Rusia zgjeron praninë ushtarake në Arktik: SHBA-ja paralajmëron Moskën - Putini përgjigjet
Baza ruse, e cila ndodhet rreth 1 mijë kilometra në jug të Polit të Veriut, u ndërtua duke përdorur teknologji të reja si pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të forcuar ushtrinë mes tensioneve në rritje me Perëndimin, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014
Voa-SHJ
19/05/2021 - 19:37
Në samitin e kësaj jave të Këshillit të Arktikut në Islandë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dha alarmin për përforcimin ushtarak të Rusisë në rajon. Këshilli i Arktikut përbëhet nga tetë anëtarë që kanë sovranitet mbi territoret brenda Rrethit Arktik: Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia, Rusia, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara.
Vetëm një mijë kilometra nga Poli i Veriut, Rusia po demonstron forcën e saj ushtarake. Edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, baza ushtarake ajrore e Rusisë Nagurskoye ishte një post i largët dhe i papërfillshëm. Tani, aktiviteti në bazë është shtuar dhe aty mund të ulen bombardues strategjikë bërthamorë. Kremlini po e projekton fuqinë e tij thellë në Arktik.
"Garantimi i paqes dhe i sigurisë në Arktik është një detyrë kryesore dhe përgjegjëse për këtë është Flota Veriore," thotë Gjeneral major Igor Churkin i flotës veriore ruse.
Edhe NATO-ja ka rritur aktivitetin e saj ushtarak në Arktik. Muajt e fundit, bombarduesit e Forcave Ajrore amerikane janë stërvitur bashkë me forcat norvegjeze. Përforcimi ushtarak krijoi një sfond të tensionuar për samitin e Këshillit Arktik që u mbajt të enjten në Rejkjavik, ndërsa Rusia mori kryesimin e radhës të forumit nga Islanda.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje anëtarëve të tjerë të Këshillit të kundërshtojnë përpjekjet e Moskës për të kontrolluar rrugët e transportit në Arktik, tani që ndryshimi i klimës po hap rrugë të reja. Ai shprehu shqetësim për përforcimin ushtarak të Rusisë, ndërkohë që Moska kritikoi veprimtaritë e NATO-s në rajon.
Aktiviteti ushtarak në Arktik paraqet një rrezik në rritje, thotë analistja e Arktikut Katarina Kertysova.
"Në mungesë të dialogut mes ushtarakëve ose të një forumi të përshtatshëm ku të mund të diskutohen shqetësime të tilla, po rriten gjasat e kalkulimit të gabuar, keqkuptimit apo një shkallëzimi aksidental," thotë analistja.
Rusia thotë se dëshiron ta përdorë kryesinë e saj për t'u përqëndruar në zhvillimin e qëndrueshëm, në mbrojtjen e komuniteteve autoktone në Arktik dhe në çështjen e ndryshimit të klimës.
Shkencëtarët thonë se Arktiku po ngrohet dy herë më shpejt se rajonet e tjera dhe efektet janë dramatike. Në verën e vitit 2020, Siberia u prek nga një valë zjarresh shkatërrimtare. Shkrirja e shtresës nëntokësore të permafrostit, u fajësua për një rrjedhje të madhe nafte në Arktikun rus.
“Rusia e pranon që ka një problem. Por ajo i përqendron përpjekjet e saj tek përshtatja me kushtet e reja dhe jo tek strategjitë për të zbutur shkaqet e tyre,” thotë analistja Katarina Kertysova.
Në periferitë e takimit të nivelit të lartë të mërkurën, Sekretari Blinken zhvilloi një takim me homologun e tij rus Sergei Lavrov. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë, duke shtuar se Uashingtoni do të kundërpërgjigjej nëse, siç tha ai, ‘Rusia vepron në mënyrë agresive kundër nesh, partnerëve dhe aleatëve tanë.’
"Megjithatë, ka shumë fusha ku interesat tona kryqëzohen dhe mbivendosen dhe ne besojmë se mund të punojmë së bashku e t’i çojmë më tej këto interesa, pavarësisht nëse fjala është për COVID-in dhe pandeminë, luftën kundër ndryshimeve të klimës, programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut, apo Afganistanin,” tha Sekretari Blinken.
Zoti Lavrov u përgjigj:
"Ne jemi të gatshëm të diskutojmë të gjitha çështjet pa përjashtim, por nën premisën që diskutimi të jetë i sinqertë, me faktet në tryezë, dhe natyrisht në bazë të respektit të ndërsjellë."
Ky diskutim mund të zhvillohet në nivelin më të lartë, me një samit midis Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin të propozuar për javët e ardhshme. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për një takim të tillë.
Ndryshimet klimatike dhe bashkëpunimi janë ndër temat e diskutimit sot në takimin ministror të Këshillit të Arktikut në Rejkjavik të Islandës. Në prag të bisedimeve, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA e vlerëson bashkëpunimin e fortë ndërkombëtar që ajo ka përmes Këshillit për të trajtuar krizën e klimës dhe për ta mbajtur rajonin e Arktikut në paqe.
Zoti Blinken i kërkoi këtë javë komunitetit ndërkombëtar të shmangë militarizimin e Arktikut dhe tha se Rusia ka avancuar "pretendime të paligjshme detare" në rajon.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha ndërkaq se vendet perëndimore nuk duhet të pretendojnë të drejta ndaj Arktikut dhe se Rusia është përgjegjëse për të siguruar që brigjet e saj të Arktikut do të jenë të sigurta.
Mosmarrëveshja për Arktikun ka të bëjë me të ashtuquajturën Rruga e Detit të Veriut, një rrugë transporti që kalon nëpër bregdetin verior të Rusisë në Arktik. Rusia e sheh Rrugën e Detit të Veriut si jetike për interesat e saj ekonomike dhe ushtarake dhe kërkon që anijet e huaja të marrin leje nga Moska për të lundruar në të. Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë si të paligjshme pretendimet e Rusisë për juridiksionin mbi disa pjesë të kësaj rruge.
Në periferitë e mbledhjes së Këshillit të Arktikut, fokusi i madh dje ishte tek një takim midis sekretarit Blinken dhe ministrit Lavrov.
Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me Rusinë në aspektet ku të dy vendet kanë "interesa që ndërthuren". Ai tha se SHBA do të kundërpërgjigjen nëse Moska vepron në mënyrë agresive kundër Uashingtonit dhe aleatëve të tij. Voa
Ndërkohë Putini tha përmes një video-bisede me ushtarakë të lartë, e cila u përcoll në televizion, lidhur me komentet e të huajve, të cilët pyesin, siç tha, se nëse nevojitet të kontrollojë Rusia rezervat e pasura energjitike të saj në Siberi. Një koment të ngjashëm kishte bërë ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madlin Olbrajt, pavarësisht se ajo e mohoi.
“Disa nuk ngurrojnë publikisht, të thonë se pasuria në Siberi nuk mund t`i përkasë vetëm një vendi”, tha Putini, duke shtuar se “është e tmerrshme të dëgjosh gjëra të tilla, veçanërisht publikisht, por ndonjë herë dëgjohen”. Duke përdorur një gjuhë luftarake që joshte të gjithë ata që përbëjnë bazën e pushtetit mes forcave ushtarake dhe forcave të sigurisë, Putini tha se Moska do t`ua mbyll gojën me përgjigje të fuqishme kundrejt sulmuesve të mundshëm.
“Të gjithë duan diçka të kafshojnë ose të këpusin diçka me dhëmbët e tyre. Por duhet ta dinë, ata që përgatiten ta bëjnë këtë, se do t`u thyejmë dhëmbët, në një mënyrë që mos të kenë mundësi të kafshojnë. Duket qartë. Garancia për këtë është zhvillimi i forcave tona ushtarake”, tha Putini, mes të tjerash.
Rusia zgjeron praninë ushtarake në Arktik
Gjatë Luftës së Ftohtë, baza ajrore ruse Nagurskoye shërbente thjesht si një pistë për ulje avionësh, stacion meteorologjik dhe një postë komunikimi në arkipelagun “Franz Josef Land”.
Temperaturat në dimër aty arrijnë në minus 42 gradë celsius dhe bora zhduket vetëm nga gushti e deri në mes të shtatorit.
Aktualisht, baza më veriore ruse po mbushet me raketa dhe radarë dhe në pistën e saj të zgjeruar mund të ulet çdo lloj avioni, përfshirë bombarduesit strategjikë bërthamorë. Me këtë veprim Moska po tregon muskujt dhe ndikimin në Akrtik mes intesifikimit të konkurrencës ndërkombëtare për burimet e mëdha të rajonit.
Rusia është përpjekur të tregojë influencën e saj mbi zona të mëdha të Arktikut në konkurrencë me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Danimarkën dhe Norvegjinë, ndërsa shkrirja e akullit ofron mundësi të reja për burimet dhe rrugë transporti. Kina gjithashtu ka treguar një interes në rritje për rajonin, që besohet se mban një të katërtën e naftës dhe gazit të pazbuluar të planetit.
Presidenti rus Vladimir Putin ka cituar vlerësime që thonë se pasuritë minerare të Arktikut shkojnë në 30 trilionë dollarë.
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit ka të ngjarë të jenë të larta gjatë takimit të së enjtes të ministrave të jashtëm të vendeve të Arktikut. Takimi mbahet në Rejkjavik të Islandës, ku Moska do të marrë drejtimin me rotacion të Këshillit të Arktikut.
“Kemi shqetësime në lidhje me disa aktivitete ushtarake në Arktik”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken të martën, pas mbërritjes në Islandë. Kryediplomati amerikan do të zhvillojë bisedime me tetë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Arktikut.
“Kjo shton rreziqet e aksidenteve dhe llogaritjet e gabuara, si dhe minon qëllimin e përbashkët për një të ardhme paqësore dhe të qëndrueshme për rajonin. Ndaj duhet të jemi vigjilentë për këtë.”
Baza ruse, e cila ndodhet rreth 1 mijë kilometra në jug të Polit të Veriut, u ndërtua duke përdorur teknologji të reja si pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të forcuar ushtrinë mes tensioneve në rritje me Perëndimin, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Në vitin 2015, Rusia paraqiti në Kombet e Bashkuara një kërkesë të rishikuar për territore të mëdha të Arktikut, duke pretenduar 1.2 milionë kilometra katrorë të basenit detar, një zgjatim prej mbi 650 kilometrash nga bregu.
Ndërsa OKB-ja peshon pretendimet e Rusisë dhe vendeve të tjera, Moska ka thënë se e sheh si të sajën Rrugën e Detit të Veriut, që kërkon autorizim nga Moska për anijet e huaja, që duan të lundrojnë atje. Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë si të paligjshme pretendimet ruse për disa pjesë të rrugës detare.
Moska ka bërë të ditur se synon të miratojë procedura të reja për anijet e huaja dhe për të caktuar pilotë rusë si udhërrëfyes përgjatë rrugës detare e cila shkon nga Norvegjia deri në Alaskë.
Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Rusia ka rindërtuar dhe zgjeruar objektet në zonën polare, duke dislokuar mjete mbrojtëse dhe survejimi. Mes shqetësimeve në rritje të NATO-s mbi shtimin e pranisë ushtarake ruse në Arktik, Uashingtoni dërgoi këtë vit bombardues B-1 në Norvegji.
“Rritja e pranisë ruse, me më shumë baza në Arktik, ka shkaktuar nevojën për prani më të madhe të NATO-s. Kemi shtuar praninë tonë detare dhe ajrore. Gjithashtu rëndësia e mbrojtjes së kabllove nënujore të transatlantikut që transmetojnë shumë të dhëna”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Gjatë takimit të Këshillit të Arktikut këtë javë në Islandë, kryediplomati rus Lavrov do të zhvillojë bisedime me Sekretarin Blinken, një takim që synon të hedhë bazat e takimit Putin-Biden të planifikuar për muajin e ardhshëm. Zoti Blinken ka theksuar se me ngrohjen e Arktikut me rreth dyfishin e mesatares globale, Rusia ka shtuar përpjekjet për rritjen e pranisë në rajon.
“Rusia po shfrytëzon këtë ndryshim me përpjekjet për të ushtruar kontroll mbi hapësirat e reja”, tha zoti Blinken muajin e kaluar. “Po modernizon bazat e saj në Arktik dhe po ndërton baza të reja”.
Zoti Blinken po ashtu vuri në pozitë kryediplomatin Lavrov lidhur me komentet e tij të mëparshme, pasi diplomati rus hodhi poshtë kritikat ndërsa u shpreh se Arktiku “është territori ynë, toka jonë”, siç ishte shprehur ai.
“Ne duhet të mbrojmë të gjithë ne, përfshi Rusinë, bazuar në rregulla, bazuar në norma, bazuar në angazhimet që secili prej nesh ka marrë dhe duhen mënjanuar deklarata që bien ndesh me këto”, tha zoti Blinken.
Që nga vizita e Presidentit Putin në vitin 2017, baza Nagurskoye është forcuar dhe zgjeruar. Në atë bazë aktualisht strehohet një grup taktik që drejton survejimin elektronik, asetet e mbrojtjes ajrore dhe një bateri të sistemeve raketore kundër anijeve.
Të hënën, zotu Lavrov hodhi poshtë kritikat e Perëndimit për zgjerimin rus në Arktik ndërsa kundërshtoi përpjekjet e Norvegjisë për një prani më të fortë të NATO-s atje.
“Ne dëgjojmë ankesa kundër zgjerimit të aktiviteteve ushtarake ruse në Arktik”, tha Lavrov. “Por të gjithë e dinë se është territori ynë, toka jonë. Ne mbajmë përgjegjësi për sigurinë në brigjet e Arktikut, dhe gjithçka bën vendi ynë atje është plotësisht legjitime”, tha kryediplomati rus. Voa
*Përditësuar në 21 maj 2021
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 20 reads



