Lefter Koka: 'kodra pas bregut' lidhur me shkatërrimin e mjedisit
01/12/2016 - 15:25
Shënim: Lefter Koka na tha së fundmi, se Kodi Penal paska “mangësi” lidhur me mbrojtjen e mjedisit: sepse shumë subjekte nuk marrin dënimin e merituar. Domethënë, Kodit Penal i mungon karakteri ndëshkues/dënues për subjektet që administrojnë ligjin e mjedisit: d.m.th. kryetarët e bashkive. Nga ana tjetër, i njëjti ministër u bënë thirrje të njëjtëve kryetarë të respektojnë ligjin dhe të dalin jashtë ambicieve politike! Domethënë, na thotë se ligji për mjedisin, mungon dhe nuk mungon! Nga ministra të tillë, rrjedhimisht, do të ishte utopi të kërkonim kumptimin e shkaqeve të shkatërrimit të mjedisit dhe luftimin e tyre: sepse dy janë shkaqet krysore: së pari, se kryebashkiakët ‘përzgjidhen’ nga partitë në pushtet për t’u shërbyer së pari partive, dhe si të tillë, janë pa autonomi politike dhe juridike dhe së dyti, ata nuk zhvillojnë dashuri dhe dije për shkaqet e shkatërrimit të pyjeve dhe si të tillë s’kanë asnjë mundësi për ta mbrojtur atë pavarësisht se mund të hartohet dhe miratohet ndonjë ligj normativ. Siç citon, për më shumë, një e përditshme:
“Mangësitë në Kodin Penal për mbrojtjen e mjedisit kanë bërë që dekadën e fundit në vendin tonë të ketë më pak pyje. Të ndodhur përballë një vakumi ligjor shumë subjekte që bëjnë shkelje në mjedis nuk marrin dënimin e merituar”.
Këtë deklaroi ministri i Mjedisit Lefter Koka në takimin vjetor të Grupit Ndërinstitucional kundër Krimit Mjedisor.
Koka i bëri thirrje kryetarëve të bashkive të respektojnë ligjin, të dalin jashtë ambicieve politike.
“Leja mjedisore ka një sërë kushtesh për të mbrojtur mjedisin dhe ky është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Nëse shfrytëzimi i inerteve do jetë në mënyrë më racionale do kemi rrugë më cilësore. Ka mangësi në kodin penal. Shumë nga subjektet që bëjnë shkelje ndodhen përballë një vakumi ligjor, ku nuk marrin dënimin e merituar. Në 10 vitet e fundit Shqipëria ka 14 përqind pyje më pak. Importojmë 200 mijë metër/kub dru dhe 100 mijë m3 qymyrgur. Pyjet duhet të administrohen nga vete bashkitë, por kryetarët e bashkive nuk e shohin sektorin e pyjeve si sektor prioritar. I bëj thirrje të respektojnë ligjin, të dalin jashtë ambicieve politike”, deklaroi ministri Koka.
Kryetari i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt tha se do të vazhdojë të mbështes Shqipërinë në përpjekjet për të përmirësuar qeverisjen mjedisore.
“Në Shqipëri kemi mbështetur përpjekjet e partnerëve tanë për të përmirësuar qeverisjen mjedisore. Të gjithë e dimë, Shqipëria ka natyrë magjepse. Këto burime natyrore janë jetësore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë dhe mirëqenien shëndetësore të qytetarëve. Por gjate 25 viteve të fundit, këto burime kanë qenë nën presion ndaj ndërhyrjeve të paligjshme. Krimi mjedisor kërcënon burimet natyrore të Shqipërisë dhe është problem për një rritje ekonomike të sigurtë. Këto sfida kanë nevojë për një reagim të përgjithshëm. Grupi ndërinstitucional kundër krimit mjedisor ka potencial të luaj rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Arritjet konkrete varen nga zbatimi i një plani veprimi të strategjisë. 2017 duhet të bëhet viti i aksionit kundër krimit mjedisor. Po aq i rëndësishëm është përkushtimi i fortë që ky grup të arrijë rezultate të rëndësishme”. Dita
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 57 reads



