Goditja përfundimtare e Greqisë do të vijë për pesë vjet
SHJ
28/01/2017 - 09:18
Vërtetohen, edhe një herë, parashikimet që kemi argumentuar vitet e fundit, për Greqinë. Ndër ta, edhe Ylli Përmeti. Dhe kemi treguar se çfarë kërkohet që Greqia të dalë nga kriza e rëndë që ka rënë. Mirëpo, populli grek është përçarë nga partitë dhe nuk përqafon një program-projekt. Tashmë vjen FMN-ja, me një raport të nxjerrë, dhe argumenton se Greqia përballet me një borxh publik “shpërthyes”. Domethënë, brenda pak dekadash vendi do të ketë një borxh publik thuajse tre herë sa prodhimi ekonomik vjetor, po mos të lehtësohet nga një borxh i rëndësishëm. FMN-ja sjell një portret më të zymtë se viti i kaluar, duke paralajmëruar se barra e borxhit është “tejet e paqendrueshme” dhe nuk do të përmirësohet qoftë edhe nëse ajo zbatonte reforma të tjera të rekomanduara nga fondi. Barra e borxhit do të arrijë 170 për qind të PPB-së në vitin 2020-të, dhe 164 për qind në vitin 2022, por do të jetë “shpërthyes më pas” dhe do të rritet në 275 për qind të PPB-së në vitin 2060. Për të njëjtën arsye, FMN-ja përsërit thirrjen për një përshtatje fiskale më pak agresive se ç’ka kërkon BE-ja dhe rekomandon për reforma të mëtejshme (privatizime!) të sistemit të pensioneve dhe përmirësim në mbledhjen e taksave, gjithashtu dhe themelimin e një rrjeti më të fuqishëm sigurie për të ndihmuar ata që do të ndikohen më shumë nga kriza.
Nga ana tjetër, ky paralajmërim, do të ndalojë, sipas rregullave të fondit, FMN-në për të marrë pjesë financiarisht në shpëtimin aktual, një pjesëmarrje që vendet si Gjermania e kanë kushtëzuar për të qenë pjesë e shpëtimit dhe për të mbështetur. Kështu, megjithëse një numër i madh i anëtarëve janë të patundur që FMN-ja të marrë pjesë në shpëtimin e rradhës, dritarja e mundësisë për një marrëveshje po mbyllet për shkak të zgjedhjeve këtë vit në Europë. Zgjedhjet fillojnë në mars në Hollandë, dhe më tej Francë dhe Gjermani. Marrëveshja bëhet edhe më e vështirë kur ministrat e eurozonës besojnë se gjendja ekonomike në Greqi është përmirësuar, meqënse ajo realizoi një tepëricë primare nën programin aktual. FT
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 881 reads



