...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Greva e banorëve të Zharrëzit detyroi autoritetet të hetojnë investimin e Sorosit?

Isa Myzyraj

27/12/2016 - 21:26

Banorët e Zharrës kanë një  kërkesë kryesore: ngritjen e një komisioni për të hetuar se nga vijnë tërmetet. Banorët kanë argumentuar disa herë se lëkundjet e tokës aty nuk janë tërmete por tronditje që vijnë nga kompania Bankers Petrolium. Banorët akuzojnë Bankers për shpërthimet që bëhen në puset e naftës. Në Zharrëz janë rreth 800 familje që rrezikojnë nga këto troditje. Sipas banorëve dridhjet nuk mund të quhen tërmete. Banorët tregojnë se jetesa për ta është bërë e rrezikshme, qoftë nga frika e humbjes së jetëve njerëzore qoftë nga shembja e shtëpive dhe mungesa e një kulmi mbi kokë. Greva e urisë e nisur disa ditë më parë u përballë me arrogancën e pushtetarëve. Banorët janë shprehur se ndihen të rrezikuar nga tronditjet dhe njëkohësisht kërcënohen nga policia për të ndërprerë protestat e tyre. Tashmë rreth 30 shtëpi janë të pabanuara dhe dimri do t’i gjejë në qiell të hapur. Banorët që hynë në grevë urie refuzuan mjekimin edhe pse gjendja e tyre shëndetësore u përkeqësua.

Reagimet e pushtetarëve

Ndërsa banorët zhvillonin grevën e urisë dhe kërkuan zgjidhje të menjëhershme, ata i vizitoi prefekti i Fierit.Por banorët nuk e lejuan të bashkëbisedojë me ta dhe e nxjerrën jashtë duke argumentuar se kërkesat e tyre ishin mjaft të qarta. Deputetët e Partisë Demokratike, Bedri Mihaj dhe Kozma Dashi ishin sot pranë banorëve të Zharrëzit që janë futur në grevë urie, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për problemet e rënda që kanë shkaktuar në këtë zonë punimet e Bankers. Deputetët Mihaj dhe Dashi rikonfirmuan mbështetjen për kërkesat e banorëve dhe kërkuan që qeveria të reagojë menjëherë e të ofrojë zgjidhje pasi gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar.

“Greva e urisë është një sakrificë sublime që e bën kushdo që i futet një rruge të tillë demonstrative për të zgjidhur hallet kur janë diskutuar shumë herë, nuk kanë gjetur zgjidhje, dhe është veprimi i fundit që bëjnë qytetarët. Duke qenë se është një sakrificë sublime, natyrisht që priten probleme shëndetësore. Pesë persona kanë qenë në spitalin e Fierit, ata kanë marrë ndihmën e nevojshme, u është dhënë mjekim ambulator dhe katër janë rifutur, ndërsa një është ende në spitalin e Fierit. Nëse problemet e tyre nuk do të zgjidhen, këta do të vazhdojnë, e kanë bindje që do ta vazhdojnë grevën e urisë dhe rreziqet për jetën bëhen evidente. Në këtë aspekt, i bëj thirrje qeverisë, kryeministrit, si deputet i qarkut të Fierit, që duhet patjetër ti futet seriozisht problemeve që ka kjo zonë sepse janë probleme që rrezikojnë jetë njerëzish, rrezikojnë pronat e tyre, rrëzikojnë të ardhmen e tyre”, u shpreh deputeti Mihaj.

Kryetari i grupit parlamentar Petrit Vasili, kërkon që të ngrihet me urgjence komisioni qeveritar, për t’i dhënë fund problemeve te kësaj zone. Sipas tij, tani është koha për ndërhyrje emergjente. Vasili shprehet se gjendja e grevistëve është e rëndë dhe se letra e një grupi deputetesh te zonës, shpreh shqetësimet e komunitetit. 

Heshtja e qeverisë dhe “Soros”

Heshtja e qeverisë “Rama” për grevën e urisë të këtyre banorëve ka bërë që portalet informative t’i “futen” më thellë kësaj çështje, dhe sot “Syri.net” ka nxjerrë në dritë një dokument që vërteton se milardieri amerikan Xhorxh Soros ka pjesën e vet në kompaninë kanadeze, Bankers Petroleum. Në vitin 2010, Soros bleu 20% të aksioneve të Kompanisë Bankers për një shumë prej 66 milionë Dollarësh. George Soros njihet për lidhjet që ka me politikanë të majtë dhe financimet që bën përmes fondacioneve të tij. Në Shqipëri janë disa politikanë të majtë që kanë lidhje me Soros dhe me shoqatat e tij.

Reagimi i vonuar i qeverisë: ngrihet grupi ndërministror

Sot më datë 27 Dhjetor 2016, Kryeministri z. Edi Rama, me propozimin e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, ka urdhëruar “Ngritjen e grupit ndërministror të punës për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në zonën e fshatit Zharrës dhe për përcaktimin e masave që duhet të merren në varësi të shkaqeve të ndodhjes së fenomenit të lëkundjeve të tokës”.

Në mbështetje të këtij urdhri: ky grup ndërministror pune do të vlerësojë situatën e krijuar nga lëkundjet e tokës në zonën e fshatit Zharrës, si dhe përcaktimin e masave që duhet të merren në varësi të shkaqeve të ndodhjes së fenomenit të lëkundjeve të tokës. Grupi i Punës do të drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe në përbërje të tij do të këtë anëtarë, përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë;- Ministria e Mjedisit dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Grupi ndërministror i punës do të asistohet e këshillohet nga ekspertë të fushave përkatëse të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Albpetrol sh.a, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), me qëllim:

– për të vlerësuar dhe përcaktuar masat që duhet të merren nga ana e operatorit që kryen aktivitet hidrokarbur në këtë vendburim, bazuar në rekomandimet e bëra nga IGJEUM-i në raportet përkatëse mujore;

– masat që duhet të merren nga Drejtorinë e Përgjithshme e Emergjencave Civile për përmirësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës, duke bërë edhe vlerësimin përkatëse;

– për të nisur bashkëbisedimin e përbashkët me përfaqësues të operatorit që kryen aktivitet hidrokarbur në këtë vendburim për sqarimin  e situatës së krijuar dhe evidentimin e shkaqeve të lëkundjeve të tokës në zonën e Patos –Marinzës, ku kryhen aktivitete hidrokarbure.

– për të vlerësuar kërkesat e bëra nga IGJEUM në raportet mujore për të mundësuar përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në marrëveshjen e datës 21 janar 2016, që lidhet me monitorimin, vlerësimin dhe dokumentimin e vazhdueshëm të aktivitetit sizmik në vendburimin e Patos-Marinzës, ku kryhen aktivitete hidrokarbure sipas marrëveshjes hidrokarbure dhe licencës përkatëse, si dhe trajtimin e sugjerime të bëra nga ky monitorim;

– për të ndjekur të gjitha procedurat për të mundësuar angazhimin e ekspertëve të huaj për përcaktimin e shkaqeve të lëkundjeve të tokës në zonën e Patos –Marinzës,  si dhe masa te tjera që do te vlerësohen të nevojshme .

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ngelet e angazhuar  të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të adresuar shqetësimet e komunitetit në respekt të legjislacionit në fuqi.

Masat e ndërmarra deri më sot nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë:

Që në fundin e vitit 2013, qeveria ndërhyri për t’i dhënë jetë procesit të dialogut mes banorëve, kompanisë dhe pushtetit lokal. Në sajë të marrëveshjes së nënshkruar mes Bankers Petroleum-Albpetrol dhe IGJEUM u mundësua vendosja e dy aparateve sizmomatëse për monitorimin e vazhdueshëm të lëkundjeve sizmike në zonë. Këto të dhëna administrohen sot prej Institutit të Gjeoshkencës që ka hartuar dhe raportet paraprake analitike të cilat gjithsesi nuk konsiderohen prej tij të mjaftueshëm për daljen në konkluzion përfundimtar.

Nga strukturat shtetërore është vendosur nën monitorim të plotë aktiviteti i kompanisë në çdo pus ku kryhet aktiviteti i kërkimit të naftës. Kompania raporton pranë Albpetrol për aktivitetin që kryen dhe transmeton të dhënat e kërkuara.

Së bashku me Zyrën e Avokatit të Ankesave, Këshilltarit dhe Përputhshmërisë (CAO), zyrë e pavarur mbështetur nga Banka Botërore, MEI ka zhvilluar disa takime informuese me banorët.

Me rikthimin e lëkundjeve, në ambientet e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë është organizuar një takim informues ku kanë marrë pjesë përfaqësues të CAO, Ministrisë, Albpetrolit, Kompanisë Bankers Petroleum, pushtetit lokal, banorëve të zonës, përfaqësues të protestuesve, Institutit të Gjeoshkencës. Ata janë njohur me situatën më të fundit dhe masat që po ndërmerr qeveria për zgjidhjen e problematikës.

Protestuesit dhe grevistët janë vizituar në terren nga zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë Ilir Bejtja dhe drejtues të tjerë të institucioneve shtetërore.

Ministri i Energjisë ka urdhëruar ngritjen e grupit të punës për marrjen e të gjitha masave në përmbushje të kërkesave të IGJEUM-it me synim daljen në një raport zyrtar për shkaqet e lëkundjeve dhe hapjen e rrugës për marrjen e masave të mëtejshme.

Në datën 26 Dhjetor, Ministri i Energjisë ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të injektimit të ujit teknologjik në puset e lokalizuara përreth fshatit Zharrës deri në një njoftim të dytë. Ministria ka kërkuar nisjen e dialogut të përbashkët me përfaqësues të kompanisë Bankers dhe grupit të punës së ngritur me urdhër të ministrit nr. 423 për sqarimin e situatës së krijuar dhe gjetjen e shkaqeve të lëkundjeve. Është kërkuar gjithashtu, të ndiqen të gjitha procedurat për të mundësuar angazhimin e ekspertëve të huaj për vlerësimin e situatës dhe rekomandimin e masave përkatëse që duhet të merren në varësi të konkluzioneve rreth shkakut të lëkundjeve.

Mbyllja e grevës

Përfundon në ditën e shtatë greva e nisur nga banorët e Zharrëz. Më poshtë janë kërkesat e banorëve:

-Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të tronditjeve;

-Të shpallet zonë emergjence dhe familjet të cilat i kanë shtëpitë të pabanueshme, të ndihmohen.

-Të vlerësohen dëmet e shkaktuara nga tronditjet.

-Të largohet gjithë popullata në rast se vazhdojnë tronditjet.

 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA