...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Humbja e madhe e shqiptarëve në Maqedoni

Bedri Islami (Dita)

13/12/2016 - 12:15

Vetëm një herë dukej se do të ishte e mundur që i gjithë faktori politik shqiptar në Maqedoni do të dilte me një listë të vetme zgjedhore. Kjo ndodhi menjëherë pas luftës, kur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Arbën Xhaferi dhe Ali Ahmeti, krijuan një strukturë të posaçme, të vetme, Këshillin Koordinator Shqiptar. Ishte ende pa u krijuar Bashkimi Demokratik për Integrim. Ushtria Çlirimtare Kombëtare sapo kishte filluar demilitarizimin e saj dhe me shpejtësi të jashtëzakonshme po ngriheshin strukturat e përbashkëta politike, kur befas gjithçka u shemb, si një kështjellë rëre.

Partia Demokratike Shqiptare, nën presionin e Menduh Thaçit, në ditët kur tek Arbën Xhaferi po trokiste sëmundja e rëndë, prishi gjithçka dhe u kthye edhe një herë në pozicionin e saj të kahershëm.

Është folur shumë asaj kohe se Menduh Thaçi e prishi këtë koalicion për dy arsye themelore: Kështu i erdhi urdhri nga Shërbimi Sekret maqedonas, dhe, e dinte se përmes këtij bashkimi politik nuk do të mund të zaptonte edhe qytetet e tjera siç kishte zaptuar Tetovën.

Ndarja e pamend, njëkohësisht e pashoqe, solli fillesën e nëpërkëmbjes së faktorit politik shqiptar në trevat e tyre nën Maqedoni dhe zgjedhjet e të dielës së fundit ishin ndër ato më të paduhurat për shqiptarët.

Megjithëse një e treta e popullsisë në Maqedoni, ata, të gjitha sëbashku, partitë politike shqiptare, nuk morën as njëzet për qind të deputetëve. Nga 120 deputetë që do të jenë në parlamentin maqedon, vetëm 20 prej tyre mendohet se mund të jenë nga partitë shqiptare.

Për shkak të balancës, thuajse së barasvlefshme, të partive politike maqedonase, asnjëra prej tyre nuk do të mund të krijojë një qeveri pa mbështetjen e partive politike shqiptare. Por kjo nuk është fitore, kjo është humbja e vlerave përfaqësuese, jo nga merita e kundërshtarit, por nga qorollepsja e politikës shqiptare.

Përndarja politike, ku shqiptarët u paraqitën me dy herë më shume subjekte elektorale se sa maqedonasit, votimi i një numri jo të paktë të shqiptarëve për social demokratët maqedonas, përfshirja e emrave të njohur të intelektualëve shqiptarë në listat maqedonase dhe tërheqja e votave pro tyre, ishin vetëm faktorët që u dukën, por jo të vetmit.

Mentaliteti politik në këto treva është i habitshëm. BDI e drejtuar nga Ali Ahmeti futi në listat e saj edhe një përfaqësues nga shqiptarët ortodoksë të konvertuar forcërisht shumë vite më parë në maqedonas. Mijëra të tillë, edhe të shquar në fushat e tyre, kanë pasur të njëjtin fat.

Menjëherë pas saj, mediat e lidhura me linja ekstreme islame turfulluan se BDI po i shkel me këmbë myslimanët dhe po vendos kaurë.

Të njëjtët duartrokitën kur në listat maqedonase ishin edhe shqiptarë.

Roli i lëvizjes radikale islame ishte në këtë fushatë i ndjeshëm, turbullues dhe herë pas here, në disa zona, përcaktues. Kjo nuk është kurrfarë pranvere ballkanase, kjo është furia që vjen nga lëvizjet radikale islame turke, të kapërcyera kufijsh dhe të bëra tashmë forca reale në politikën shqiptare.

Partia shqiptare e njohur shkurtimisht si BESA, është pa asnjë dyshim me frymëzime të fuqishme radikale dhe ka mbështetjen e lëvizjes ekstreme islame. Ajo qëndron pas disa lëvizjeve erdoganiste dhe ka mbështetjen e strukturave të shtetit turk.

Informacione tepër të besueshme kanë bërë të njohur shumë më herët se struktura të rëndësishme të qeverisë turke kanë ndërhyrë në shtetin shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës për të mbështetur këtë forcë politike. Fakti që radikalë të njohur islam brohoritën edhe në Tiranë, dëshmon shumë më tepër se sa duket.

Informacione, po ashtu tepër të besueshme, kanë pohuar edhe ndërhyrjen e strukturave të veçanta të shërbimeve ruse, jo vetëm në mbështetjen e politikës nacionaliste dhe agresive të Gruevskit, por edhe në segmente të politikës shqiptare. Diplomatë rusë kanë pasur kontakte me politikanë shqiptarë në Maqedoni dhe synimi i tyre ka qenë i tejshkruar nga idea se, me çdo kusht duhet të synohet minimizimi i influencës së BDI në jetën politike në Maqedoni.

Lehtësimi i politikanëve shqiptarë në Shqipëri, sepse tani filloi largimi i liderëve të vjetër, është marramendshëm një skanim fals i së vërtetës, ose qëllimi i mbulimit të kësaj të vërtete.

Liderët e vjetër në Maqedoni kanë kusuret dhe gabimet e tyre. Disa u ndëshkuan rreptë, si Menduh Thaçi, i cili tani diskuton nëse do të ketë dy deputetë, por edhe Ali Ahmeti, që do të ketë numrin më të pakët të deputetëve që kur është bërë pjesë e politikës në Maqedoni.

Fitorja që mori BDI i ngjan fitores së Pirros, por, prej disa muajve, nga të gjitha strukturat e shtetit maqedonas, por edhe nga linjat ekstreme islame, BDI është goditur pambarimisht, ashtu si është vetgoditur nga korrupsioni në nivele të larta qeverisëse.

Dhe është normale që do të ketë pasojën e saj.

Ali Ahmeti ka tani kohën e duhur për të bërë riformatimin e duhur të partisë që drejton. Megjithëse qeveria e re nuk do të mund të bëhet pa forcat politike shqiptare, dhe është e mundur që BDI të jetë përsëri në qeverisje, Ahmeti, duhet të mendojë që në ditën e parë se si do të mund të bëjë të mundur mosdëmtimin e tij në qeverisje dhe forcimin e asaj që është arritur.

E diela ishte një ditë humbje për shqiptarët.

Ata e përgatitën vetë këtë humbje. E bënë me ndërgjegje të plotë, sepse secili veç e veç dhe të gjithë sëbashku, e dinin mirëfilli se kjo do të ndodhte.

Shqiptarët do të kenë tani ndoshta 12 deputetë më pak se sa i takonin.

Nëse do i kishin ato, pavarësisht se në emrin e cilit, ata do të kishin të drejtën të kërkonin kryesimin e Kuvendit maqedonas, por edhe të tjera, të cilat, asnjëherë, nuk duhen parë si petk politik apo ambicie e kënaqur, por si një mundësi për të faktorizuar më tej të drejtat e tyre kombëtare.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA