...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Klima, Rusia dhe Kina tema diskutimi në G-7

Raab tha se Britania “po mbledh G-7 për t’i bashkuar në mbështetje të një mekanizmi të përgjigjes së shpejtë” ndaj dezinformimit rus.

Voa

03/05/2021 - 12:33

Klima, Rusia dhe Kina tema diskutimi në G-7

Ministrat e Jashtëm të shtatë vendeve më të industrializuara në botë po takohen në Londër këtë javë. Ndryshimi i klimës, Rusia dhe Kina janë mes temave të diskutimit. Ballë për ballë për herë të parë pas dy vjetësh, ministrat e jashtëm të G-7 respektuan distancimin fizik ndërsa u takuan të martën në Londër.

Samiti dy-ditor ka një plan pune të ngjeshur që përfshin marrëdhëniet e G-7ës me Rusinë, e cila u dëbua nga grupi pas aneksimit me forcë të Krimesë në vitin 2014. Ministrat e G-7 dënuan dislokimin e fundit të trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

“Nëse Rusia zgjedh të veprojë në mënyrë të rrezikshme, apo agresive ne do të përgjigjemi. Por ne nuk po kërkojmë të përshkallëzojmë situatën. Ne do të preferonim të kishim një marrëdhënie më të qëndrueshme dhe më të parashikueshme", tha sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Kina është gjithashtu një temë e rëndësishme.

“Nuk është qëllimi ynë të përpiqemi ta kemi Kinën në kontroll, apo ta mbajmë Kinën poshtë. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të mbështesim rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla", tha sekretari Blinken.

Media shtetërore kineze akuzoi Shtetet e Bashkuara të martën për atë që e cilësoi si - "përdorim të qëllimishëm të nocionit 'kërcënimi kinez’. G-7 po mbështet parimet bazë mbi të cilat u themelua në vitin 1975, thotë analisti John Kirton.

Të mbrojë vendet anëtare dhe të promovojë vlerat e demokracisë së hapur dhe lirisë së njeriut në mbarë botën. Këto parime u kërcënuan shumë nga një ekspansion i Rusisë në vitin 1975. Dhe kërcënohen ende sot nga Rusia, por edhe Kina dhe regjimet e tjera autoritare”, thotë për Zërin e Amerikës analisti John Kirton.

Britania ftoi gjithashtu ministrat e jashtëm nga Australia, India, Afrika e Jugut dhe Koreja e Jugut në bisedime - një demonstrim i përqendrimit të Londrës në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Pra, ajo që po shohim është krijimi i një familjeje më të gjerë demokratike. Dhe nëse ata janë të gatshëm të vendosin emrat e vendeve të tyre në letër krahas shtatëshes, ky do të jetë një sinjal edhe më i fuqishëm ", thotë analisti Kirton.

Ministrat e jashtëm të G-7 diskutuan gjithashtu për një përgjigje të koordinuar ndaj puçit ushtarak në Mianmar dhe goditjes së dhunshme të protestave pro-demokracisë, si dhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s nga Afganistani, e cila filloi këtë muaj.

"Të sigurojmë që të ruajmë aftësinë për t'u përballur me terrorizmin, që përparimi i arritur në Afganistan nuk do të shuhet dhe gjithashtu të shtyjmë përpara dialogun dhe një proces paqësor nga i cili përfitojnë të gjithë afganët", tha sekretari i jashtëm britanik Dominic Raab.

Ndërkohë, aktivistët po i bëjnë thirrje G-7 për të siguruar që vendet e varfëra të kenë qasje tek vaksinat e koronavirusit. Kombet e Bashkuara thonë se gati 90% e të gjitha vaksinave të administruara në të gjithë botën kanë shkuar në vende më të pasura.

Përgjigja ndaj pandemisë do të jetë në fokus kur Britania të organizojë takimin e udhëheqësve të G-7 në qershor, çka do të shënojë vizitën e parë të Presidentit Joe Biden jashtë shtetit si president i SHBA.

Ministri i jashtëm britanik organizon G7 për të kundërshtuar propagandën ruse

Grupi i Shtatëshes më të fuqishme të botës do të analizojë një propozim për të krijuar një mekanizëm të reagimit të shpejtë për t’iu kundërvënë “propagandsës” dhe dezinformimit rus, tha Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab duke folur me agjencinë e lajmeve Reuters.

Në komentet para takimit të ministrave të jashtëm të G-7, i pari takim i tillë i zhvilluar me prani fizike në dy vjet, zoti Raab tha se Britania “po mbledh G-7 për t’i bashkuar në mbështetje të një mekanizmi të përgjigjes së shpejtë” ndaj dezinformimit rus.

"Kur shohim gënjeshtra e propagandë të tillë në qarkullim të përgjigjemi, jo në mënyrë individiale, por së bashku duke prezantuar të vërtetën si për popullatën tonë, ashtu edhe për njerëzit në mbarë botën, në Rusi, Kinë e kudo,” tha ai.

Rusia dhe Kina po përpiqen të mbjellin mosbesim në Perëndim duke përhapur dezinformata për zgjedhjet si dhe gënjeshtra për vaksinat, sipas zyrtarëve britanikë, amerikanë e të BE-së.

Rusia hedh poshtë akuzat se përziehet në punët e vendeve të tjera dhe thotë se Perëndimi është i fiksuar nga histeria anti-ruse.

"Ka ardhur koha të pyesim përse këto vende që janë të kalbura në thelb nga propaganda dhe që e kanë përdorur propagandën më shumë se një herë për të justifikuar rrëzimin e qeverive të ndryshme, na akuzojnë ne për mëkatet e tyre,” tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova përmes një postimi në median sociale, pas komenteve të zotit Raab.

Kina thotë se Perëndimi angazhohet në bulizëm dhe se udhëheqësit e tij kanë një mentalitet pas-perandorak që i bën të ndjehen se kanë të drejtën të sillen si policët e botës.

Britania e ka identifikuar Rusinë si kërcënimin më të madh të sigurisë, megjithëse e konsideron Kinën si sfidën më të madhe afatgjatë në aspektin ushtarak, ekonomik e teknologjik.

Sekretari i Jashtëm britanik Raab do të takohet me homologun amerikan Antony Blinken të hënën në fillim të një jave kontaktesh diplomatike me synimin për të fuqizuar rolin e G-7 dhe për të formuar një mburojë më të fortë kundër forcave që shihen si sfiduese ndaj rendit global.   

Blinken në Londër: Duam të mbrojmë "rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare"

Grupi i shtatë demokracive perëndimore synon të bëjë për vete aleatë të rinj për të kundërshtuar sfidat e Kinës dhe Rusisë, por pa e penguar Pekinin dhe duke kërkuar lidhje më të qëndrueshme me Kremlinin, thanë të hënën dy nga diplomatët kryesorë të Shtatëshes.

Përpara takimit të ministrave të jashtëm të G7-s, i pari ballë për ballë mes tyre që nga viti 2019, Sekretari i Shtetit i Presidentit Joe Biden, Antony Blinken, u përpoq të japë një mesazh multilateralizmi, pas katër vjet diplomacie në Twitter nën ish-Presidentin Donald Trump, që hutoi dhe alarmoi shumë aleatë perëndimorë.

I themeluar në vitin 1975 si një forum për vendet më të pasura të Perëndimit për të diskutuar kriza të tilla si embargoja e naftës e OPEC-ut, Grupi i Shtatëshes këtë javë po diskuton për Kinën dhe Rusinë, si dhe për luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe ndryshimin e klimës.

"Nuk është qëllimi ynë të përpiqemi të frenojmë Kinën ose ta pengojmë atë,” u tha zoti Blinken gazetarëve në një konferencë shtypi të mbajtur bashkë me Sekretarin e Jashtëm britanik Dominic Raab. Ai tha se Perëndimi synon të mbrojë "rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare" nga përpjekjet e çdo vendi qoftë, përfshirë Kinën, për ta destabilizuar atë.

Rritja spektakolare ekonomike dhe ushtarake e Kinës gjatë 40 viteve të fundit shihet si ndër ngjarjet më domethënëse gjeopolitike të kohëve të fundit, krahas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, që i dha fund Luftës së Ftohtë. Dy diplomatët u përpoqën t’i tregojnë botës se Perëndimi do ta luajë më fort rolin e tij në arenën ndërkombëtare. Nga ana e tij, Raab foli për ndërtim aleancash në vend të prishjes së tyre.

"Unë e shoh qartë kërkesën në rritje dhe nevojën për grupe të shkathëta vendesh me të njëjtat pikëpamje, që ndajnë të njëjtat vlera dhe që duan të mbrojnë sistemin shumëpalësh," tha zoti Raab. "Ne mund të shohim një lëvizje drejt këtij modeli me grupe vendesh me të njëjtat pikëpamje dhe që janë mjaft të shkathët për të punuar së bashku," tha ai. Edhe pa një aleancë më të gjerë, G7-s ende është mjaft e fuqishme: Vendet e Shtatëshes të marra së bashku përbëjnë një forcë shumë më të madhe se Kina, si nga ana ekonomike edhe ajo ushtarake.

Në vështrimin afatgjatë, në Uashington dhe në kryeqytetet evropiane ka shqetësime të thella se si duhet të veprojë Perëndimi si ndaj Pekinit ashtu edhe ndaj Moskës. Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të preferonin lidhje më të qëndrueshme me Rusinë, por kjo varet shumë nga mënyra se si do të veprojë Presidenti rus Vladimir Putin, veçanërisht ndaj vendeve të tilla si Ukraina, të cilën zoti Blinken do ta vizitojë këtë javë.

"Ne kemi rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës," tha ai. "Ne nuk përpiqemi të rrisim tensionet; ne do të preferonim të kishim një marrëdhënie më të qëndrueshme, më të parashikueshme. Dhe nëse Rusia lëviz në atë drejtim, ashtu do të bëjmë edhe ne."

Përveç anëtarëve të G7, Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara, Britania ka ftuar edhe ministra nga Australia, India, Afrika e Jugut dhe Koreja e Jugut. Ministrat do të përgatisin terrenin për udhëtimin e parë të planifikuar të Presidentit Joe Biden jashtë vendit që nga marrja e detyrës: një samit i G7 në Britani muajin tjetër.

*Përditësuar në datën 05 maj 2021

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA