Ylli Përmeti: Enveri meriton shtatore dhe nderime nëse i përmbahemi himnit dhe kuptimit të tij të luftës
Për nga natyra, lufta e Enverit dhe komunistëve shqiptarë, është më heroike se e sovjetëve.
Ylli Përmeti
04/10/2019 - 10:50
Në kuadër të debatit që po zhvillohet për shtatoret e drejtuesve të shtetit shqiptar, po publikojmë një kritikë-editorial të Ylli Përmetit:
Viktori i “Dita-s”, i cili vërtet ka qendrim të drejtë ndonjë herë, shkruajti dje për Zogun dhe Hoxhën, pasi citoi një varg të himnit tonë kombëtar në fillim të qendrimit të tij—“Prej lufte veç ai largohet / Që është lindur tradhëtor”— se “Mendjet normale dhe ndërgjegjet e painfektuara do të konkludonin se, as shtatorja e Enver Hoxhës dhe as ajo e Ahmet Zogut nuk kanë vend në Tiranë. Nëse shkohet me mendësi të tjera do të kemi, pas pak kohësh, edhe shtatore të Berishës, Nanos e kështu me radhë. Jo!”
Dy janë padrejtësitë e autorit në këtë qendrim:
- së pari, nuk zbaton parimin e himnit mbi individët që përmend, Zogun dhe Hoxhën—kur dihet se Hoxha nuk iu largua luftës si përgjatë luftës antifashiste ashtu dhe përgjatë socializmit marksist – kjo e fundit nga Hoxha dhe marksistët e shekullit të kaluar kuptohësh në terma marksistë, domethënë, “se pushteti komunist është dhunë e organizuar kundër klasës borgjeze”…ndërsa Zogu iu largua luftës me largimin e tij kur na pushtoi ushtarakisht Italia fashiste...pa përmendur mungesën e luftës së tij kur mbretëronte dhe kur na pushtoi ekonomikisht dhe kulturalisht Italia…dhe kur pushtetin e morën komunistët filloi të minonte pushtetin nga jashtë! Si i tillë, Zogu ishte disa herë i padrejtë;
- së dyti, Viktori ngatërron Zogun dhe Hoxhën me Berishën, Nanon e të tjerë pas tyre: sepse këta të fundit nuk janë përballur me ndonjë luftë antifashiste as kanë udhëhequr ndonjë luftë me karakter antifashist.
Nëse i gjykojmë, rrjedhimisht, Zogun dhe Hoxhën me kutin e vargut të parë të himnit tonë kombëtar, vetëm Enveri meriton të ketë shtatore në mes të Tiranës dhe të nderohet ndërsa Zogu le të nderohet nga ballistët e kohëve tona por jo në shtatoren e tij: sepse do të ishte e padrejtë nëse e shikojmë Zogun nga këndvështrimi i Himnit tonë kombëtar.
Luftën antifashiste Enveri jo vetëm që nuk e tradhëtoi por dhe e fitoi si asnjë tjetër pavarësisht se gjermanët u dobësuan më shumë nga lufta e sovjetëve. Krahasuar me Stalinin, Enveri ka luftuar më gjatë, sepse luftoi dhe kundër fashistëve italianë ndërsa Stalini luftoi vetëm kundër nazistëve gjermanë. Dhe nëse krahasojmë kushtet e luftës që zhvillonte Enveri me të Stalinit, ato zhilloheshin në kushte të pabarabarta: Enveri e zhvilloi luftën në një vend të pushtuar dhe luftonte për ta çliruar vendin ndërsa Stalini për t`u mbrojtur. Në këto kushte, Stalini kishte mundësi të ishte më i fuqishëm ushtarakisht meqë administronte pushtetin e sovjetëve ndërsa Enveri luftonte në kushte guerrile duke patur nëpër këmbë dhe ballistët. Për nga natyra, lufta e Enverit dhe e komunistëve shqiptarë, është më heroike se e sovjetëve.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 1103 reads



