Pas sulmeve në Siri, pasojnë në Irak: trupat ushtarake dhe ambasada amerikane në shënjestër
Pentagoni tha se sulmet vunë në shënjestër caqe operacionale dhe depo armatimesh në Siri dhe Irak
Voa-SHJ
28/06/2021 - 09:42
Sulm me raketa ndaj ambasadës amerikane në Irak
Disa raketa goditën të enjten në mëngjes Ambasadën Amerikane në Bagdad. Lajmi u bë i ditur nga burime të sigurisë irakiane. Ky është i fundit në një seri sulmesh ndaj bazave ushtarake dhe diplomatike amerikane.
Raketat nuk arritën ta godasin ambasadën, por ranë diku gjetkë në atë që njihet si Zona e Gjelbër dhe e fortifikuar e Bagdadit.
Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja në Irak tha të mërkurën se 14 raketa qëlluan një bazë që strehon personelin ushtarak amerikan në provincën perëndimore të Anbarit.
Zëdhënësi i koalicionit, koloneli i ushtrisë amerikane Wayne Marotto tha se raketat ranë në bazën ajrore Ain Al-Assad brenda perimetrit të saj dhe si pasojë pësuan dëmtimeve të lehta dy persona.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Irakiane Yehia Rasool e quajti sulmin me raketa një "sulm terrorist" dhe tha se "armiqtë e Irakut po vënë në shënjestër sigurinë e vendit, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve të Irakut".
Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar milicitë e mbështetura nga Irani që veprojnë në Irak dhe Siri për një valë sulmesh ndaj trupave amerikane dhe objekteve ushtarake ku ato janë të vendosura.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price u tha gazetarëve në një konferencë të mërkurën se sulmet "janë tregues i kërcënimit që milicitë e mbështetur nga Irani paraqesin për sovranitetin dhe stabilitetin e Irakut".
Ushtria amerikane është përgjigjur me sulme ajrore që synojnë pozicionet e përdorura nga milicitë e mbështetura nga Irani. Pentagoni tha në fund të muajit të kaluar se sulmet e tij kishin për qëllim parandalimin e sulmeve në të ardhmen.
SHBA sulmon ushtarë të mbështetur nga Irani në Siri si përgjigje ndaj sulmeve
Trupat amerikane në Siri u kundërpërgjigjën pas një sulmi me raketa ndaj forcave të Shteteve të Bashkuara, tha koloneli amerikan Wayne Marotto, zëdhënës i ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik.
”Forcat amerikane në Siri, ndërsa ishin nën sulme të shumta me raketa, vepruan në vetëmbrojtje dhe u përgjigjën me artileri mbi pozicionet e hedhjes së raketave", shkroi ai në rrjetin twitter.
Raketat shënjestëruan një bazë ushtarake në Deir ez-Zour e njohur fshati i Gjelbër. Zoti Marotto i tha se forcat amerikane u kundërpërgjigjën me predha artilerie 155 milimetërshe. Sulmi me raketa nuk shkaktoi dëme në njerëz dhe dëmet të tjera janë duke u vlerësuar, shkroi ai.
Shkëmbimi i zjarrit u bë disa orë pasi ushtria amerikane tha se goditi tre objektiva afër kufirit midis Sirisë dhe Irakut të përdorura nga milicitë e mbështetura nga Irani për të kryer sulme me dronë mbi personelin dhe objektet amerikane.
"Unë urdhërova sulmet e mbrëmshme ajrore duke vënë në shënjestër vendet e përdorura nga grupet e milicisë të mbështetura nga Irani, përgjegjës për sulmet e fundit ndaj personelit amerikan në Irak", tha të hënën në Zyrën Ovale, presidenti amerikan Joe Biden.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby, objektet përdoreshin nga grupet e milicisë, duke përfshirë Kataeb Hezbollahun dhe Kataeb Sayyid al-Shuhada, dy fraksione ushtarake irakiane me lidhje të ngushta me Teheranin. Dy nga shënjestrat ishin brenda Sirisë dhe një në Irak.
"Sulmet kundër trupave tona duhet të ndalen dhe për këtë arsye presidenti urdhëroi operacionin e mbrëmshëm në vetëmbrojtje të personelit tonë," u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Trupat amerikane në Irak janë sulmuar nga dronë tre herë në "pak më shumë se një muaj", i tha Zërit të Amerikës gjeneral Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së në një intervistë në Kajro më 15 qershor. Sulmet nuk shkaktuan viktima.
"Në Irak ka shumë dronë. Disa prej tyre janë të vendit. Disa kanë ardhur nga Irani. Jemi të sigurt për këtë," tha gjeneral McKenzie.
Zëdhënësja e Pentagonit, Komandante e Marinës Jessica McNulty shtoi të hënën se "milicitë e mbështetura nga Irani kanë kryer të paktën pesë sulme me mjete ajrore pa pilot të njëanshme kundër mjediseve të përdorura nga personeli i SHBA-së dhe koalicionit në Irak që nga prilli, si edhe sulme të vazhdueshme me raketa kundër SHBA-së dhe forcave të koalicionit ".
"Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me Iranin, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë forcat tona në mbarë rajonin dhe për t'iu përgjigjur çdo kërcënimi ose sulmi," tha ajo.
Kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi dënoi të hënën sulmin ajror të Shteteve të Bashkuara në territorin e vendit të tij duke e quajtur atë një shkelje të sovranitetit kombëtar që bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Ushtria e Irakut tha se vendi i saj nuk duhet të jetë një arenë "për të larë hesapet".
Zonja Psaki vuri në dukje se SHBA pajtohet me një thirrje për ulje tensionesh nga kryeministri irakian por tha të hënën se administrata ndihej e sigurt tek "arsyetimi ligjor" i saj për goditjet.
"Presidenti Biden ka qenë i qartë se ai do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan," tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby në një deklaratë të dielën vonë, duke shtuar se sulmet ishin "të kufizuara".
Sulmet me raketa dhe dronë kundër trupave të koalicionit kanë qenë të shpeshta që kur një sulm me dron në janar 2020 afër aeroportit të Bagdadit shkaktoi vdekjen e Qasem Soleimanit, udhëheqës i forcës elite iraniane, Quds. Udhëheqësi i milicisë irakiane Abu Mahdi al-Muhandis u vra gjithashtu në atë goditje.
Sulmet, shënojnë herën e dytë që Shtetet e Bashkuara ndërmarrin goditje ndaj milicive të mbështetura nga Irani në Siri, që kur presidenti Joe Biden mori detyrën.
Në fund të shkurtit, SHBA vunë në shënjestër ndërtesa në Siri që i përkisnin asaj që Pentagoni tha se ishte milici e mbështetur nga Irani, përgjegjëse për sulmet kundër personelit amerikan dhe aleatëve në Irak.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të së hënës me ministrin e Jashtëm italian Luigi Di Maio në Romë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA ndërmori një "veprim të nevojshëm, të përshtatshëm, me qëllimin për të kufizuar rrezikun e përshkallëzimit ndërsa dërgonte një mesazh "të qartë” parandalimi.
Sulmet amerikane në Sirinë lindore pranë kufirit me Irakun, vranë të paktën pesë luftëtarë të milicisë të mbështetur nga Irani. Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, thanë se disa pjesëtarë të milicisë së mbështteur nga Irani janë plagosur po ashtu gjatë sulmit të avionëve amerikanë në pjesën siriane të kufirit.
Vëzhguesit e kësaj organizate që mbështeten në një rrjet burimesh brenda Sirisë për të mbledhur informacion, thanë se në mesin e objektivave të goditura ishin edhe pozicionet ushtarake.
Një ditë më parë
Agjencia shtetërore e lajmeve SANA e Sirisë tha se një fëmijë u vra dhe të paktën tre persona të tjerë u plagosën.
Sulmet, të konfirmuara me një deklaratë nga Pentagoni, shënojnë sulmin e dytë të tillë të Shteteve të Bashkuara ndaj milicive të mbështetura nga Irani në Siri, që kur presidenti Joe Biden mori detyrën
Pentagoni tha se sulmet vunë në shënjestër caqe operacionale dhe depo armatimesh në Siri dhe Irak.
Sipas Pentagonit, objektet përdoreshin nga grupet e milicisë, duke përfshirë Kataeb Hezbollahun dhe Kataeb Sayyid al-Shuhada, dy fraksione ushtarake irakiane me lidhje të ngushta me Teheranin.
"Këto objekte përdoren nga milicitë e mbështetura nga Irani të cilat janë të përfshira në sulme me mjete ajrore pa pilot kundër personelit dhe strukturave amerikane në Irak", tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.
Interesat amerikane në Irak janë vënë nën sulme të përsëritura muajt e fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdimisht fajësojnë fraksionet Irakiane të lidhura me Iranin.
Në muajin shkurt, sulmet amerikane në Sirinë lindore ndaj objekteve të përdorura nga grupet e milicisë të mbështetura nga Irani lanë pas vetes më shumë se 20 luftëtarë të vrarë.
Pentagoni tha se sulmet ishin hakmarrje për një sulm me raketa në Irak që vrau një kontraktor civil dhe plagosi një pjesëtar të shërbimit amerikan dhe trupa të tjerë të koalicionit.
Raporti i BBC-së sjell më shumë të dhëna.
*Përditësuar në datën 08 korrik 2021
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 12 reads



