Në SHBA hiqen mijëra diga dhe hidrocentralet po shkretohen nga thatësira; në Shqipëri ndërtohen!
Në kohën kur hidrocentralet e mëdhenj nuk janë ekonomikë; kur ka plotë rrugë të tjera —tërësisht ekologjike— për shfrytëzimin e energjisë hidrike dhe kur, dhe më e rëndësishmja, në SHBA digat e hidrocentraleve kanë shkatërruar biolarmishmërinë e lumenjëve dhe tani mijëra diga (mbi lumin Klamath etj.) përballen me prishjen e kontrolluar për të njëjtën arsye pas shumë përpjekjeve dhe bisedimeve nga organizatat mjedisore dhe kur po shkretohen nga thatësirat!
SHJ
21/07/2021 - 09:18
Dy ndërmarrjet kryesore amerikane, “Exxon Mobil” dhe “Bechtel”, kanë nënshkruar dy marrëveshje me qeverinë “Rama”: njëra, sipas qeverisë, “për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri” duke përfshirë konvertimin e lëndës djegëse të TEC-it të Vlorës nga naftë në gaz dhe ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi dhe shpërndarjen e tij...duke synuar shndërrimin e “Vlorës në një HUB rajonal për gazin e lëngshëm”.
Në fakt, qeveria ose s`është në dijeni ose bën propagandë mashtruese lidhur me argumentin se Vlora do të kthehet në një “hub” ose qendër rajonale për gazin e lëngshëm amerikan: sepse qeveria greke ka krijuar të njëjtën qendër në Selanik në përpjekjen e saj për të përfshirë sa më shumë interesat amerikane në rajon dhe për të mbajtur larg kërcënimet turke (përdor interesa ekonomike për realizuar interesa gjeopolitike). “Bechtel” ka marrë përsipër ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin, të cilin e kishte në shënjestër dhe BE-ja por hoqi dorë kur pa se u përfshin amerikanët në të. Siç citon një raport:
“Problemet dhe vonesat u shkaktuan nga ndërhyrja komerciale e një kompanie konstruksioni amerikane. Drejtoria e zgjerimit në BB lëshoi në datë 12.01.2021 duke kontaktuar Bankën e Investimeve Europiane për të ndërprerë menjëherë çdo ndihmë në këtë projekt. Drejtoria e Zgjerimit, fuqimisht këshillon që në të ardhmen asnjë lloj bisedimi të mos zhvillohet me autoritetet shqiptare”.
Për hidrocentralin në fjalë janë zhvilluar shumë protesta nga banorët dhe nga ekologjistët, për mos ndërtimin e tij. Por qeveria “Rama” i shpërfilli ato siç ka shpërfilluar qindra protestat e tjera për hec-et e tjerë që po shkatërrojnë ekosistemin...në kohën kur hidrocentralet e mëdhenj nuk janë ekonomikë; kur ka plotë rrugë të tjera —tërësisht ekologjike— për shfrytëzimin e energjisë hidrike dhe kur, dhe më e rëndësishmja, në SHBA digat e hidrocentraleve kanë shkatërruar biolarmishmërinë e lumenjëve dhe tani mijëra diga (mbi lumin Klamath etj.) përballen me prishjen e kontrolluar për të njëjtën arsye pas shumë përpjekjeve dhe bisedimeve nga organizatat mjedisore dhe kur po shkretohen nga thatësirat! Në SHBA janë hequr mbi 1700 diga duke përfshirë 90 gjatë vitit 2019.
Hidrocentralet: katastrofa social-ekologjike e elitave moderne
Një arsye tjetër është e ardhmja e klimës: ajo parashikohet të jetë plotë thatësira dhe lumenjtë në thatësira nuk kanë ujë për kafshët e jo më për digat dhe prodhim energjie. Dëftues është fakti se në SHBA hidrocentrali Hoover, me digë të lartë sa një ndërtesë me 60 kate dhe trashësi mbi 13 metra, që u ndërtua gjatë depresionit të madh ekonomik (1931-36), dhe që ishte krenari kombëtare, liqeni që krijon (Lake Mead) tani është në krizë të padëshmuar ndonjë herë gjatë mijëvjeçarit të fundit duke zëbritur në nivelin më të ulët historik ndërsa shtetet perëndimore rreth tij, Arizona dhe Nevada, përballen me shkurtime të rënda uji mes një thatësire të gjatë prej dy-dekadash.
Kujtoj thatësirën e vitit 2017 kur thuajse të gjitha digat u fikën dhe ne importuam energji nga vendet e tjerë. Thatësira si ajo do të jenë më të shpeshta në të ardhmen. Përjashto mundësinë e ndalimit të çlirimeve toksike dhe moti gradualisht balancohet. Por edhe nëse ndalojnë çlirimet balancimi i motit do të marrë dekada për mos të thënë mijëra vjet.
Thatësira që ka përfshirë Taivanin, një vend tropikal (në jug) dhe subtropikal (në veri) ku rreshjet janë shumë më të mëdha se rreshjet në vendin tonë, është gjithashtu dëftuese. Tajfunet atje janë të zakonshëm gjatë verës dhe vjeshtës dhe musonet nuk mungojnë. Por vitin e kaluar nuk pati asnjë tajfun dhe pati pak rreshje duke e zhytur ishullin në thatësirën më të madhe të 56 viteve të fundit. Shumë nga rezervuarët e tij kanë më pak se 20% sasi uji dhe në disa niveli i tij ka rënë poshtë 10%. Rezervuarët furnizojnë me ujë industrinë e gjysëmpërçuesve prej 100 miliardë dollarë dhe për pasojë kërcënojnë mbarëvajtjen e saj. Furnizojnë dhe bujqësinë, e cila është goditur fortë nga thatësira!
Duke ditur këtë fakt, por dhe faktin tjetër se investimi në hidrocentral është i madh, ku e çon “mushka” investitorin amerikan?!
Qoftë edhe nëse hamendësojmë se në marrëveshje përfshihet çështja e thatësirave dhe qeveria pranon të kompensojë humbjet gjatë thatësirave, ku do ta gjejë “kompensimin” kur dihet se populli ynë do të varfërohet më shumë në të ardhmen?!
Parë nga këndvështrimi i pushtetit ekonomik, nga nevoja e qeverive tona për mbështetje politike amerikane dhe nga varësia e vendit tonë në raport me SHBA-në, në terma politikë dhe gjeopolitikë, Dhoma Amerikane e Tregëtisë bashkë me ambasadën amerikane aktualisht mund të kërkojë dhe të imponojë çdo kërkesë mbi qeverinë shqiptare. Nuk është e rastit që kërkon transparencë të “lartë” në prokurime publike por jo të “plotë”!
Lexo për më shumë
Zgjerimi i kapitalit amerikan në Shqipëri përmes megaprojekteve dhe sfidat
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 493 reads



