...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zbulohen paratë e pista të përdorura për mashtrimin e popullit gjatë fushatës: qeveria bëri kërdinë

Gjashtë faqe shpenzuan në total 36,810 dollarë në reklama politike nga 11 marsi deri ditën e zgjedhjeve

SHJ

01/06/2021 - 20:48

...Gjykuar nga kushtet shoqërore që përshkrova —dhimbja e popullit dhe efekti që shkakton ajo në raport me pushtetarët— por dhe nga nxitja e bojkotimit të partive të mëdha nga shumë veprimtarë, përfshirë dhe mua, pjesëmarrja duhet të ishte e ulët. Por nuk ndodhi kështu! Pjesëmarrja ishte më e lartë se zgjedhjet e vitit 2017 : 46.8% përkundër 47.9% : 2021. Kjo rritje ishte pasojë kryesisht e propagandës së bashkërenduar të dy partive kryesore: ato punësuan “inxhinierë socialë” izraelitë të cilët përdorën strategjinë e nxitjes së pjesëmarrjes në zgjedhje përmes “medias sociale dhe shënjestrimin e audiencave të caktuara me fushatat publicitare”. Domethënë, krijuan faqe të përkohshme përmes të cilave shpenzuan mijëra dollarë. Këtë hapësirë publike e dominoi qeveria “Rama”. Siç tregon një hetim i “Birn”:

Sipas të dhënave nga libraria e reklamave të Facebook, partitë politike dhe kandidatët për deputetë shpenzuan rreth 300 mijë USD në reklama politike nga 11 marsi deri në prag të ditës së zgjedhjeve...nga dhjetori 2020 deri në prill 2021, “Untold Stories of Albania” publikoi 44 video, të cilat u panë 3.75 milionë herë...“Çorapja”- një faqe e satirës politike, që ndonëse ka vetëm 6,839 ndjekës, ishte megjithatë e aftë që të siguronte 11.7 milionë shikime të videove të postuara prej saj nga shtatori 2020 deri në shkurt 2021. Një tjetër faqe e quajtur ‘Pakez Drite’, e cila promovon projektet qeveritare të turizmit rural publikoi gjithashtu reklama negative kundër opozitës dhe regjistroi 18.25 milionë shikime, ndonëse ka vetëm 5,326 ndjekës. Faqja ‘Pune Pune’ ka 1,364 ndjekës, por reklamat e saj politike u panë 7.9 milionë herë. Të tre[ja] këto faqe u krijuan në të njëjtën ditë –më 3 shtator 2020. Dy faqe të tjera, të cilat u krijuan më 11 dhe 13 nëntor 2020 – ‘Ligj dhe Rend’ dhe ‘Te Jesh Grua’ – patën sukses të ngjashëm. “Ligj dhe Rend” regjistroi 3.39 milionë shikime me vetëm 896 ndjekës, ndërsa “Te jesh Grua” mori gati dyfishin e shikimeve, ndërsa ka të regjistruar vetëm 1,785 ndjekës. Një analizë e fjalëve të përdorura në rreth 800 reklamat e publikuara në këto faqe tregon se ato përmbajnë shpesh mesazhe politike të përdorura në fushatë nga Partia Socialiste; përfshirë termat “mandati i tretë”, “punë jo gjumë”, “s’ka kohë për pushim”, “Voto PS” ose “Voto 12”. Sipas të dhënave të Crowdtangle, gjashtë faqet e identifikuara të Facebook-ut për përdorimin e parave të errëta regjistruan në total 51.44 milionë shikime të videove nga shtatori 2020 deri në ditën e zgjedhjeve, një shifër kjo 18 herë më e lartë sesa popullsia prej 2.8 milionë e Shqipërisë. Numrat e telefonit të listuara në këto faqe të Facebook-ut ishin jashtë shëbimit, ndërsa përpjekjet për t’i kontaktuar përmes mesenxherit dhe emailit mbetën pa përgjigje. Sipas librarisë së reklamave të Facebook, këto gjashtë faqe shpenzuan në total 36,810 dollarë në reklama politike nga 11 marsi deri ditën e zgjedhjeve.

Këtë objektiv e ndihmoi dhe organi i patronazhistëve që kishte krijuar Rama: të dhënat e tyre lidhur me prirjet e zgjedhësve kanë qenë të vyera për këtë fushatë.     

Për më shumë, këtu:

Zgjedhjet e 25 prillit dhe arsyet e fitores së partisë “socialiste”: intesifikimi i dhimbjeve shoqërore dhe sfidat e drejtësisë

*Karikatura shoqëruese është e Bujar Kapexhiut 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA