...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Paralajmërimit rus Bajdeni i përgjigjet me takim të nivelit të lartë

Kremlinit nuk do të lejojë Ukrainën të përdorë forcën për të rimarrë territorin e kontrolluar nga separatistët pro-rusë në pjesën lindore të vendit

Voa-SHJ

10/04/2021 - 08:50

Kremlini tha të premten se shqetësohet se mund të rifillojnë luftime në shkallë të gjerë në Ukrainën lindore dhe se Rusia do të detyrohet të mbrojë civilët në zonë, një paralajmërim i fortë ndërkohë që Rusia vazhdon të dërgojnë përforcime në vijën kufitare mes dy vendeve.

Deklarata nga zëdhënësi i Presidentit rus Vladimir Putin, Dmitri Peskov, u bën jehonë paralajmërimeve të Kremlinit se nuk do të lejojë Ukrainën të përdorë forcën për të rimarrë territorin e kontrolluar nga separatistët pro-rusë në pjesën lindore të vendit.

Shefi ushtarak i Ukrainës hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se forcat ushtarake ukrainase po përgatiten për një sulm në pjesën lindore të vendit.

Forcat ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia janë përfshirë në konflikt në Ukrainën lindore që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014. Më shumë se 14,000 vetë janë vrarë nga konflikti dhe përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje politike nuk kanë dhënë rezultat.

Ukraina dhe Perëndimi kanë akuzuar Rusinë se po dërgon trupa dhe armatime për t’u ofruar ndihmë separatistëve, akuza që Moska i ka hedhur poshtë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken zhvilloi të premten bisedime të veçanta me homologun francez Jean-Yves le Drian dhe me homologun gjerman, Heiko Maas. Në telefonatën me zyrtarin e lartë gjerman, dy shefat e diplomacisë diskutuan rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës përballë provokimeve të njëashme të Kremlinit në zonën kufitare me Rusinë si dhe në Krimenë e aneksuar nga rusët.

Përfaqësuesit diplomatikë të tre vendeve theksuan nevojën që Rusia të ndalë menjëherë aktivitetin e përqëndrimit të trupave dhe pajisjeve ushtarake si dhe retorikën acaruese.

Gjatë një telefonate të enjten me Presidentin rus, Vladimir Putin, Kancelarja gjermane Angela Merkel “bëri thirrje për largimin e përforcimeve ushtarake në mënyrë që të arrihet ulje e tensioneve”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha të enjten se Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më të shqetësuara lidhur me shtimin e pranisë ushtarake, duke nënvizuar se tani Rusia ka më shumë trupa në kufirin me Ukrainën se ç’ka pasur në ndonjë moment që nga viti 2014.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy tha të premten pasi vizitoi trupat në lindje të vendit se 26 ushtarë ukrainas janë vrarë këtë vit. Shkelje të përsëritura të armëpushimit të korrikut dëshmojnë se “përsëri duhet të përpiqemi të vendosim një armëpushim,” tha ai.

Autoritetet e separatistëve në Donetsk thanë se 20 ushtarë të tyre si dhe dy civilë janë vrarë që nga fillimi i vitit 2021.

Zëdhënësi i Presidentit Putin, Peskov tha se Rusia ka të drejtën të dërgojë trupa kudo që dëshiron në territorin e saj. Ai akuzoi ushtrinë ukrainase se po kërcënon sigurinë e Rusisë me “përshkallëzimin e veprimeve provokuese” përgjatë zonës kufitare lindore.

“Kremlini shqetësohet se mund të rifillojë lufta civile në Ukrainë. Nëse rifillon një luftë civile apo veprime ushtarake në shkallë të gjerë pranë kufirit tonë, kjo do të përbënte kërcënim për sigurinë e Federatës Ruse. Ky shkallëzim tensionesh është i pashembullt,” tha zoti Peskov.

Në Kiev, Kolonel Gjenerali Ruslan Khomchak, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, hodhi poshtë pretendimet ruse për përgatitje nga Ukraina për ofensivë në lindje të vendit, duke e cilësuar “fushatë dezinformimi” dhe “luftë hibride”.

Ushtria ruse tha se njësi të pararojës së saj janë stërvitur për të operuar pas vijës së parë të armikut gjatë manovrave në rajonin Belgorod në kufi me Ukrainën. Në Detin e Zi, anijet e marinës ruse të pajisura me raketa bënë manovra sulmesh mbi armikun.

Dmitry Kozak, ndihmës i Presidentit Putin i cili shërben si negociator kryesor i Rusisë në bisedimet me Kievin, paralajmëroi Ukrainën të enjten kundër përdorimit të forcës për të rimarrë nën kontroll pjesën lindore të vendit, ku një pjesë e madhe e banorëve kanë shtetësi ruse. Një veprim i tillë do të shënonte “fillimin e fundit për Ukrainën” tha ai, duke shtuar se ka të ngjarë që Rusia të hidhet në veprim, në mbrojtje të shtetasve të saj.

I pyetur në lidhje me komentin e zotit Kozak, zëdhënësi Peskov ngriti pretendimin se retorika e ashpër nacionaliste në Ukrainë po ndizte urrejtjen kundër popullsisë kryesisht rusisht-folëse në lindje të Ukrainës. Ai shtoi se nëse civilët në Ukrainën lindore përballen me kërcënime për masakër, "të gjitha vendet, përfshirë Rusinë, do të marrin masa për të parandaluar tragjedi të tilla".

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke tha të premten se Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar Turqinë se dy anije luftarake amerikane do të lundrojnë drejt Detit të Zi më 14 prill dhe 15 prill dhe do të qëndrojnë atje deri më 4 maj dhe 5 maj. Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti në përputhje me rregullat e qeverisë, tha se SHBA e njoftoi Turqinë 15 ditë para kalimit të anijeve në përputhje me një konventë që rregullon transportin përmes ngushticave turke.

Vizita të tilla nga anije amerikane dhe të vendeve të tjera të NATO-s e kanë shqetësuar Moskën, e cila prej kohësh shpreh irritim të hapur nga përpjekjet e Ukrainës për të krijuar lidhje në fushën e mbrojtjes me Perëndimin dhe aspiratat e saj për t'u anëtarësuar në NATO.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova paralajmëroi të premten se përpjekjet e Ukrainës për anëtarësim në NATO "jo vetëm që do të çonin në një përshkallëzim masiv të situatës në juglindje, por gjithashtu mund të sillnin pasoja të pakthyeshme për statusin e Ukrainës si shtet”.   

Rusia paralajmëron Amerikën

Katër ditë më pas, pas kërcënimit të fortë të Ukrainës, dhe kur anijet amerikane po shkonin në Detin e Zi për të paralajmëruar Moskën se SHBA-ja mbështet Ukrainën, Rusia kërcënoi Uashingtonin duke i thënë të qendrojë larg Rusisë dhe Krimesë duke paralajmëruar se rreziku i një incidenti është shumë i madh, njoftoi agjencia Interfax, duke cituar zëvendësministrin e jashtëm rus, Sergej Riabkov. Ai e quajti dërgimin e anijeve amerikane në Detin e Zi “provokim”.

“SHBA-ja duhet të kuptojë se rreziku i një incidenti është shumë i madh. Pamë diçka të ngjashme sivjet në një det tjetër tërësisht të ndryshëm. Paralajmërojmë SHBA-të se do të bënte mirë të qendrojnë larg nga Krimea, nga bregdeti ynë i Detit të Zi. Eshtë në të mirën e tyre”, citoi zëvendësministri rus. 

Ai sqaroi, gjithashtu, se Rusia do të vazhdojë të mbrojë banorët e Ukrainës në Donbas, e cila kontrollohet nga partizanë filorusë autonomë. SHJ

Bajdeni zhvillon bisedë telefonike me Putinin dhe i propozon presidentit rus takim të nivelit të lartë

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se Presidenti Biden shprehu shqetësimet amerikane në lidhje me shtimin e papritur të forcave ushtarake ruse në gadishullin ukrainas të Krimesë të aneksuar nga Rusia si dhe në kufijtë me Ukrainën. Ai i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet.

Sipas deklaratës, Presidenti Biden ripohoi synimin e tij për ndërtimin e një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë në përputhje me interesat e SHBA dhe propozoi një takim të nivelit të lartë në një vend të tretë në muajt e ardhshëm për të diskutuar çështjet me interes për të dy vendet. Presidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje të martën Presidentit rus Vladimir Putin për të ulur tensionet e shkaktuara nga një grumbullim trupash i Rusisë në kufirin me Ukrainën dhe propozoi një takim të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve.

Në shenjë shqetësimi rreth tensioneve të shtuara në krizën e Ukrainës, Presidenti Biden i telefonoi Presidentit Putin për të propozuar që ata të takohen në një vend të tretë, ndërsa nënvizoi angazhimin e SHBA ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

"Presidenti Biden gjithashtu e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë në përgjigje të veprimeve të Rusisë, të tilla si ndërhyrjet kibernetike dhe ato në zgjedhje," tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

"Presidenti shprehu shqetësimet tona në lidhje me grumbullimin e papritur të forcave ruse në Krimenë e pushtuar dhe në kufijtë e Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet," thuhet në deklaratë.

Zoti Biden riafirmoi gjithashtu synimin për të ndërtuar "një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme" me Rusinë dhe tha se një takim në muajt e ardhshëm mund të trajtojë "gamën e plotë të çështjeve" me të cilat përballen dy fuqitë botërore, sipas deklaratës.

Kremlini tha nga ana e tij se zoti Biden i deklaroi zotit Putin se ai donte të normalizonte marrëdhëniet dhe të bashkëpunonte për kontrollin e armëve, programin bërthamor të Iranit, Afganistanin dhe ndryshimin e klimës. Kremlini konfirmoi se Presidenti Biden kishte propozuar një takim të nivelit të lartë, por nuk tha se cila ishte përgjigja e udhëheqësit rus.

Në Bruksel, Sekretari amerikan Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni qëndron fort pas Ukrainës. Ai ndodhet aty për bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe ministrin e jashtëm të Ukrainës.

Zoti Blinken tha gjithashtu se do të diskutonte edhe rreth planeve të Kievit për t'u bashkuar një ditë me NATO-n megjithëse Franca dhe Gjermania prej kohësh kanë shprehur shqetësimin se anëtarësimi në NATO i ish-republikës sovjetike do të nxiste armiqësinë me Rusinë.

"Shtetet e Bashkuara janë kundërshtari ynë dhe po bëjnë gjithçka që munden për të minuar pozicionin e Rusisë në skenën botërore", shkruanin të martën agjencitë ruse të lajmeve duke cituar zëvendës ministrin e Jashtëm rus Sergei Ryabkov.

Komentet e zotit Ryabkov sugjerojnë se qasjet e kujdeshme diplomatike të cilat ish-armiqtë e periudhës së Luftës së Ftohtë kanë kërkuar përgjithësisht t'i ruajnë, janë shkatërruar në dekadat e fundit dhe se Rusia do të vepronte me forcë kundër asaj që ajo e sheh si ndërhyrje të papranueshme nga ana e SHBA-së në sferën e saj të ndikimit.

Thirrje për ulje të tensioneve

Zoti Blinken u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba pasi ministrat e Jashtëm të vendeve që përbëjnë Grupin e Shtatëshes dënuan atë që ata thanë se ishte rritje e pashpjegueshme e numrit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.

Duke i bërë jehonë komenteve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili u takua më herët me zotin Kuleba, zoti Blinken tha se Moska po grumbullonte forca në dislokimin më të madh të trupave nga viti 2014, kohë kur Moska aneksoi Krimenë. Ai i quajti veprimet e Rusisë "tejet provokuese".

"Në javët e fundit Rusia ka zhvendosur mijëra trupa të gatshme për luftime në kufijtë e Ukrainës, zhvendosja më e madhe e trupave ruse që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në 2014", tha zoti Stoltenberg.

"Rusia duhet t'i japë fund kësaj rritjeje të numrit të trupave si brenda dhe rreth Ukrainës, të ndalë provokimet e saj e të ulë menjëherë tensionet", tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi me zotin Kuleba.

Rusia ka thënë se ajo i lëviz trupat ashtu siç e gjykon të arsyeshme, përfshirë edhe për qëllime mbrojtëse. Ajo ka akuzuar rregullisht NATO-n për destabilizim të Evropës me përforcimet e trupave të saj në Baltik dhe Poloni që nga aneksimi i Krimesë.

Shtetet e Bashkuara do të shtojnë forcat ushtarake në Gjermani

Shtetet e Bashkuara do të shtojnë forcat e tyre në Gjermani mes tensioneve të fundit me Rusinë rreth Ukrainës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha sot në Berlin, pas takimit me homologen gjermane Annegret Kramp-Karrenbauer, se e kishte informuar atë rreth synimit për të dislokuar personel amerikan shtesë me rreth 500 pjestarë në zonën Wiesbaden qysh këtë vjeshtë.

Qershorin e kaluar, ish-Presidenti Trump tha se do të shkurtonte me një të tretën kontigjentin e trupave amerikane në Gjermani, nga 36 mijë në 12 mijë.

Zoti Austin, i cili kur ishte i ri shërbeu si ushtarak në Gjermani, solli një ton të ndryshëm, duke falenderuar Berlinin për kontributin në misionet e NATO-s dhe për hapat e ndërmarrë në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

Shefi i Pentagonit shmangu pyetjet nëse stacionimi i trupave shtesë duhet të interpretohet si një mesazh për Rusinë mes tensioneve të reja mbi Ukrainën, por theksoi vlerën ushtarake për NATO-n nëse ka më shumë trupa tokësore në Evropë.

"Këto trupa do të forcojnë frenimin dhe mbrojtjen dhe do të shtojnë aftësitë tona ekzistuese për të parandaluar një konflikt dhe, nëse është e nevojshme, për të luftuar dhe fituar," tha ai. "Kjo do të përmirësojë mjaft aftësinë tonë për të rritur me shpejtësi numrin e forcave për mbrojtjen e aleatëve tanë, në momentin që do të kërkohet,” shtoi zoti Austin. Voa

Përditësuar në 14 prill 2021. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA