...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Raporti i “Komitetit të Helsinkit”: masat serbe ndaj shqiptarëve “spastrim etnik” - Tirana hesht

Me qëllim që të zvogëlojë numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug sa më shumë të jetë e mundur, shteti [serb] po përdor precesin e quajtur “pasivizim i banimit të shqiptarëve” që punojnë jashtë vendit ose në Evropën Perëndimore ose në Kosovë. Ky “pasivizim” shenjon gjithashtu qytetarët që jetojnë në mënyrë të përhershme në banimet e tyre. Kjo masë, në fakt, është një formë e pastrimit etnik përmes masave administrative

SHJ

14/07/2021 - 09:21

Raporti i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, me titull “Pakica Shqiptare në Pritje”, dhe nëntitull “Presheva, Bujanovci dhe Medvegja si peng i marrëdhënieve Serbi dhe Kosovë”, i publikuar në Beograd, pohon se shqiptarët “kanë qenë subjekt i disa masave administrative (diskriminim strukturor) që synonin zvogëlimin e numrit të tyre, gjithashtu dhe kërkesa mbytëse për autonomi terrotoriale”. Duke e lidhur “fatin” e pakicës shqiptare me Kosovën, raporti citon më tej se “pavarësisht pranisë së madhe të ambasadave, OSBE-së dhe organizatave të tjera në Serbinë Jugore, komuniteti shqiptar jeton në harresë dhe në pritje që statusi i tij të zgjidhet përfundimisht si pjesë e vendimit mbi çështjen [...] e Kosovës.

Me qëllim që të zvogëlojë numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug sa më shumë të jetë e mundur, shteti [serb] po përdor precesin e quajtur “pasivizim i banimit të shqiptarëve” që punojnë jashtë vendit ose në Evropën Perëndimore ose në Kosovë. Ky “pasivizim” shenjon gjithashtu qytetarët që jetojnë në mënyrë të përhershme në banimet e tyre. Kjo masë, në fakt, është një formë e pastrimit etnik përmes masave administrative. “Pasivizimi” (pasivizim masiv dhe i përzgjedhur i banimit) çon individët të humbasin statusin e tyre për të qenë një qytetar në Serbi dhe, sipas tij, gjithë të drejtat qytetare —të drejtën e votimit, pronës, sigurisë shëndetësore, pensionit, punësimit etj”.

Për ta zgjidhur këtë padrejtësi, raporti këshillon përdorimin e “vullnetit” nga “qeveria dhe institucionet shtetërore, media dhe aktorët e tjerë”, që ta integrojnë komunitetin shqiptar në komunitetin e gjerë serb politik, për të cilin republika serbe është angazhuar nën tre marrëveshjet e lidhura me Serbinë Jugore. Në përgjithësi zgjidhjen e gjen tek qeveria dhe emigrantët (investimet e tyre etj.). Nuk harron të përmend dhe rolin e medias në zbërthimin e stereotipeve të krijuar për shqiptarët si prishës, kriminelë dhe faktor terrorizmi ndërsa nuk përmend asnjë fjalë për rolin që mund dhe duhet të luajë Tirana.

Si raport, është shumë i rëndësishëm, sepse mund të përdoret ndërkombëtarisht—për t`i treguar botës karakterin e shtetit aktual serb që nuk ka ndryshuar fare pavarësisht krimeve që kreu dy dekada më parë kundër popujve të federatës jugosllave dhe veçanërisht kundër shqiptarëve.

Lidhur me përfundimin dhe publikimin e raportit, AFEDES, organizata që lufton për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, me kryetar Muharrem Salihun, përpjekjen e të cilit e kemi publikuar herë pas here, citon se:          

Në fillim të muajit korrik 2021, Komiteti Serb i Helsinkit, udhëhequr nga Sonja Biserko, njëlloj “ndërgjegje kritike e shoqërisë serbe”, publikoi raportin me 86 faqe –“minoriteti shqiptar në pritje: Medvegja, Presheva, Bujanovci, si pengje të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Raporti për të cilën autorët, pjesë të një rrjeti më të gjerë organizatash të shoqërisë civile serbe, kanë punuar afro 2 vjet, është dëshmia më e fuqishme nga brenda Serbisë, për “spastrimin etnik me mjete administrative“ në dëm të popullit shqiptar në Serbi, posaçërisht në Medvegjë, që është një provë e zbatimit të këtyre praktikave dhe në shekullin 21-të. Raporti flet për “qytetarë të padukshëm të Serbisë”; për praktika diskriminuese të intensifikuara posaçërisht pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë; për mite negativizuese të shqiptarëve konstruktuar nga qendrat e vendosjes; për marrëveshje ndërkombëtare që nuk zbatohen, premtime që nuk mbahen.

Raporti për të cilin OJQ-ja , AFEDS ka qenë bashkëpuntore e rëndësishme si dëshmitare e besueshme e zhvillimeve negative në terren, i ka kushtuar 10 faqe vetëm skemave të “pasivizimit të adresave”, si praktika selektive për t’i marrë të drejtat popullit shqiptar në Serbi, ku Medvegja është më e prekura, me afro 6000 të larguar.

Raporti lë të kuptohet se vemendja e Kosovës për popullin shqiptar në Serbi është zvogëluar me kalimin e kohës dhe po ashtu dhe e Republikës së Shqipërisë. Në raport, me realizëm përsëritet disa herë se “është aspiratë e ligjshme që shqiptarët në Serbi, të presin reciprocitet në trajtimin e tyre njësoj si serbët në Kosovë”, diçka që merr rëndësi të posaçme, ndërsa në Bruksel po zhvillohen raunde të reja bisedimi midis qeverisë së zotit Kurtit dhe Presidentit Vuçiç.

Raporti është një këmbanë alarmi për një popullsi që po tretet, ndërsa politika po hesht. Si thotë një gazetar i njohur, ndërsa politika shqiptare “vajton 8000 të vrarët e Srebrenicës 26 vjet më parë”, afro 8000 shqiptarë kanë humbur të drejtat themelore, pikërisht për shkak të këtij “spastrimi etnik me mjete administrative, për të cilat flet raporti i zonjës Biserko.

Në betejat ndërkombëtare ku ka hyrë kombi shqiptar kanë shumë rendësi armët që përdoren. Ky raport, i financuar nga Perëndimi dhe i ndihmuar nga AFEDS , me realizmin e vet është një armë e besueshme, që na kujton të merremi me problemet tona reale dhe jo me ato të botës; na kujton të heqim dorë nga qasje megalomane irrealiste që po na pengojnë të shohim “elefantin në mes të dhomës”.

Nëse nuk reagojmë sot, siç kujton raporti, pas dhjetë vjetësh, në 3 komunat shqiptare në Jug të Serbisë, nuk do të ketë më shqiptarë!

Medvegjë

Muharrem Salihu   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA