...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çela, nuk është ‘pavarësia’ që siguron ‘efiçencë’ por ‘arsyetimi intuitiv’

Pavarësia e prokurorëve sigurohet kryesisht përmes edukimit ndërsa ndihmohet me ligj; ndryshe do të korruptohen

Ylli Përmeti

02/07/2020 - 15:00

Juristët kanë nevojë për shkencat sociale më shumë se çdokush tjetër. Vetë disiplina e drejtësisë përfshihet në shkencat sociale sepse gjykon çështje sociale ku përfshihen dhe çështjet ekonomike dhe politike. Juristët në përgjithësi nuk marrin mësime nga shkencat sociale. Ndaj ata gabojnë në gjykimin e koncepteve sociale. Për shembull, Olsian Çela, kryeprokurori, në një mbledhje virtuale për rekomandimet e Prokurorisë së Përgjithshme, citon se:

“Momenti i paraqitjes së rekomandimeve nga Këshilli i Ministrave është thelbësor për ndërveprimin institucional mes ekzekutivit dhe prokurorisë si organ i pavarur. Pavarësia funksionale e prokurorëve si dhe e prokurorisë si institucion në raport me pushtetet e tjera nuk janë qëllim në vetvete.  Pavarësia është mjeti që duhet të garantojë funksionimin efiçent të institucionit. Për këtë qëllim, institucioni ka nevojë për një panoramë të qartë të realitetit si dhe për një vizion, të cilat nuk mund t’i ketë të plota në asnjë rast, pa integrimin e një sërë kontributesh dhe qasjesh institucionale të cilat e ndihmojnë në veprimtarinë e tij”.

Duke lënë mënjanë rekomandimet e Këshillit të Ministrave dhe efektin e tyre në sjelljen e prokurorëve, Çela gabon kur lidh ‘pavarësinë’ me ‘efiçencën’: sepse pavarësia e prokurorit dhe gjykatësit sigurohet për të gjykuar drejtë jo për të rritur efiçencën, sepse efiçenca varet nga dija hetimore që zotëron një prokuror dhe gjykatës. Nuk është e rastit që “ekspertë” quhen njerëzit që kanë dije shkencore dhe veprojnë intuitivisht. Aristoteli i ka kategorizuar fazat e dijes dhe quan një njeri me intuitë racionale njeriun që zotëron një burim original të dijes shkencore. Pa u çuditur, studiusit modernë nuk e tejkalojnë dot këtë aksiomë filozofike. Flyvbjerg, për shembull, një autor danez i spikatur në Perëndim, dhe që jepë dijen e tij në Universitetin e Oksfordit, pas kontributit të tij në vendlindje, nxjerr përfundime se “sjellja e ‘ekspertit’ është intuitive, holistike, dhe sinkronike, e kuptuar në nje mënyrë që një gjendje e dhënë çliron një tablo të problemit, synim, plan, vendim, dhe veprim në një cast dhe pa ndarje në faza”. Flyvbjerg shqyrton disa autorë bashkohor që kanë kontribuar në shkencat sociale për këtë çështje dhe jo Aristotelin. Këtë të fundit ai e përfshin në gjithë punën e tij por ngaqë nuk e ka studiuar gjithë punën e Aristotelit, nuk e përfshin në çështjen se si fitohet dhe zbatohet dija ndërsa nuk tregon se ç`është dija shkencore. Për të njëjtën arsye ai intuitën nuk e lidh me dijen shkencore por thjesht me një “tablo të problemit”. 

Implikimet e reformës në drejtësi: gjykatës, prokurorisë së posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (SPAK-ut)

Qoftë edhe pavarësia nuk mund të sigurohet vetëm nga ligjet: sepse përqindja vendimtare e pavarësisë sigurohet përmes dijes shkencore që fitojnë gjatë kualifikimit të tyre: në këtë rast në zbatimin e drejtë të parimeve juridike dhe dijes përkatëse. Për shembull, një prokuror duhet të provojë në gjykatë se provat e tij qendrojnë “përtej dyshimit të arsyeshëm”. Ky është një ndër parimet kryesore të një prokurori. Nëse ai nuk e kupton drejtë këtë parim, ai do të gabojë—domethënë, do të ngrejë akuza pa prova të mjaftueshme. Kështu do të dëmtojë si njeriun e akuzuar ashtu dhe shoqërinë: të parin sepse e akuzon pa të drejtë; ndërsa të dytën sepse i shpenzon kohën dhe kursimet kot. Ja pse themi se një prokuror dhe gjykatës duhet të bëhet i tillë pasi të dashurohet me drejtësinë dhe të fitojë dije juridike dhe të jetë besnik i parimeve juridike dhe dijes përkatëse. Pa këta parakushte, pavarësia ligjore nuk mund të garantojë pavarësi të prokurorëve dhe gjykatësve: sepse pavarësisht se në kushtetutë përcaktohet pavarësia e tyre — në mungesë të dashurisë së drejtësisë dhe virtytit të drejtësisë ata do të korruptohen.

Përmblethtas, pavarësia e prokurorëve sigurohet kryesisht përmes edukimit ndërsa ndihmohet me ligj; ndryshe do të korruptohen. Ndërsa efiçenca sigurohet thuajse tërësisht përmes edukimit. Në rastin e prokurorëve dhe gjykatësve të rinj, pavarësia sigurohet kryesisht përmes ligjit. Për shembull, ata rikulifikohen nga komisioni i ‘pavarur’ i kualifikimit, i cili, me radhë, krijohet pasi kalon në “filtrin” e presidentit dhe operacionit ndërkombëtar të monitorimit dhe votimit nga komisioni ad hoc që krijon kuvendi. Pas kësaj faze, kur janë në detyrë, prokurorët dhe gjykatësit e Spak-ut mbikqyren në gjithçka. Por nuk mbikqyren prokurorët dhe gjykatësit e tjerë të sistemit juridik. Dhe ky është shqetësimi i Çelës, i cili, mesa duket, kërkon t`i vendosë edhe ata nën mbikqyrje me qëllim që të sigurojë efiçencë. Efiçenca mund të dëmtohet nga mungesa e pavarësisë por një njeri me virtytin e drejtësisë gjithnjë mund t`i luftojë ndikimet e jashtme. Ndryshe ndodh kur mungon virtyti i drejtësisë: ai mund të korruptohet pavarësisht se ekzistojnë ligjet. Ja pse themi se edukimi—nëse kuptohet drejtë— është vendimtar në parandalimin e korruptimit të njerëzve në përgjithësi dhe prokurorëve dhe gjykatësve në veçanti.        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA