...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Administrata “Bajden” heq dorë nga sanksionet ndaj kompanisë Nord Stream 2 por fut në listën e zezë 12 anije

Administrata e Presidentit Biden do të heqë dorë nga sanksionet mbi kompaninë që qëndron pas tubacionit Nord Stream 2 të Rusisë në Evropë dhe shefin ekzekutiv të saj

Voa

19/05/2021 - 20:18

Shtetet e Bashkuara fusin në listën e zezë 12 anije ruse

Shtetet e Bashkuara futën zyrtarisht në listën e zezë mbi 12 anije ruse të përfshira në ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, pak ditë pasi nxorën nga lista kompaninë operatore ruse dhe drejtorin e saj ekzekutiv. Veprimi ishte njoftuar paraprakisht më 21 maj nga Departamenti amerikan i Thesarit, ndërsa pati kritika të forta nga ligjvënësit republikanë ndaj njoftimit të Shtëpisë së Bardhë se vetë kompania operatore ruse nuk do të ishte më pjesë e sanksioneve.

Pothuajse i përfunduar, tubacioni i Detit Balltik do të sjellë gazin rus direkt në Gjermani, duke anashkaluar linjat rrugore përmes Ukrainës, Bjellorusisë dhe vendeve të tjera. Kritikët thonë se tubacioni do të shtojë varësinë e Gjermanisë nga energjia ruse dhe do ta bëjë Berlinin më të prekshëm nga politikat e Kremlinit. Gjithashtu ata thonë se tubacioni do t'i mohojë Ukrainës dhe vendeve të tjera fitimet nga tarifat për tranzitin.

Sidoqoftë, tubacioni është mbështetur nga qeveria e Kancelares Angela Merkel. Vëzhguesit politikë thanë se Presidenti Joe Biden duket se nuk zgjodhi grindjen me një aleat të Shteteve të Bashkuara për këtë çështje. Departamenti i Shtetit në fillim të kësaj jave njoftoi synimin për të mos sanksionuar operatorin rus të gazsjellësit, Nord Stream 2 AG, dhe drejtorin ekzekutiv, Matthias Warnig, i cili është një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin.

Senatorët republikanë thanë se do të hartojnë legjislacion për të rivendosur sanksionet.

"Nuk e kuptoj. A nuk duan ta zemërojnë Putinin? Nuk e kuptoj këtë. A nuk duan ta zemërojnë Gjermaninë?", u tha gazetarëve më 20 maj Senatori Jim Risch, zyrtar i lartë republikan në Komisionin e Senatit për Marrëdhënieve me Jashtë.

Administrata “Bajden” heq dorë nga sanksionet ndaj kompanisë Nord Stream 2

Administrata e Presidentit Biden do të heqë dorë nga sanksionet mbi kompaninë që qëndron pas tubacionit Nord Stream 2 të Rusisë në Evropë dhe shefin ekzekutiv të saj, tha të mërkurën një burim në Uashington që ka njohuri me planet dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë.

Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit, që do të dorëzohet në Kongres qysh të mërkurën, arrin në përfundimin se Nord Stream 2 AG dhe drejtori ekzekutiv i saj Matthias Warnig, një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin, janë angazhuar në një veprimtari të sanksionueshme, por se është në interesin kombëtar të SHBA të heqin dorë nga sanksionet, tha burimi i agjensisë së lajmeve Reuters.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se administrata amerikane kishte hequr dorë nga sanksionet për këto dy palë por gjithashtu edhe mbi sanksione që kishte vendosur ndaj subjekteve ruse dhe anijeve të lidhura me tubacionin Nord Stream 2.

"Ne e shohim këtë si një hap konstruktiv, të cilin jemi të lumtur ta diskutojmë më tej me partnerët tanë në Uashington," u tha ministri Maas gazetarëve, duke shtuar se administrata e Presidentit Biden nuk kishte bërë asnjë premtim përtej heqjes dorë nga sanksionet.

Administrata e Presidentit Demokrat Joe Biden ende kundërshton tubacionin Nord Stream 2 por e pa të arsyeshme të dërgonte një sinjal në lidhje me angazhimin e saj strategjik për rindërtimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, të cilat u dëmtuan shumë gjatë administratës së ish-Presidentit Republikan Donald Trump, tha burimi nga Uashingtoni.

Kompania shtetërore ruse e energjisë Gazprom dhe partnerët e saj perëndimorë po garojnë për të përfunduar linjën për të çuar gazin rus në Evropë përmes Gjermanisë, nën Detin Baltik. Projekti, tani rreth 95% i përfunduar, do të anashkalonte Ukrainën, duke e privuar atë nga tarifat fitimprurëse të tranzitit dhe potencialisht duke minuar luftën e saj kundër agresionit rus.

Yuriy Vitrenko, drejtori i ri ekzekutiv i ndërmarrjes shtetërore energjetike të Ukrainës Naftogaz, tha se Nord Stream 2 është "projekti më i keq dhe më i rrezikshëm gjeopolitik" i Rusisë dhe se Ukraina do t'i kërkojë Uashingtonit të zbatojë plotësisht ligjet e saj dhe të vendosë sanksione për të ndaluar tubacionin.

Zyrtarët rusë të mërkurën sinjalizuan se masa mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve të dobëta të Uashingtonit me Moskën. Por republikanët në Uashington kritikuan heqjen dorë nga sanksionet, që u njoftua së pari nga faqja Axios të martën.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli me ministrin Maas të martën vonë, duke nënvizuar kundërshtimin e vazhdueshëm të Uashingtonit ndaj tubacionit, por gjithashtu nënvizoi nevojën që aleatët e NATO-s të punojnë së bashku për t'iu kundërvënë Rusisë, tha departamenti.

Vendimi i presidentit Biden për të hequr dorë nga sanksionet ndaj Nord Stream 2 AG dhe drejtuesit të tij ekzekutiv heq një pengesë në marrëdhëniet SHBA-Gjermani, dhe zyrtarët amerikanë shpresojnë që kjo të sigurojë një farë optimizmi për të thelluar bashkëpunimin për çështje më të gjera, përfshirë Kinën dhe Rusinë.   

*Përditësur në 23 maj 2021

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA