Pse shqiptarët janë populli më i shkurtër i rajonit?
Dëftues është fakti se besimi se genet luajnë rol vendimtar në gjatësinë e njeriut, është deri diku një mit meqënse holandezët kanë fituar rreth 20 cm përgjatë dy shekujve të fundit kryesisht për shkak të mirorientimit të shtetit
Ylli Përmeti
24/08/2020 - 12:51
Sipas një studimi meshkujt shqiptarë janë ndër më të shkurtrit në Evropë me gjatësi mesatare prej 1.74 cm. Nga 34 vende të Evropës, “Shqipëria renditet në vendin e 31-të për nga gjatësia, duke kaluar vetëm Portugalinë me një gjatësi mesatare prej 1.73 cm, Rumaninë me 1.72 cm dhe Maltën me 1.69 cm”. Për ta kuptuar se pse jemi popull i shkurtër, le të shqyrtojmë një popull tjetër që është më i gjati në Evropë: holandezët.
Një analizë në BBC tregon disa nga shkaqet pse holandezët janë shtatlartë krahasuar me popujt e tjerë. Gjatësia mesatare për një mashkull atje është 182.5cm ndërsa për femrat 168.7cm. Rreth 150 vjet më parë holandezët kanë qenë ndër popujt më të shkurtër në Evropë. Një ndër shkaqet kryesore se pse holandezët janë bërë popull i gjatë, citon analiza, është fakti që më të gjatët e atij populli kanë bërë më shumë fëmijë se të tjerët; një tjetër është sistemi i tyre shëndetësor, pabarazia e ulët në të ardhura dhe një shtet i shkëlqyer në ndihmë sociale; dhe një tjetër është ngrënia e ushqimeve me prejardhje bulmetore të cilët kanë përqindje të lartë kalciumi.
Aristoteli: në ç`moshë ‘duhet’ të martohemi?
Por në analizën —se kur ‘duhet’ të martohemi— kam përmendur që në fillim faktin se shqiptarët martohen në moshë të vogël duke nënkuptuar mes të tjerash se mosha e vogël është ndër shkaqet se pse ne jemi populli më i shkurtër i rajonit. Holandezët, për shembull, në vitet `50 të shekullit të kaluar, martoheshin më të vegjël në moshë: 30 vjeç meshkujt dhe 27 femrat ndërsa në vitin 2018 mesatarja ishte 38.2 për meshkujt dhe 35.2 për femrat. Ndryshe nga holandezët, ne s`kemi ndryshuar shumë lidhur me moshën kur martohemi: përgjithësisht martohemi të vegjël. Rolin e kohës së martesës analiza e BBC-së nuk e përmend.
Sidoqoftë, dëftues është fakti se besimi se genet luajnë rol vendimtar në gjatësinë e njeriut, është një mit meqënse holandezët kanë fituar rreth 20 cm përgjatë 150 viteve të fundit kryesisht për shkak të mirorientimit të shtetit. Tre janë, rrjedhimisht, shkaqet kryesore se pse disa popuj janë të gjatë e të tjerë të shkurtër: genet, mirorientimi i shtetit dhe koha kur krijojmë familje dhe lindim fëmijë.
Genet parapërcakojnë gjatësinë dhe jo vetëm por pa mirëqënie, njeriu nuk mund të zgjatet pavarësisht se mund të lindë nga prindër të gjatë (fakti që disa fëmijë janë më të shkurtër se prindërit e vërteton ketë). Mosha kur martohemi kontribon gjithashtu: sepse kur martohemi ‘të pjekur’ jemi më të aftë për të rritur fëmijë të mirushqyer dhe miredukuar. Por mirorientimi i shtetit kontribon vendimtarisht në zhvillimin e njerëzve të gjatë: sepse edhe nëse një çift martohet në moshë të ‘pjekur’ dhe përpiqet të rrisë fëmijë të mirushqyer dhe miredukuar ai varet nga shërbimet publike.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 195 reads



