“Organizata Politike” denoncon vrasjen e minatorëve - në tre vjet, 28 të vrarë
Që prej janarit dhe deri në maj tetë minatorë janë plagosur dhe dy të tjerë kanë vdekur. Përgjatë vitit të kaluar, njëzetetetë minatorë u plagosën dhe pesë prej tyre humbën jetën. Shifrat e tri viteve të fundit flasin për një situatë edhe më tragjike: mbi njëqind punëtorë janë plagosur dhe njëzetete prej tyre kanë humbur jetën.
SHJ
01/06/2021 - 09:58
Situata e punëtorëve të nëntokës në minierat e Bulqizës, Krastës dhe Martaneshit është dramatike. Përveç punës së papaguar dhe në kushte primitive, pagave të ulëta dhe shkeljes së të drejtave, vdekjet në miniera po shpeshtohen frikshëm.
Që prej janarit dhe deri në maj tetë minatorë janë plagosur dhe dy të tjerë kanë vdekur. Përgjatë vitit të kaluar, njëzetetetë minatorë u plagosën dhe pesë prej tyre humbën jetën. Shifrat e tri viteve të fundit flasin për një situatë edhe më tragjike: mbi njëqind punëtorë janë plagosur dhe njëzetetë prej tyre kanë humbur jetën.
Po sipas statistikave, sa më shumë rritet numri i viktimave në miniera, aq më pak institucionet shtetërore hetojnë apo marrin masa serioze për shkeljen e sigurisë në punë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, ashtu si Inspektorati Shtetëror i Punës, gjykatat, policia, ministritë dhe qeveria jo vetëm që heshtin përballë kësaj situate, por janë qartazi bashkëpunëtorë në krim.
Ky shtet vret qytetarët e tij me heshtjen dhe vënien në shërbim të oligarkëve famëkeq si Samir Mane, apo biznesmenëve gjysmë mafiozë që kanë marrë peng me varfëri e vdekje minierat, minatorët dhe krejt qytetin e Bulqizës. Këto vdekje janë rezultat i shfrytëzimit pa kriter të minierave.
Deri më tani shteti dhe oligarkët kanë fajësuar minatorët për pakujdesi në punë, por e vërteta është se faji është i atyre që përfitojnë nga vdekja. Për të grumbulluar sa më shumë pasuri me sa më pak kosto, ata po i kthejnë minierat e Bulqizës në varre. Bulqiza, më e pasura nën tokë dhe më e varfra nën diell meriton më shumë jetë, mirëqenie dhe respektim të të drejtave punëtore.
Në shenjë revolte për kompromentimin kriminal të këtij institucioni, ne, aktivistët e Organizatës Politike, e ngjyejmë atë me njollën e turpit.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 19 reads



