...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zbulimi amerikan paralajmëron për trazira nga ndjekësit e QAnon-it - Bajdeni shpall planin kundër terrorizmit të brendshëm

Ithtarët e QAnon-it, teoria e konspiracionit e përqafuar nga disa nga pjesëmarrësit në turmën që sulmoi Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, mund të vendosë në objektiv demokratët dhe kundërshtarët e tjerë politikë për më shumë dhunë, pasi profecitë e rreme të lëvizjes nuk u realizuan

Voa

15/06/2021 - 10:08

Një raport i ri i shërbimeve federale të zbulimit paralajmëron se ithtarët e QAnon-it, teoria e konspiracionit e përqafuar nga disa nga pjesëmarrësit në turmën që sulmoi Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, mund të vendosë në objektiv demokratët dhe kundërshtarët e tjerë politikë për më shumë dhunë, pasi profecitë e rreme të lëvizjes nuk u realizuan.

Shumë ndjekës të QAnon-it besojnë se ish-Presidenti Donald Trump po luftonte armiqtë brenda të ashtuquajturit "shtet i thellë" për të zbuluar një klikë kanibalësh, adhurues të Satanait, që drejtojnë një rrjet të trafikimit të fëmijëve për qëllime seksuale. Humbja e zotit Trump përballë Presidentit Joe Biden zhgënjeu disa ndjekës që besonin tek "Stuhia", një shpagim i supozuar gjatë të cilit armiqtë e zotit Trump do të gjykoheshin dhe ekzekutoheshin. Disa ndjekës tani kanë anuar nga bindja se Donald Trump-i është "presidenti në hije", ose fitorja e Joe Biden-it ishte një iluzion.

Raporti u përpilua nga FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe u publikua të hënën nga senatori Martin Heinrich, një demokrat nga shteti Nju Meksiko. Raporti parashikon se ndërsa disa adhurues të QAnon-it do të tërhiqen, të tjerët "ka të ngjarë të fillojnë të besojnë se ata nuk mund ta 'shtyjnë më planin' e përmendur në postimet e QAnon-it dhe se ata kanë detyrimin të ndryshojnë nga shërbimi si 'ushtarë dixhitalë' në drejtim të angazhimit me dhunën në botën reale”.

Ndërsa kompanitë kryesore të mediave sociale pezullonin ose hiqnin llogaritë me temë QAnon, shumë pasues janë zhvendosur në platforma më pak të njohura dhe diskutuan se si të radikalizojnë përdoruesit e rinj në to, thotë raporti.

Raporti thotë se disa faktorë do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë afatgjatë të teorisë QAnon, përfshirë pandeminë COVID-19, disa kompani të mediave sociale që lejojnë postime në lidhje me këto teori, polarizimin shoqëror në Shtetet e Bashkuara dhe "frekuencën dhe përmbajtjen e deklaratave pro-QAnon nga individë publikë që shfaqen dukshëm në rrëfimet thelbësore të QAnon-it".

Raporti nuk identifikon asnjë nga këta individë publikë. Por Donald Trump, i cili ndërsa ishte në detyrë vlerësoi ndjekësit e QAnon-it si "njerëz që e duan vendin tonë", ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të pranojë se zgjedhjet kanë mbaruar dhe ka folur pa bazë për fitoren e tij "të vjedhur", pavarësisht vendimeve të shumta të gjykatës dhe një konkluzioni nga vetë Departamenti i tij i Drejtësisë se zgjedhjet ishin me integritet. Një aleat i hershëm i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, se ish-Presidenti Trump i ka dhënë kredo një teorie konspirative se ai mund të rikthehet në presidencë në muajin gusht.

Ligjvënësi Heinrich i kërkoi drejtorit të FBI-së, Chris Wray në prill që të japë një vlerësim se si e shikon qeveria QAnon-in.

"Publiku meriton të dijë se si e vlerëson qeveria kërcënimin ndaj vendit tonë nga ata që do të vepronin me dhunë bazuar mbi bindje të tilla", tha ai në atë kohë.

Lëvizja rreth QAnon-it tashmë është lidhur me dhunën politike, veçanërisht gjatë sulmit të Kapitolit më 6 janar, në të cilën disa protestues besuan se do të ndryshonin humbjen e ish-Presidentit Trump. Të paktën 20 pasues të QAnon janë akuzuar për krime federale në lidhje me 6 janarin, sipas një përmbledhjeje të të dhënave gjyqësore nga Associated Press.   

Një ditë më pas Bajdeni shpalli planin për parandalimin e terrorizmit të brendshëm

Presidenti amerikan Joe Biden shpalli atë që ai e quajti plani i parë kombëtar për të luftuar terrorizmin e brendshëm. Në një deklaratë të martën, Presidenti Biden tha se Strategjia Kombëtare për të Luftuar Terrorizmit e Brendshëm synon të përmirësojë analizën e qeverisë dhe ndarjen e informacionit mbi terrorizmin e brendshëm me agjencitë e zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet.

Parandalimi i rekrutimit të terroristëve, aftësisë për t'u mobilizuar dhe goditja e aktiviteteve të tyre, janë gjithashtu elementë kryesorë të strategjisë. Plani synon "t'u japë zgjidhje kontribuesve afatgjatë" të terrorizmit të brendshëm siç janë "urrejtja racore, etnike dhe ajo fetare".

“Terrorizmi i brendshëm nxitur nga urrejtja, fanatizmi dhe forma të tjera të ekstremizmit është një njollë në shpirtin e Amerikës. Ato bien ndesh me synimet që vendi përpiqet të arrijë. Ai (terrorizmi i brendshëm) përbën sfidë të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare, demokracinë dhe unitetin", thuhej në një deklaratë të Presidentit Biden.

Strategjia publikohet më shumë se gjashtë muaj pas sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar nga mijëra mbështetës të ish-Presidentit Donald Trump, ndërsa Kongresi po certifikonte rezultatin e zgjedhjeve që shpallte fitues demokratin Joe Biden. Ish-Presidenti Trump ka refuzuar ta njohë rezultatin.

Sipas një raporti të zyrës së drejtorit të Zbulimit Kombëtar, ekstremistët e dhunshëm në vend përbën një kërcënim të shtuar gjatë vitit 2021 dhe se rreziku më i madh vjen prej organizatave supremaciste të bardha dhe grupeve të armatosura anti-qeveritare.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA