Ndërmarrjet amerikane rrisin investimet në Gjermani
Gjysma e 50 kompanive më të rëndësishme amerikane i ka mbajtur investimet në gjendje konstante në Gjermani gjatë kohës së pandemisë së Covid-19, kurse 31 përqind kanë investuar madje më shumë se më parë
DW
14/10/2020 - 15:45
Parimisht, për marrëdhëniet e biznesit midis Gjermanisë dhe SHBA nuk ka shumë rëndësi kush qeveris në Uashington. "Popullariteti i presidentit nuk ka të bëjë direkt me marrëdhëniet ekonomike”. Firmat amerikane kanë shumë kohë që ushtrojnë aktivitet në Gjermani. "Ata janë njerëz të guximshëm, që nuk heqin dorë nga bizneset e tyre,” vlerëson Sportolari.
Faktikisht, volumi i përgjithshëm i shitjeve të 50 firmave më të mëdha amerikane që operojnë në Gjermani u rrit në vitin 2019 me 1,8 përqind më shumë se vitin e mëparshëm. Por kjo shifër ka qenë një vit më parë 5,5 përqind. Rënia shpjegohet me dobësitë e sektorit të prodhimit të makinave dhe automjeteve. Ndërsa më mirë kanë qenë sektorët e shërbimeve dhe tregëtisë, teknikës së informacionit dhe telekomunikacionit.
Në listën që AmCham Germany ka radhitur 50 kompanitë më të fuqishme amerikane në Gjermani vendin kryesor e zë Amazon, me blerjet online që kapin volumin prej 19,85 miliardë eurove. Prodhuesi i automjeteve, Ford pason me 19,80 miliardë euro ka kaluar në vendin e dytë pas shumë vitesh kryesimi në listë.
Në vend të tretë është ExxonMobil me vëllim shitjesh prej 8,58 miliardë euro. Firma e furnizimit me karburant, Jet, ndodhet në vend të katërt kurse prodhuesi i makinave bujqësore John Deere në vend të pestë. Vitin e kaluar, volumi i përgjithshëm i shitjeve të 50 kompanive më të rëndësishme amerikane në Gjermani ka qenë sipas AmCham rreth 182 miliardë euro.
Lista e kompanive amerikane që ofrojnë numrin më të madh të vendeve të punës, kryesohet sërish nga McDonald's, kompania me filialet zinxhir të ushqimit Fastfood, e cila ka 61 mijë punonjës në Gjermani. Në vend të dytë janë uzinat e Ford, me 22,650 mijë punonjës, vend të tretë Amazon dhe të katërt USP, që ofron shërbime logjistike, me nga 20 mijë punonjës, pasuar nga Manpower Deutschland dhe John Deere. Në përgjithësi numri i vendeve të punës ka rënë pak nga 315 mijë vende pune në 306 mijë.
Gjatë pandemisë së Coronës kompanitë amerikane e kanë vlerësuar Gjermaninë si vend me notën 1,8 që është shumë më mirë se më parë. Sidomos manaxhimi i krizës ka shtuar pikët. Masat e marra si paratë për ata që kanë humbur punën apo masat mbrojtëse për ata që bëjnë punë vetëmenaxhuese dhe për firmat e nivelit të mesëm, janë vlerësuar shumë. Gjermania ka treguar force ekonomike gjatë krizës.
Gjysma e 50 kompanive më të rëndësishme amerikane i ka mbajtur investimet në gjendje konstante në Gjermani gjatë kohës së pandemisë së Covid-19, kurse 31 përqind kanë investuar madje më shumë se më parë. Po ashtu firmat amerikane presin që ekonomia gjermane të marrë veten gjatë vitit 2021. Ndër kompanitë e pyetura 53 përqind presin rritje të shitjeve kurse 41 përqind rritje të fitimeve.
"Gjermania vazhdon të jetë vend interesant për firmat amerikane, që vazhdojnë të zgjerojnë bizneset e tyre,” thekson presidenti i AmCham, Frank Sportolari.
Megjithatë kriza do të tregohet më mirë tek bilancet tregtare, 56 përqind e firmave kanë pasur më 2020 rënie të shitjeve, 39 përqind rënie të fitimit. Dhoma amerikane e tregtisë në Gjermani vlerëson se kriza sistematike e sektorit të makinave dhe automjeteve do të përkeqësohet nga pandemia e Coronës. Sektorët e teknologjisë së informacionit dhe të shërbimeve do të përfitojnë nga Corona.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 8 reads



