Gjysëm të vërtetat kryesore të Adriatik Llallës dhe Çim Pekës
Sipas ish-prokurorit Llalla, disa nga arsyet që çuan në dënimin e tij —të cilin e ka apeluar— ishte qeveria “Rama” me zëdhënësin e saj, “gazetarin” Alfred Peza i cili u pasurua për një kohë të shkurtër kur u bë palë me qeverinë në fjalë, dhe ngaqë Llalla po e hetonte ai kundërveproi me shpifje; ambasada amerikane me drejtues Lunë, i cili kërkonte të impononte mbi Llallën qasjen e tij në refomën e drejtësisë dhe të mos hetonte Bankersin ku ishte aksioner bashkë me sekretarin e shtetit Rex Tillerson; Brukseli me ambasadoren Vlahutin e cila kërkoi të pakërkueshmen; dhe Sorosi.
Ylli Përmeti
01/06/2021 - 15:30
Ish-prokurori i përgjithshëm mbrojti veten në një bisedë me “gazetarin” Çim Peka pak ditë pas dënimit me 2 vjet burg dhe 5 vjet përjashtim nga detyra publike, nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kujtoj se “gazetari” në fjalë nuk i shërben të vërtetës por pushteteve politike. Në një takim që pata rreth 10 vjet më parë për të dhënë kontributin tim në televizionin që ai drejton, përgjigjja që mora qysh në fillim të bisedës nga Çimi ishte se do t`i nënshtrohesha çensurës! Çimi, gjithashtu, e ka bërë të qartë rolin e tij në gazetari: jo pak herë shkon me politikanët profesionistë (Meta etj.) me pushime, dreka dhe darka arsitokratike. Megjithëse me ligj nuk ndalohet, gazetari nuk duhet të shoqërohet me politikanët profesionistë, për arsye se kompromentohet ose korruptohet. Por “gazetarit” në fjalë dhe përgjithësisht gjithë “gazetarët” e tjerë efekti i kompromentimit nuk u bën përshtypje, sepse pranojnë të shërbejnë si zëdhënës të pushteteve politike meqënse media në përgjithësi krijohet nga oligarkia politike dhe ekonomike, fakt për të cilin janë në dijeni dhe për të njëjtën arsye ata janë të njëanshëm në raport me të vërtetat që i tregojnë popullit.
Çimi qendron në kampin e opozitës aktuale ose Berishës, Metës, dhe Mediut. Si i tillë, ai do të ndjek “linjën” politike që parashtrojnë këta të fundit në raport me qeverinë dhe drejtësinë. Duke ditur se vitet e fundit janë në shënjestër të drejtësisë dhe kjo e fundit është krijuar nga amerikanët dhe evropianët me mbështetjen e popullit, ata po luftojnë në tre fronte: kundër qeverisë, Spakut, amerikanëve dhe evropianëve. Ndaj dhe biseda e Çimit me Adriatikun u përqendrua te vendimi i gjykatës dhe shkaqet se pse vendimi ishte i tillë. Sipas ish-prokurorit Llalla, disa nga arsyet që çuan në dënimin e tij —të cilin e ka apeluar— ishte qeveria “Rama” me zëdhënësin e saj, “gazetarin” Alfred Peza i cili u pasurua për një kohë të shkurtër kur u bë palë me qeverinë në fjalë, dhe ngaqë Llalla po e hetonte ai kundërveproi me shpifje; ambasada amerikane me drejtues Lunë, i cili kërkonte të impononte mbi Llallën qasjen e tij në refomën e drejtësisë dhe të mos hetonte Bankersin ku ishte aksioner bashkë me sekretarin e shtetit Rex Tillerson; Brukseli me ambasadoren Vlahutin e cila kërkoi të pakërkueshmen; dhe Sorosi. Por ja ç`argumenton Llalla për pasurinë e tij:
Bëhet fjalë për një apartament banimi 60 m² në qytetin e Durrësit, 22 mijë m² tokë arë në një fshat të largët të Tiranës dhe kati i 3-të i banesës ku unë jetoj prej mëse 20 vitesh. Sipas akuzës edhe më pas të gjykatës, asnjë prej meje nuk pati pretendime nëse këto pasuri ishin deklaruar, prona që unë i kam dhe i kam deklaruar. Pretendimi i akuzës është se nuk është deklaruar vlera reale e ndërtimit të këtyre pronave. Akuzë që e bazojnë vetëm në një akt ekspertimi teknik e kryer nga një eksperte e zgjedhur nga prokurori, pa kryer asnjë veprim tjetër hetimor. Kjo u mor përbazë dhe mbi bazën e këtij ekspertimi gjykata arriti në konkluzionin që unë kam kryer këtë vepër penale. Akt të cilin unë realisht është kryer në mënyrë të njëashme dhe në provat e reja që dolën gjatë gjykimit, e sillte të domosdoshme kryerjen e një akti tjetër ekspertimi. Gjykata nuk mori në konsideratë vetëm me qëllimin që ti referohen këtij akti që në përfundim të gjykimit të gjindej shkaku që të më deklaronte fajtor.
Por ndryshe argumenton Voa pas vendimit të gjykatës:
Bëhet fjalë për një apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë në vitin 2012; një sipërfaqe toke bujqësore prej 4.500 m², e blerë në vitin 2016; një jetër sipërfaqe, e llojit tokë arë, prej 12.300 m², ndodhur në Tiranë, e blerë në vitin 2017; një tjetër sipërfaqe toke prej 3 mijë metrash katrorë e blerë po në vitin 2017, si dhe 2250 metra katrorë, po e llojit tokë arë, ndodhur në Tiranë, blerë në të njejtin vit. Sipas gjykatës, pasuritë e tij janë rivlerësuar nga 2 deri 16 herë, duke bërë që vlerat e tyre të kapin shifra të larta. Gjykata u shpreh gjithashtu se ish Kryeprokurori nuk ka justifikuar me burime të ligjshme dhe dy pagesa të bëra, njëra në Gjermani, në vlerën e 7050 eurove për parapagimin e tre muajve qera të një banese ku ai kishte strehuar familjen e tij “për shkak të kërcënimeve që kishte marrë”, si dhe një pagesë prej gati 7700 dollarësh të paguara për lindjen e fëmijës së tretë në Shtetet e Bashkuara.
Llalla përmendi gjithashtu faktin se prokurorja që hetoi pasurinë e tij ka blerë pasuri të paluajtshme njësoj si ai dhe në të njëjtin vend dhe ka fituar më shumë se ai dhe nuk është hetuar. Ai përmendi, gjithashtu, faktin se atje ku ka blerë ai kanë blerë dhe disa politikanë të qeverisë “Rama” (Gjiknuri etj.).
Ndërsa këto pretendime duhet të hetohen, argumenti më flagrant i ish-prokurorit lidhet me kërkimin nga Vlahutini për të arrestuar Berishën si parakusht për t`u integruar në BE duke ndjekur “modelin” e Kroacisë, kur kjo e fundit arrestoi ish-kryeministrin kroat. Ndërsa gafa diplomatike bije mbi Vlahutinin, sepse është ndryshe kur kërkon BE-ja reforma, përfshirë dhe refromën në drejtësi si parakusht për integrimin, dhe ndryshe kur kërkon arrestime konkrete, sepse cënon hetimet dhe drejtësinë, vetë Llalla i është përgjigjigjur asaj, se s`kishte prova ose se s`kishte asnjë “rast hetimi se zoti Berisha ishte përfshirë në paligjshmëri”, sepse as Kushtetuta e as Kodi i Procedurës Penale (Neni 304) nuk thotë se prokurori duhet të presë akuza që të fillojë hetimet. As pret prokuori dhe veçanërisht prokurori i përgjithshëm për të hetuar pushtetarët median apo ndonjë njoftim të sajin. Por ai heton pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët: sepse kjo është detyra e tij: “Prokurori drejton veprimtarinë hetimore dhe kryen vetë çdo veprim hetimor që e çmon të nevojshëm”. Më konkretisht:
Prokurori ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, drejton dhe kontrollon hetimet paraprake dhe veprimtarinë e policisë gjyqësore, si dhe kryen vetë çdo veprim hetimor që e çmon të nevojshëm, merr masa për ekzekutimin e vendimeve penale, mbikëqyr ekzekutimin e tyre, si dhe ushtron funksionet e bashkëpunimit gjyqësor me autoritetet e huaja, sipas rregullave të caktuara në këtë Kod. (Neni 24, pika 1, Theksi u shtua)
Pika një e theksuar e citon qartë se prokurori nuk pret akuzat që të veprojë por “kryen vetë çdo veprim hetimor që e çmon të nevojshëm”, sidomos në kushte frike nga pushtetarët. Berisha, për shembull, i ka kallur frikën popullit. Ndaj dhe populli ka frikë të akuzojë pushtetin e qeverisë, sepse është ngulitur bindja se me shtetin ose pushtetin e shtetit nuk fiton kurrë. Ndaj dhe i njëjti popull nuk vepron kundër Ramës. Por prokurori, i cili i nënshtrohet vetëm ligjit, dhe supozohet se e njeh atë në majë të gishtave, heton vendimet dhe veprimet e qeverisë pa pritur ndonjë akuzë: sepse nuk është prokuror vetëm për të hetuar keqbërësit në popull por kryesisht keqbërësit në qeveri. Duhet thënë se kodi përkatës është i paqartë në pikën 6 kur thotë se “Kur nuk është i nevojshëm ankimi i viktimës, ndjekja penale ushtrohet kryesisht”. Kjo pikë do të ishte më e qartë nëse në vend të fjalës “kryesisht” do të ishte fjala “pavarësisht”. Në këtë mënyrë prokurori do ta kuptonte qartë se ai heton pa patur nevojën e ankimit nga viktima.
Gjykuar nga këto qendrime mund të nxjerrim përfundime se Llallën e ka dënuar së pari mospërmbajtja e tij në raport me pasurinë: sepse nëse ai do të ishte vërtet i pastër —do të ndiqte, për shembull, etikën Sokratike, “varfëria ime, dëshmia ime”, kundërshtarët e tij në qeveri apo në ambasada, nuk do të mund ta sulmonin. Ai do të kishte qenë më sfidant nëse hetonte pushtetarët dhe nuk linte asnjë “shteg” për ndërhyrje në punët e drejtësisë nga të huajt.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 52 reads



