Qeveria zgjeroi listën e mbrojtjes nga garda duke përfshirë dhe Bashën - frikë nga Berisha?
Deri para vendimit të marrë ditën e sotme, nga Garda e Republikës ruheshin Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, si dhe pjesëtarët e familjeve të tyre.
abcnews.al
13/10/2021 - 21:18
Lulzim Basha në cilësinë e kryetarit të partisë më të madhe opozitare parlamentare në vend dhe Erion Veliaj si kryetar i Bashkisë Tiranë janë mes një liste personalitetesh të larta të cilët tashmë do të ruhen nga Garda e Republikës.
Vendimi është marrë ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kështu, me propozim të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, Këshilli i Ministrave vendosi që Garda e Republikës të mbrojë edhe personalitete si ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genc Sejko, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi etj.
Nga garda do të ruhet edhe kryetari i partisë më të madhe të mazhorancës parlamentare në vend, që aktualisht është kryeministri i vendit Edi Rama.
LISTA E PLOTË
a) Prokurorin e Përgjithshëm;
b) Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit;
c) Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ç) Kryetarin e partisë më të madhe të mazhorancës parlamentare;
d) Kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare;
dh) Anëtarët e Këshillit të Ministrave;
e) Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë;
ë) Kryetarin e Bashkisë së Tiranës;
f) Inspektorin e Lartë të Drejtësisë;
g) Kryetarët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
gj) Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave;
h) Kryenegociatorin për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
i) Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve;
j) Kryetarin e komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerët Publikë, vëzhguesit ndërkombëtarë, të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;
k) Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri;
l) Pjesëtarët e familjeve, si: bashkëshorti, bashkëshortja dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të Presidentit, të kryetarit të Kuvendit e të Kryeministrit, kur ka informacione nga strukturat ligjzbatuese se kërcënohet jeta e tyre.
Deri para vendimit të marrë ditën e sotme, nga Garda e Republikës ruheshin Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, si dhe pjesëtarët e familjeve të tyre.
Po ashtu, Garda e Republikës ruan Presidentin e zgjedhur që nga momenti i votimit në Kuvend, Zëvendëskryetarin e Kuvendit, Zëvendëskryeministrin, ministrin përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ministrin përgjegjës për punët e jashtme, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë si dhe personalitetet e huaja të të njëjtit nivel me personalitetet shqiptare si Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe pjesëtarë të familjes së tyre. /abcnews.al/
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 25 reads



