Krimet politike të Veliajt si kryebashkiak dhe trushpëlarja e qytetarëve
Një krim tjetër që lidhet sjelljen e qeverisë “Rama”, pjesë e së cilës është dhe Veliaj, kur prish banesat e banorëve, me leje apo pa leje: ajo përdor dhunë dhe shkakton dhimbje në vend të përdorë bindjen dhe të synojë lumturinë e banorëve
Ylli Përmeti
21/03/2018 - 15:39
Nga gjashtë vjet e ca në krye të Bashkisë së Tiranës - Veliaj ka kryer katër krime kryesore të karakterit politik: i pari është vdekja e adoleshentit në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrëz për të cilin Veliaj dhe Rama nuk denjoi, në dijeninë time, as të takonte familjarët! Ky lloj krimi është pasojë e pakujdesisë (pakujdesia me radhë buron nga mungesa e dijes për të parashikuar gjëma ndërsa administratorët synojnë kryesisht të ulin koston e prodhimit dhe rrisin fitimet) së nënkontraktorit dhe lidhet drejtpërdrejt me krye-administratorin e bashkisë: Veliajn. Në sytë e drejtësisë Veliaj është përgjegjës sipas doktrinës së “pergjëgjësisë së deleguar”. Sipas të njëjtës doktrinë mund të dënohet Berisha për Gërdecin. Në fakt krimi vazhdon meqënse shumë fëmijë të varfër vazhdojnë të zhyten përditë në rreziqe shëndetësore duke mbledhur kanaçe etj.
Krimi i dytë, për nga rëndësia, është krimi me lejet e ndërtimit. Ky vjen pas krimit njerëzor — sepse krimi njerëzor është gjithnjë i pari. Ky lloj krimi është disa herë krim: sepse po shfrytëzohen parátë e drogës (ky lloj krimi në sytë e drejtësisë quhet “larje parash”). Me këto pará po investohet kryesisht në ndërtim: ky lloj investimi është krim qoftë lidhur me llojin e parave që po përdoren lidhur me ekosistemin.
Një krim tjetër që lidhet sjelljen e qeverisë “Rama”, pjesë e së cilës është dhe Veliaj, kur prish banesat e banorëve, me leje apo pa leje: ajo përdor dhunë dhe shkakton dhimbje në vend të përdorë bindjen dhe të synojë lumturinë e banorëve. Lidhur me dhimbjet që shkakton, qeveria përdor argumentin se ajo i përmbahet ligjit: domethënë, se ajo njofton banorët përpara se të prishen ndërtesat e tyre (zakonisht më shumë se një muaj përpara se të prishen) duke i njoftuar dhe rrugëzgjidhjen (zakonisht duke u gjetur banesa të reja dhe duke i dëmshpërblyer). Kështu veproi si në rastin e lagjes “Astir” ashtu dhe në rastin e lagjes “5 maji” në Tiranë. Në rastin e parë rikonceptoi rrugën automobilistike ndërsa në rastin e dytë ndërton një “kompleks” të ri bansesash dhe rrokaqiejsh.
Lagjja nuk ndërtohet sepse është gjykuar se është absolutisht e nevojshme (sepse dihet se Tirana ka plotë pallate të pabanuar) por kryesisht sepse sektori i ndërtimit është i lidhur ngushtë me pushtetin politik dhe synon të krijojë një tjetër mundësi për të fituar. Kësaj prirjeje i shtohet dhe synimi i vetë Veliajt për të “zhvilluar” Tiranën: sepse ai ka premtuar gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 se:
“Unë e kam thënë shpesh herë në dëgjesat e ndryshme me banorët e Tiranës, se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim. Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve Europiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë. Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht, do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale. E thënë shkurt, nuk do të ketë ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë. Për sa u përket lejeve të dhëna në mënyrë tërësisht abuzive nga Lulzim Basha, si ato tek diga e Liqenit, deklaroj edhe një herë se jam kundër tyre dhe se do të kem një betejë ligjore me to në gjykatë”.
Kështu ndërsa për rastin e lagjes së “Astirit” qeveria iu përshtat dinamikës që krijon vetë lidhur me përqendrimin e popullatës në kryeqytet dhe krijimin e klasave shoqërore të cilat parapëlqejnë të udhëtojnë me “mendere” të ulur se sa me këmbë apo dyrrotak, Lagjja “5 maji” dihet se është pranë qendrës së qytetit dhe nuk mund të quhet zonë “periurbane” apo “rurale” siç premtoi Veliaj. Qoftë edhe për rastin e “Liqenit” kryebashkiaku i Tiranës nuk e mbajti premtimin: sepse pesë kullat e miratura nga Basha (ky e përdori parkun e liqenit në vitin 2011 duke premtuar zhbërjen e projekteve të ndërtimeve të Ramës që kishin filluar me Berishën si kryeministër dhe Ramën si kryebashkiak dhe kthimin e tij në hapësirë publike të gjelbër) vazhdojnë punimet pavarësisht se Veliaj premtoi (kur nuk ishte kryetar bashkie) dhe u përpoq në gjykata për t`i ndaluar ato.
Në fakt, bashkia e Tiranës me në krye Veliajn ka dështuar edhe lidhur me premtimin e saj se do të “rriste mbledhjen e taksave”: “Njerëzit nuk ankohen për taksat e larta, [por] për padrejtesitë, për bashkinë që nuk arrin të mbledhë dot të ardhurat, janë disa të nënës, disa të njerkës, dikush paguan, dikush jo”, tha Veliaj në forumin ekonomik të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë në qershor të vitit 2015. Këtë premtim e përsëriti dhe në vazhdim.
Veliaj i rriti dhe taksat e bashkisë që në vitin e parë të detyrës së tij të re, jo pak por tetë herë më shumë! Si pasojë, mbledhja e taksave u rrit gjatë vitit të parë me 60%. Një vit më pas ai rriti taksat ndaj ndërtimeve ose taksën e ndikimit në infrastrukturë”; dyfishoi taksën mbi pronën e paluajtshme; rriti taksën për parkimin dhe për infrastrukturën arsimore; dhe e uli tarifën e hapësirës publike. Paralelisht filloi të jepte leje ndërtimi. Për shembull, “në vitin 2018, u dhanë 1,194 leje, në vitin 2019, rreth 1,094 leje, dhe për gjashtë muajt e parë të vitit 2020 ishin 393 leje”.

Kjo dinamikë vazhdoi gjatë dy vitet e fundit. Kështu bashkia filloi të varësh nga të ardhurat e sektorit të ndërtimit duke zënë 44% të buxhetit të saj. Si pasojë, ajo rriti të ardhurat nga sektori i ndërtimit me gati 45% në vitin 2020. Për evazionin fiskal ose “shmangia” nga detyrimet ndaj shtetit nuk ka raporte për Tiranën. Por fakti që ka shkelur mbi premtimet e tij, Veliaj nuk do ta kishte problem të përjashtonte nga taksat “tarafin” e tij!
Krimi i tretë është mbjellja e pemëve: sepse pemët po mbillen pa studim dhe për pasojë ato nuk mund të sigurojnë as jetë-gjatësi, as mund të kompensojnë nevojat e qytetarëve të qytetit me fruta dhe as garantojnë në shkallë të lartë mbajtjen e tokës nga ujërat dhe veprimtaritë njerëzore. Si të tilla, ato do të ngrejnë koston me një fushatë tjetër mbjellëse: sa më e vogël të jetë jeta e një bime aq më shpesh do të mbillet! Nuk është e rastit që për krizën ekologjike në Gjirokastër kam propozuar mbjelljen e vidhave. Ky lloj krimi, është ekonomik dhe social: sepse janë angazhuar seksione të ndryshme të shoqërisë për të bindur qytetarët se fushata e Veliajt është për t’u marrë shembull, kur dihet se mbjelljet janë spontane dhe pa kurrëfarë perspektive dhe propagandohen për të mbuluar krimin e betonizimit të mëtejshëm të Tiranës.
Ky krim shoqërohet me një krim tjetër, që është i karakterit mediatik: sepse Veliaj propagandon fushatën e tij – jo me gazetarë të atashuar pranë qendrave mediaktike me leje që supozohet se do të jenë ‘objektivë’ në paraqitjen e ‘propagandës’ por me punonjës “gazetarë” që e paraqesin propagandën sipas skenarit të Veliajt. Nëse vepronte njëlloj Enveri, për mbjelljet që u kryen përgjatë socializmit marksit, do t’i duhësh të qendronte përpara kamerave jo thjesht një copë herë por edhe natën: sepse Shqipëria u gjelbërua dhe u stolisë aq shumë sa sot na duket utopi. Këtë krim e riprodhojnë dhe televizionet kur pranojnë —duke nënvlerësuar punën e tyre dhe duke shkelur dhe deontologjinë gazetareske— videot e politikanëve.
Krimi i katërt, përmes të cilit kryebashkiaku tregon karakterin e tij të vërtetë, kriminal, është largimi i qenve të braktisur nga rrugët e Tiranës! Qartësisht, “shkencat politike” kanë patur një efekt kriminal në sjelljen e tij: shtirjen — domethënë, ndryshe paraqitet në prapagandë dhe ndryshe veprohet. Kur një njeri vepron kështu – dhe për më tepër vret kafshët, kur dihet se mund të krijohen kushtet institucionale për t’u kujdesur për to, ai është tejet i rrezikshëm për shoqërinë: sepse mund vrasë me të njëjtën pandjeshëri dhe njerëzit. Krime të tjerë pasojnë në punë të tjera –tenderuese dhe propaganduese- bashkiake. Këta janë krimet kryesorë që duhet të hetohen. Në këto krime marrin pjesë në përqindje të ndryshme edhe kryebashkiakët e tjerë.
Përditësuar
Lexo, për më shumë:
Padija dhe krimet e “qeverisë Rama” dhe klasës politike: 2013-2017 (Ylli Përmeti)
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 764 reads



