvillojmë kulturën e kursimit dhe pagimit të detyrimeve nga të gjithë, jo vetëm populli por dhe klasa politike dhe administrata shtetërore. Vetë administrata e KESH-it duhet të rishqyrtohet në raport me numrin e punonjësve: nëse ka punësime të tepërta, hamendësisht partiake, duhet të pushohen. Ky rishqyrtim do të ulte koston e prodhimit të energjisë elektrike dhe për pasojë koston fundore të çmimit të saj për popullin. Në këtë drejtim do të kontribonte dhe një qeveri e vogël në ministra dhe punonjës: sepse një arsye se pse rritet çmimi i energjisë elektrike, është burokracia e qeverisë.
Në fund të fundit, kostua e prodhimit të energjisë elektrike është tejet e ulët krahasuar me çmimin në treg: vetëm “$9.64 qindarka/cents për kWh për prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen”, sipas Bankës Botërore. Kjo kosto e bën të qartë se çmimi fundor prej 9.5 lekësh për familje shqiptare është pak më i lirë se kostua e prodhimit por kjo kosto varet nga mirëmbajtja e hidrocentraleve, përmirësimi i linjave të transmetimit dhe administrata shtetërore. Kështuqë ka hapësirë për t`u ulur. Kostua fundore mund të ulet më shumë kur ka tepërica ujore: sepse energjia e eksportuar me çmim më të lartë përkthehet në më shumë kursime për administratën dhe kursimet mund të përdoren për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sektorit. Por jo pa vepruar paralelisht në nivel shoqëror, duke zhvilluar parimin e vetëmjaftueshmërisë në energji elektrike, kursimin, dhe pagimin e saj nga të gjithë. Parimi në fjalë duhet të shoqërohet me shpërqendrimin e popullit: nga metropolet drejt periferive, sepse ky lloj shpërqendrimi kursen më shumë energji elektrike.
Për sektorin e naftës Shqipëria duhet të riorganizojë institucionet shkencore dhe ndërmarrjet naftënxjerrëse. Gjykuar nga fakti se jetojmë në një fazë kritike për zhvillimin e energjive të gjelbërta, institucionet përkatëse duhet të kenë objektiv të dyfishtë: të zhvillojnë sektorin e naftënxjerrjes dhe burimet e gjelbërta. Ky objektiv i dyfishtë, krijon kushtet për specialistë të aftë në dy drejtime. Në këtë mënyrë ata kontribojnë në zhvillimin e burimeve të tjerë energjitikë dhe nuk mbeten pa punë kur burimi i naftës të shterojë.
Ky objektiv, imponon, gjithashtu, zhvillimin e rafinerive brenda vendit. Ndoshta duke zgjeruar aftësinë rafinuese të rafinerisë së Fierit. Qëllimi i rafinerive duhet të jetë përpunimi i gjithë naftës duke synuar mbulimin e nevojave të brendshme ndërsa tepëricat eksportohen dhe një pjesë shkon për rritjen e rezervave. Por ‘nevojat’ e brendshme duhet të zvogëlohen për arsye ekologjike, kryesisht për qytetarët që përdorin automjete. Dhe duke patur parasysh faktin se vendet e tjerë do të synojnë gjithashtu zvogëlimin e përdorimit të naftës, për arsye ekologjike, eksportet do të jenë të pakta. Ky fakt nuk nënkupton se nuk mund të gjenerohen fitime nga nafta: sepse siç kam treguar në vend tjetër, sektori i naftënxjerrjes në Amerikë del me humbje nëse çmimi i naftës bie poshtë 80 dollarëve...
Lidhur me përdorimin e naftës brenda vendit, ajo duhet të përputhet me nevojat dhe dëshirat e shoqërisë. Sektori i bujqësisë dhe transportit përfshihet në nevojat e shoqërisë ndërsa përdorimi i automjeteve private përfshihet në nevojat dhe dëshirat e shoqërisë. Ata që i përdorin automjetet për nevoja duhet të furnizohen me naftë me çmim që mbulon koston e prodhimit të naftës dhe në raste të veçanta, kur nevojiten kursime për shpenzime publike, në sektorin e naftënxjerrjes, në administratë apo urbanistikë, të rritet çmimi i saj, ndërsa ata që i përdorin automjetet për dëshira (shëtitje etj.) duhet të paguajnë naftë ose nënprodhimet e saj me çmim të lartë meqënse do të çlirojnë më shumë gazra dhe do të kontribojnë në rrënimin e jetës që na rrethon. Qëllimi për këtë kategori shoqërore duhet të jetë frenimi nga shëtitjet me kosto mjedisore ndërsa orientohet gradualisht drejt transportit publik.
Një mënyrë për të dalluar “nevojtarët” nga “dëshirtarët” është duke mbikqyrur kilometrat e automjetit në raport me kilometrat që bën një qytetar për të shkuar në punë ndërsa ata nxiten të përdorin shërbimin urban për qëllime ekologjike dhe shëndetësore...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 45 reads



