...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Albin Kurti filloi bisedimet me Serbinë me `kushte` të ndryshuara

Në njoftimin e Kurtit nuk përmendet ndonjë kusht siç kërkonte kur ishte në opozitë përveç faktit se pala shqiptare kishte një qendrim kritik për procesin e marrëveshjes ndërsa shprehu gadishmërinë për dialog dhe propozoi katër pika për bisedimet

SHJ

15/06/2021 - 13:57

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, njoftoi se zhilloi një takim sot me homologun e tij, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel. Në njoftimin e tij nuk përmendet ndonjë kusht siç kërkonte kur ishte në opozitë përveç faktit se pala shqiptare kishte një qendrim kritik për procesin e marrëveshjes ndërsa shprehu gadishmërinë për dialog dhe propozoi katër pika për bisedimet.

Kujtojmë se Kurti kur ishte në opozitë kishte parashtruar pesë kushte pët t`u ulur me Serbinë për bisedime. Kushtet ngadalë u pakësuan deri sa u ul sot pa kushte por me propozime. Kujtojmë, gjithashtu, se Kurti ka quajtur tradhëtarë pararendësit e tij që janë ulur pa kushte. Kujtojmë, në fund, se Kurti në muajt e parë të qeverisjes së tij ka thënë se bisedimet Kosovë-Serbi, nuk janë përparësi për të ndryshe ngasa kërkonte Uashingtoni dhe Brukseli. Por mesa duket, presioni nga qendrat përkatëse, bëri të vetën. Njoftimi i Kurtit:  

Në Bruksel, bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi, e nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Borrell dhe emisarit të tij z. Lajçak, sot u takuam me delegacionin nga Serbia të përbërë nga z. Vuçiç dhe z. Selakoviç.

Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik.

Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime në këtë takim:

1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviç.

Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve.

Sot pasdite z.Borrell takohet me Presidentin Biden.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA